Kryetari i Rahovecit, z. Smajl Latifi, me rastin e përvjetorit të rënies heroike të Luan Haradinajt dhe kalimit në amshim të Smajl Haradinajt, mori pjesë në homazhe në Gllogjan dhe Deçan ku vendosi buqetë me lule për nderim të jetës dhe veprës së tyre heroike.
Përmes një postimi të tij në facebook kryetari Latifi ka shkruar:
“Nga rrënjët e një qëndrese të hershme buron vepra e Smajl Haradinajt, burrit që në kohët më të vështira mbajti gjallë frymën e kundërshtimit, dinjitetin dhe besimin e palëkundur se liria fitohet vetëm me qëndresë dhe pikërisht në përvjetorin e ndarjes së tij nga jeta, rikujtuam këtë themel të fortë mbi të cilin u ngrit rezistenca jonë. Ai ishte ndër ata që nuk u pajtuan kurrë me padrejtësinë, duke e kthyer jetën e tij në shërbim të çështjes kombëtare dhe në shembull për brezat që do të vinin.
Në këtë frymë u rrit Luan Haradinaj, i edukuar me idealin e sakrificës dhe i formuar me bindjen se liria kërkon veprim. Ai e mori këtë trashëgimi shpirtërore dhe e shndërroi në angazhim të drejtpërdrejtë në luftë, duke e çuar deri në fund rrugën e nisur nga brezi para tij. Te Luani, ideali u bë betim, u bë pushkë dhe flijim për atdheun, sot 29 vjet më parë.
Rruga e lirisë nuk u ndal, por u forcua dhe u vulos me gjakun e atyre që nuk kursyen asgjë për atdheun. Ky është amaneti që nuk shuhet dhe që do të mbahet gjallë përjetësisht!
Lavdi jetës dhe veprës së Smajl Haradinajt!
Lavdi jetës, veprës e sakrificës së heroit Luan Haradinaj!
Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit”!