Brickos

Bunkeri i Radios Kosova e Lirë

Ku e ka burimin armiqësia e shefit të Stafit të kryeministrit, Luan Dalipi, me mediet, të cilat kritikojnë Albin Kurtin e Vetëvendosjen?

Shefi i Stafit të kryeministrit Kurti, Luan Dalipi, nëpërmjet një postimi  ka sulmuar në mënyrë të paprecedent mediet në Kosovë, duke i lidhur ato me “biznese kriminale”,  ashtu sikur më parë, Prindon Sadriu,  burri i kryetares, Vjosa Osmani. Për më tepër  Dalipi i Vetëvendosjes  u ka bërë thirrje atyre që i quan “qytetarë të dinjitetshëm”, t’i bojkotojnë mediet që kritikojnë Qeverinë. Njëjtë sikur regjimi titist-rankoviçist  kur u bënte thirrje shqiptarëve të ndershëm, “poshteni shqiptari”,  që të mos binin pre e nacionalizmit dhe irredentizmit  shqiptar.

Luan Dalipi mendon se të gjitha mediet e portalet, të cilat kritikojnë Qeverinë e veçmas,  Albin Kurtin  po bëkan  biznes kriminal. Ai do të dëshironte që të gjitha mediet ta lavdëronin shefin  e tij ashtu sikur bëjnë, RTK-ja si gjithnjë në shërbim të çdo qeverie, pastaj Bota sot, Koha Ditore, dhe portalet që i financon Vetëvendosja veçmas platforma arrogante,  “me kryeministrin”.

Pretendimet për sundimin dhe censurimin e disa medieve, sidomos atyre  që kanë kritikuar  dhe  kritikojnë  keqqeverisjen, mos mbajtjen e premtimeve, kritikojnë tradhtinë e kauzave, kritikojnë nënshtrimin dhe vasalitetin, gënjeshtrën e mashtrimin, është punë e kotë dhe në kohën tonë është punë Sizifi, sepse mediet gëzojnë më shumë të drejta nga vetë ligjet e Kosovës, sesa i shfrytëzojnë ato.

 

Janë pikërisht këto medie që e kanë përcjellë kurdoherë hapërimin e Kurtit dhe të Vetëvendosjes duke e mbështetur fuqishëm derisa ishte në opozitë.  Të vetmet medie kundërshtare të Vetëvendosjes  për më shumë se dhjetë vjet kanë qenë Koha Ditore dhe Bota sot, ndërsa tani janë ndër të vetmet që e mbështesin me krejt kapacitetet, natyrisht pas arritjes së marrëveshjeve paraprake dhe  pazareve politike financiare. Dihet çka ka fituar,  në pazarin politik,  Koha Ditore dhe Veton Surroi nga Qeveria Kurti. Edhe këtë e kanë zbuluar vetë mediet.

Të prekësh mediet sot është sikur të prekësh zgjoin e grerëzave

Kështu ka ndodhur dhe po ndodh përditë. Nuk mund të ngulfaten mediet me kërkesa  drejtuar elektoratit për të mos i shfletuar e lexuar ato.

Përkundrazi disa medie të përdala, në kuptimin e fjalës, të zhurmshme dhe pa një pikë etike, sensacionale dhe përhapëse të gënjeshtrave, shfletohen shumë më tepër se mediet serioze, që iu përmbahen kodekseve të gazetarisë profesionale.

Shërbimin më të madh ua bën një mediumi të tillë, nëse u  thua njerëzve mos e lexoni atë medium, apo mos e shikoni atë TV.

Sot të fërkohesh me mediet është njësoj sikur të marrësh thëngjillin në duar, i cili edhe kur nuk të djeg të nxin. Andaj është për keqardhje kur një shefi i Stafit të kryeministrit Kurti, sikur është,  Luan Dalipi, nuk e ka kuptuar “mbretërinë dhe sundimin” e disa medieve sot, pasi ato më të fortat kanë prapa bosët e politikave të caktuara mafioze, që i mbështesin dhe i financojnë, pikërisht sikur bën Vetëvendosja me Kompaninë Koha dhe Bota Sot, që me krejt fuqinë e informimit e komentimit bëjnë përpjekje ta mashtrojnë opinionin, sipas direktivave  të Vetëvendosjes.

