Në një promovim të veçantë në Prishtinë, libri i prof. dr. Ahmet Shala, “Kur Heshtja Flet”, mbledhi figura të rëndësishme të jetës politike, intelektuale dhe qytetare. Libri trajton me qartësi dhe thellësi gjykimin në Hagë kundër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke përfshirë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin. Në fjalën e tij, Profesor Shala e përshkroi librin si një nevojë të thellë të shpirtit: “Ky libër nuk lindi për të qenë thjesht një botim. Lindi si një ndjenjë e thellë, e ndrydhur. Me shpirt të zemrës dhe një zë që shpërtheu fare spontanisht, për të folur dhe për të vepruar. Nuk shkrova si akademik apo diplomat, por si një qytetar i thjeshtë, si dikush që ka parë, dëgjuar dhe përjetuar vetë, dhe ka parë dhimbjen dhe drejtësinë e vonuar tek të tjerët. Përmes këtij libri flasin heronjtë tanë që prehen në parajsë dhe ata që heshtja i ka rënduar më shumë se çdo fjalë.” Promovimi pati pjesëmarrjen e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, kryetares së Kosovës Vjosa Osmani, kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, bashkëshorteëve të Thaçit, Veselit dhe Krasniqit, kryetarëve të komunave, deputetëve, ish-luftëtarëve të UÇK-së dhe shumë personaliteteve të tjera të njohura. Shala theksoi se librin e shkroi pas takimeve një më një me katër udhëheqësit e UÇK-së në Hagë, duke i parë jo si personalitete politike, por si njerëz të zakonshëm, bij e baballarë të atdheut, të përfshirë në historinë e dhimbshme dhe heroike të Kosovës. Libri sjell një pasqyrë të gjallë dhe emocionale të kujtesës historike, duke treguar se historia e Kosovës nuk ndahet thjesht në kapituj, por jeton në përjetimet e njerëzve të saj.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
