Brickos

Kryetari Latifi së bashku me Kryeministrin Hoti dhe ministrin e bujqësisë Mustafa kanë takuar përfaqësues nga vreshtarët dhe verëtarët e komunës së Rahovecit

Kryetari i komunës së Rahovecit Smajl Latifi, së bashku me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti dhe ministrin e bujqësisë, Besian Mustafa kanë takuar përfaqësues nga vreshtarët dhe verëtarët e komunës së Rahovecit, ku kanë diskutuar për çështje më kryesore dhe urgjente me të cilat po ballafaqohemi, posaçërisht pas situatës së rëndë të shkaktuar edhe nga pandemia COVID-19. Kryetari Latifi përmes një postimi të tij në facebook ka njoftuar për çështjet që janë diskutuar në këtë takim. Kryetari Latifi ka ngritur çështjet si:

– Çështja e pranimit të rrushit nga bodrumet dhe përpunuesit, vazhdon të mbetet shqetësim i yni serioz pasi që verëtarët dhe vreshtarët po hasin aktualisht në vështirësi të shumta dhe serioze. Theksova, se është e domosdoshme që shpejtë të kemi zgjidhje konkrete në dobi të fermerëve.

– Çështja e grumbullimit dhe pranimit të qumështit, një problem mjaft serioz që dërgon në kolaps, pra, falimentimin e qindra stallave, mbetjen e qindra punëtorëve pa punë, këputjen e një hallke të rëndësishme të zinxhirit që ndikon direkt në mirëqenien sociale dhe zhvillimin e ekonomive familjare, si pasojë e  mosdorëzimit të qumështit në pika grumbulluese, për shkak të refuzimit të tij. Përsërita kërkesën që vërtet të ndalohet importi i vajit të palmës si dhe produkteve të tjera me përmbajtje të vajit të palmës – ato të hiqen tërësisht nga tregu, qoftë për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve në rend të parë, për më shumë, si alternativa më e sigurt e tejkalimit të kësaj gjendjeje të rëndë.

– Një shqetësim serioz i fermerëve tanë është edhe kompensimi i dëmeve  dhe pakënaqësia reale e tyre ndaj vonesave të paarsyeshme në ekzekutimin e 25% të vlerës së dëmit të shkaktuar nga breshri dhe vërshimet. Ne si komunë kemi përfunduar me kohë të gjitha procedurat e kërkuara nga ana e Ministrisë për kompensimin e fermerëve tanë, andaj presim që Qeveria e Republikës së Kosovës sa më shpejtë të ekzekutojë vendimin për dëmshpërblim të fermerëve.

– Një çështje tjetër e adresuar është edhe kërkesa për të mos i vonuar pagesat direkte si dhe kërkesa për rritjen e subvencioneve për vitin 2020. Po ashtu, insistojmë që të hapet sa më shpejtë edhe thirrja e re për grantet 2020, për masat e mbetura, si dhe të bëhet vlerësimi dhe shpallja e rezultateve për aplikacionet e dorëzuara në fazën e parë.

– Të vetëdijshëm se vreshtarët dhe verëtarët janë dëmtuar shumë sidomos gjatë pandemisë, i sigurova se do të punojmë bashkë që hardhia, rrushi, vera, produktet e vendit tonë të mund të gjejnë jo vetëm konsumatorin vendor në Kosovë, por edhe blerës jashtë Kosovës, sepse jemi të bindur se produkte më të mira, më natyrale, e më të vërteta se sa rrushin dhe verërat e Rahovecit, nuk besoj se kemi nevojë të orientohemi diku  tjetër. Ju kam kërkuar vreshtarëve dhe verëtarëve të kenë një bashkëpunim më të madh, shoqatave që ata përfaqësohen të kenë më shumë unitet e jo të fragmentarizohen, si dhe për koordinim më të mirë në mes tyre, në mënyrë që të kemi sukses më të madh, bashkërisht. Uroj dhe shpresoj shumë që të gjinden sa më shpejtë zgjidhje në dobi të fermerëve tanë, si dhe falënderoj Kryeministrin Hoti dhe ministrin  Mustafa për vizitën dhe bashkëpunimin dhe zotimet që dhanë në takim! Ashtu siç gjetëm mirëkuptimin nga Kryeministri dhe Ministri, në një takim të nevojshëm si ky,  morëm edhe sqarime shtesë dhe zotime se si do të rritet përkrahja për bujqit dhe fermerët tanë, përpunuesit e rrushit dhe për hallka të tjera të zinxhirit të kësaj dege të rëndësishme të ekonomisë, e që është jetike për trevën tonë, ka thënë kryetari Latifi.

Kontrolloni gjithashtu

Në komunën e Ferizajt u publikua raporti për vlerësimin e nevojave të rinisë për vitin 2024

U publikua raporti për vlerësimin e nevojave të rinisë për vitin 2024, në komunën e …