Nuk kanë faje mediet pse Albin Kurti dhe Vetëvendosja i kanë ndërruar qëndrimet e parimet, i kanë shkelur kauzat e premtimet.

Nuk kanë faj mediet pse Albin Kurti  derisa ishte në opozitë thoshte: Vetëvendosjes-Jo negociata me Serbinë,  dhe tani “dallëndyshe ktheja ndryshe”.

Dikur thoshte sapo të vinte në pushtet kurrë nuk do të bisedonte as do t ia shtrëngonte  dorën kryetarit të Serbisë, Aleksander Vuçiq.

Po ndodhi dhe po ndodh ndryshe, me ato që kishte premtuar

Nuk kanë faj mediet pse Vetëvendosja ka fituar vetëm katër komuna të vendit, në zgjedhjet vendore.

Nuk kanë faj mediet pse Kurti nuk e përmend më bashkimin kombëtar, për të cilin tash thotë se nuk po e lejuaka Kushtetuta, të cilën duket se nuk e kishte lexuar deri sa u bë kryeministër.

Çfarë faji kanë mediet që raportojnë për sa e sa ministra të Kurtit të përfshirë në korrupsion, ministra që kanë deklaruar rrejshëm pasurinë, ministra e deputetë që përditë dalin para gjykatave me akuza të ndryshme.

Nuk është faji i medieve që zbulojnë kërcënimet ndaj tyre sikur ishte kërcënimi malicioz i Prindon Sadriut, burri i Vjosa Osmanit, i cili mediet i quan  “Ndërmarrje kriminale” ashtu sikur tani  edhe Luan Dalipi.

Mediet kanë detyrë të zbulojnë të metat dhe keqqeverisjen dhe çdo deklaratë të pamatur apo qëndrim jo etik.

Pse mediet të mos kërkojnë ta dinë shkakun që Albin Kurti e Vjosa Osmani nuk përmendin kurrë emrat e Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit e të tjerëve?

Pse të mos publikohet fjalia e Albin Kurtit kur i drejtohej kryetarit të Kosovës: Shko në Hagë, Hashim, çka po pret.

Mediet nuk kanë arsye ta fshehin urrejtjen e Albinit kundër: Ramush Haradinajt, Sami Lushtakut, Fatmir Limajt dhe po thuajse të gjithë komandantëve të luftës së UÇK-së.

Mediet nuk e fshehën deklaratën e Albin Kurtit në Prekaz,  se në Hagë po mbahen bashkëluftëtarët e Adem Jasharit,  edhe pse as në këtë rast ai nuk përmendi, Hashim Thaçin, Kadri Veselin e asnjë nga bashkëluftëtarët e tij.

Nuk e ka fajin pasqyra për surratin e njeriut që shikohet në të. Këtë e di Luani, e di Prindoni e di Xhelali e sa e sa të tillë si këta, por ata nuk duan ta shohin pasqyrën, sepse ua prish imazhin dhe këtë nuk e durojnë dot.

Andaj, larg duart nga mediet,  sidomos nga ato medie që kanë kredibilitet, histori të rezistencës, nga ato të cilat në radhët e veta kanë dëshmorë e martirë, të cilat janë mbrojtur me gjakun e lirisë, nga ato medie që janë bombarduar nga armët e regjimit të  Serbisë së Millosheviqit, gjatë luftës kur transmetonin program ditor informativ nga bunkerët dhe përfitë paralajmëronin fitoren e sigurt dhe dëbimin përgjithmonë nga Kosova të barbarisë serbe. Atyre medieve nuk ua ka  ndalur fjalët,  breshëria e armëve të regjimit serb, nuk i ndal dot, as nuk i ngulfat dot: Luani, Prindoni, Xhelali, Basha e sa e sa zevzekë e  mujsharë si këta. Edhe të tjerë para tyre e kanë provuar këtë, por nuk ia kanë dalë.

Për mediet e tjera nuk kemi nevojë të flasim, ato le të flasin vetë.

 

Radio-Kosova e Lirë

22.3. 2022

Prishtinë

Kontrolloni gjithashtu

Dr. Gurakuç Kuçi: Zgjedhjet elektorale si gjeopolitikë: Maqedonia e Veriut drejt Perëndimit apo Rusisë dhe reagimi i Gjermanisë

Zgjedhjet elektorale më nuk janë thjesht një ndërmarrje demokratike e organizuar për të kahëzuar zhvillimin …