Kryetari Latifi me bashkëpunëtorë bënë homazhe në të gjitha vendrëniet e dëshmorëve

Në 12-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së shtetit tonë të pavarur e sovran, kryetari i komunës së Rahovecit Smajl Latifi së bashku me bashkëpunëtorë, invalidë e veteranë, me qytetarë të vendbanimeve të komunës së Rahovecit, bënë homazhe në të gjitha vendrëniet e dëshmorëve. Në këtë ditë u nderuan dhe përkujtuan me përkushtim të lartë gjaku dhe vepra atdhetare e të rënëve, duke mbajtur edhe një Seancë Solemne të Kuvendit Komunal, u mbajt një akademi përkujtimore në Rahovec, po ashtu, vizituan Shtëpinë Muze të Ukshin Hotit dhe nderuan veprën e pavdekshme të profesorit. Ka qenë rrugë e gjatë dhe jo e lehtë, kanë qenë dekada plot me dhimbje, humbje njerëzish, burgosje, keqtrajtime. Ka qenë luftë e përgjakshme deri te Liria, vite plot sakrifica e vetëmohime deri te pavarësia e shtetformimi. Secilit nga ne, ato vite robërie i kanë kushtuar shumë, kujt më pak e kujt e më shumë, secili nga ne e ka jetuar e mbijetuar luftën me të gjitha pasojat që mund t’ i ketë, humbje jetërash apo humbje materiale, por Liria e dha vulën e saj. Sot, kur shteti ynë ka sovranitetin dhe mëvetësinë, secili nga ne duhet të marrë forcë e të mundohemi bashkërisht që ta mbajmë këtë shtet fort, e ta ruajmë se na ka kushtuar shtrenjtë e është larë me gjak dëshmorësh e viktimash të cilët e trasuan rrugën e Lirisë dhe Pavarësisë. Nga e kaluara e jonë historike, pa dyshim, spikat ngjarja më e re, e cila me të drejtë mban vulën më domethënëse të shumë përpjekjeve dhe sfidave të imponuara nga kërkesat e ligjshme që një popull synon, arritjen e objektivave kryesore të lirisë e mbrojtësit të këtyre vlerave përmes shtetit. Gëzuar kjo ditë e madhe! Ta kemi përjetë shtetin tonë të dashur! Lavdi heronjve, dëshmorëve, martirëve dhe të gjithë atyre që u përjetësuan për një ideal dhe qëllim të vetëm e u bëftë dritë gjaku i derdhur për Liri dhe Pavarësi! U jetësoftë akoma më shumë amaneti i të rënëve për liri! Urime dhe Gëzuar përgjithmonë Pavarësia, Kosovë! Tha kryetari Latifi.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Aliu e ka vizituar bletarin ferizajas Nexhat Mustafa

API Therapy “Bleta” që udhëhiqet nga bletari i suksesshëm ferizajas Nexhat Mustafa, është një nga …