Brickos

Kryetari Kastrati nënshkroi kontrata për grante me 27 përfitues nga komuna e Malishevës

Sot, në ambientet e Asamblesë Komunale, kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, ka nënshkruar kontratat për grante me 27 përfituesit nga Komuna e Malishevës, në kuadër të projektit “Fuqizimi socio-ekonomik në Ballkanin Perëndimor” financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Qeverisë Gjermane dhe Komuna e Malishevës. Në këtë ceremoni të nënshkrimit të këtyre kontratave, një fjalë rasti para përfituesve të pranishëm, ka folur kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, ku mes tjerash tha se, ky është veç një realizim i zotimit tonë, për të cilin kemi thënë se si qeverisje komunale do të përkrahim maksimalisht bizneset e reja, në mënyrë që Malisheva të ketë biznese të qëndrueshme dhe që ndikojnë në rritjen e numrit të të punësuarve. Po ashtu, kryetari Kastrati e vlerësoi shumë lartë faktin se nga 27 përfituesit e këtyre granteve, 18 prej tyre janë gra, që jep një mesazh shumë të mirë se ne jemi duke bërë një angazhim maksimal në funksion të fuqizimit të rolit të gruas në komunën e Malishevës. Një fjalë rasti, e ka mbajtur edhe drejtoresha e organizatës Help Kosova, Shqipe Brezanica, e cila tha se, qëllimi i përgjithshëm i projektit është të kontribuojë në zhvillim të qëndrueshëm dhe stabilitet në Kosovë me fokus kryesor fuqizimin ekonomik, ndërsa qëllimi i veçantë është krijimi i vendeve të reja të punës përmes mbështetjes direkte me grante për biznese të vogla. Nëpërmjet këtij projekti, ofrohen pajisje në mënyrë që përfituesit të mund të fillojnë apo të zhvillojnë bizneset e tyre. Vlera mesatare e një granti, për një përfitues, është 2,000 Euro në formë të pajisjeve. Në fund, kryetari Kastrati ka falënderuar drejtuesit e organizatës Help Kosova dhe Qeverinë Gjermane, për këtë bashkëpunim të jashtëzakonshëm dhe për përkrahjen që po i jep vendit tonë, me theks të veçantë Komunës së Malishevës.

Kontrolloni gjithashtu

1 maj 1990 – Kuvendi i Pajtimit te “Verrat e Llukës”

34 vite më parë, me 1 maj 1990 u mbajt Kuvendi Gjithëkombëtar i Pajtimit të …