Kryetari Latifi ka pritur në takim Ekspertin e verëtarisë dhe vreshtarisë, Rexhep Kryeziu

Eksperti i spikatur i verëtarisë dhe vreshtarisë, Rexhep Kryeziu, i cili ka ndërtuar një reputacion të jashtëzakonshëm në Zvicër në këtë fushë, ishte mysafir në zyrën e kryetarit të komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, me të cilin u zhvillua një bisedë pozitive dhe e përzemërt.

Rexhep Kryeziu nga Dejni, është njëri prej ekspertëve më të njohur për verëtari dhe vreshtari në Zvicër, duke e bërë krenare vendlindjen për arritjet që ka shënuar gjatë karrierës së tij deri në pensionim. Gjatë angazhimit shumëvjeçar në Zvicër, Rexhepi ka menaxhuar një sipërfaqe të madhe vreshtash në Kantonin e Argaut, ndërsa është edhe  autor e bashkautor librash që lidhen me verën dhe vreshtat.

Rexhepi i dha shije të veçantë kësaj fillimdite duke i dhuruar kryetarit Latifi një shishe verë cilësore të cilën e kultivon në Zvicër si dhe katër librat të cilët kanë për subjekt rrushin dhe verën, autor i të cilëve është ai.

  1. Kitja e vreshtës-mbi teknikat dhe rregullat e kitjes së hardhisë së rrushit.

  2. Verën-zbulojeni, provojeni dhe shijojeni-gjithçka rreth verës, përdorimit, shijes dhe përfitimet e saj.

  3. Vera-njohuri në praktikë dhe teori-rreth verës dhe llojeve të saj.

  4. Verëtaria praktike-është studim i hollësishëm mbi verëtarinë mbarëshqiptare, bashkautor me akademikun e njohur në veprimtari studimore dhe eksperimentuese në agronomi, Prof. Dr. Andrea Shundi nga Shqipëria.

Padyshim se kulturën dhe dijen elementare për verën e vreshtat, Rexhepi i mori në Rahovec e i përsosi në Zvicër, duke bërë punë profesionale.

Kryetari Latifi i urojë shëndet dhe punë të mbarë!

Motive të reja për libra të rinj në këtë vit të ri që po troket!

Gëzuar festat!

Kontrolloni gjithashtu

Fillojnë vizitat sistematike të nxënësve të klasave të para dhe pesta të shkollave të komunës së Rahovecit 

Fillojnë vizitat sistematike të nxënësve të klasave të para dhe pesta të shkollave të komunës …