Kur Ahmet Qeriqi shkroi për Gjergj Fishtën

“Uh Evropë, ti kurvë e motit…”

Profesori dhe shkrimtari Ahmet Qeriqi na solli në mendje, me shkrimet e tij, figurën e Gjergj Fishtës, duke e lidhur atë me kohën tonë dhe aktualitetin e sotëm. Shkrimet e tij i qëndrojnë kohës dhe duken sikur janë të sotme! Ai sjell konstatimet e Fishtës, shkrimet dhe reagimet e tij në kohë të vështira për Shqipërinë.

Ahmeti e krahason Fishtën me Homerin dhe Herodotin, dhe me të drejtë e bën, sepse Fishta nuk ishte vetëm i madh në vlera njerëzore dhe kombëtare, por edhe me një zemër të flakët për atdheun. Fishta, me shkrimet e tij, pasqyron realitetin e kohës, fatin e Shqipërisë dhe raportet e padrejta të Europës mbi kurrizin e Shqipërisë.

Edhe sot, Fishta mbetet aktual, ndërsa qëndrimet e Europës mbeten të tilla deri në ditët e sotme. Me të drejtë, ai shprehte mllefin e tij kur Shqipëria i copëtohej tokat në favor të klyshëve të Rusisë (për Serbinë). Fishta, me vargjet dhe shkrimet e tij, i drejtohej Evropës me sharje: “Eu, Evropë, moj kurvë e vjetër!” dhe paraqiste gjendjen e Shqipërisë dhe të shqiptarëve të varfër dhe të mjerueshëm.

Profesori Ahmet, duke e vlerësuar Fishtën dhe shkrimet e tij, na sjell në kohën tonë mesazhet e Fishtës, duke i krahasuar qëndrimet aktuale të Evropës me qëllimin e copëtimit të Kosovës dhe imponimin e shkëputjes së Veriut.

Ahmeti, me diapazonin e tij mendor dhe njerëzor, si dhe me karakterin kombëtar të ngulitur në gjene, nga kjo prizëm e sheh edhe Fishtën dhe thotë për të: Fishta gjithë jetën ia kishte kushtuar kombit dhe atdheut. Edhe pse ishte teolog dhe prift, ai ishte i përkushtuar tërësisht kombit dhe Shqipërisë!

Ahmeti nxjerr vlerat dhe ndjeshmërinë e Fishtës, të revoltuar me të gjithë, pasi që të gjithë ishin kundër Shqipërisë. Fishta përpiqej të kërkonte ndihmë edhe nga Moska dhe nga Evropa, që të mos e copëtonin Shqipërinë.

Në pamundësi për të ndryshuar diçka në këto përpjekje, ai shprehte dufin e tij dhe shante Turqinë, Evropën dhe të tjerët, që po e copëtonin Shqipërinë për këlyshët e Rusisë.

Shqiptarët i paraqet në një gjendje të mjerueshme, të ndarë në fiset e bajraktarët e pa interesuar për të ndalur pasojat dhe për t’u dalë zot atdheut. Të shkapërderdhur i quan sallahana, duke paraqitur ushtarët e huaj që shkelin tokën e Shqipërisë, ndërsa shqiptarët merreshin me gjëra të kota dhe nxiheshin mes veti. Oficeri i huaj e ka pasur kënaqësinë që të ishte i hipur në tokë mbi të tjerët.

Ahmeti paraqet thellësisht mallëngjimin e Fishtës kur ai ndahej nga atdheu, duke i kthyer shpinën me varkën që po e ngiste përtej detit, dhe duke përshkruar bukuritë e Shqipërisë: tokat pjellore, malet me blerim, diellin përvëlues, detin për brinjë, atdheu i bukur që vetëm aty e ndiente kënaqësinë e shpirtit, syve dhe zemrës. Një atdhe që po shkëputej prej tij dhe që ndoshta nuk do të kthehej kurrë!

Kjo ndjesi më preku thellë edhe mua, që pata fatin e tillë, të kthehem në Kosova pas ndjekjeve dhe burgosjeve. Edhe pse u ktheva dhe luftova deri në çlirim, mallin që ndjeva kur u largova nuk mund ta nxjerr kurrë nga zemra!

Me siguri, autori e ndjeu thellë në shpirt sa ishte i burgosur dhe i trazoi zemrën kthimi i tij nga burgu.

Sa të mallkuar ishin njerëzit që, më shumë se kushdo, e deshën atdheun, bënë për të, por më së paku e gëzuan dhe jetën e kaluan në atdhe! Shumë nga ata që u detyruan të largoheshin nuk u kthyen të gjallë. Si Noli, Konica, Mjeda dhe rilindës të tjerë përfunduan jetën larg, duke u shuar nga jeta me zjarrin e atdheut në gji.

Ishte me fat Ahmeti dhe shumë të tjerë që arritëm të rikthehemi me pushkë në dorë, ta çlirojmë Kosovën dhe ta përjetojmë lirinë.

Prof. Ahmet Qeriqi diti të vlerësojë vlerat dhe njerëzit me vlera letrare, mbi të gjitha kombëtare. Prandaj, Ahmeti vlerësohet për gjithë dimensionin njerëzor, kombëtar dhe luftëtar për liri, për një shtet të pavarur dhe sovran.

Respekt pasardhësve që i shpalosin, i aktualizojnë dhe botojnë shkrimet e autorit Ahmet Qeriqi. Lavdi e përhershme të madhit Ahmet!

Kontrolloni gjithashtu

Prokurorët e Gjykatës Speciale, në Hagë, do ta kenë të vështirë ta dëshmojnë se ish-krerët e UÇK-së janë fajtorë për krimet e supozuara

Mustafë Krasniqi: TI, O I HUAJ…

TI, O I HUAJ…   Ti, o i huaj…, i ushqyer me krimba, Vë gishtin …