Kurti: Komuna e Vitisë ka punuar edhe mirë edhe shumë në menaxhimin e situatës me COVID-19

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, me bashkëpunëtorë, ka pritur në takim kryeministrin në detyrë të Qeverisës së Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku ministren e Administrimit të Pushtetit Lokal, Emilija Redžepi dhe Ministër i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku. Kryetari Haliti e ka njoftuar delegacionin qeveritar me masat dhe veprimet që janë ndërmarrë në Komunën e Vitisë për të penguar përhapjen e mëtutjeshme të virusit COVID-19. “Për fat të keq, siç e dini, Vitia ka qenë vatra e parë e infektuar nga virusi, prandaj na ka rënë edhe barra më e rëndë. Ne kemi reaguar shpejt dhe kemi formuar mekanizmat adekuat për t`u përballur me situatën. Pas identifikimit të pacientit të parë me virus, kemi vënë në izolim stafin mjekësor që ka qenë në kontakt me të dhe kemi hulumtuar kontaktet që ka pasur ai. Kemi filluar me dezinfektimin objekteve dhe hapësirave publike. Po ashtu familjarët e tij janë vetizoluar, sikurse që është mbyllur i gjithë fshati Stubëll. Ndërkohë jemi marrë edhe me komponentën sociale duke shpërndarë mbi 1500 pako ushqimore dhe higjienike për familjet në nevojë në gjithë komunën të siguruara në bashkëpunim me donatorë të ndryshëm. Duhet cekur se rastet janë rritur për shkak se një kategori e punëtorëve nuk kanë mundur të punojnë. Izolimi i komunës sonë ka ndikuar negativisht dhe ka dëmtuar bizneset.”, ka thënë kryetari Haliti. Ai është shprehur mirënjohës ndaj qytetarëve të cilët kanë treguar nivel të lartë dhe kanë respektuar masat dhe udhëzimet e institucioneve, duke këputur kështu hallkën e përhapjes së mëtutjeshme të virusit COVID-19. Haliti ka falënderuar po ashtu për mbështetjen ministrat në Qeverinë e Kosovës me të cilët ka kontaktuar vazhdimisht. Mirëpo, sipas tij, nevojat janë të vazhdueshme, prandaj kërkoi nga kryeministri në detyrë mbështetje të mëtutjeshme për qytetarët e kësaj komune. Nga ana e tij, kryeministri në detyrë Albin Kurti, e ka përgëzuar kryetarin Haliti dhe mekanizmat tjerë të komunës për menaxhimin e duhur të situatës. “Komunat e kanë gjendjen e ndryshme, prandaj edhe masat që po ndërmerren janë të ndryshme. Ne do t`i mbështesim komunat të cilat po përballen me këtë gjendje. Komuna e Vitisë ka punuar edhe shumë edhe mirë dhe nuk ka lejuar që rastet e prekura me virus të shtohen. Përndryshe, në rast të shtimit të numrit të të infektuarve, mund t`ju them se me shërim jemi keq, sepse kapacitetet i kemi të kufizuara. Kështu që edhe njëherë po e përsëris është më mirë ta parandalojmë sesa ta shërojmë virusin. Sidomos të kemi kujdes për të moshuarit. Shpresoj se shpejti , do të dalim nga kjo situatë”, ka thënë kryeministri në detyrë, Kurti. Ai ka thënë se nga pakoja e re fiskale do të mirëmbahet jeta normale, kurse nga mjetet e dedikuara për komunat, mund të përfitojë edhe Komuna e Vitisë.

Kontrolloni gjithashtu

Me ftesë të kryetarit Kastrati udhëheqja e komunës së Meyrinit (Zvicër) po qëndron në Malishevë

Me ftesë të kryetarit të Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, një delegacioni i komunës së …