Kurti nga Davosi: Nuk doja zgjedhje të reja, opozita i imponoi

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar nga Davosi i Zvicrës se zgjedhjet e reja nuk ishin zgjedhje e tij politike, por pasojë direkte e mungesës së bashkëpunimit nga ana e opozitës. Në një bisedë me Rory Stewart, Kurti theksoi se qeveria e tij kishte bërë përpjekje të vazhdueshme për të ndërtuar një shumicë parlamentare, por ishte përballur me refuzime të njëpasnjëshme. Ai rikujtoi se Lëvizja Vetëvendosje kishte fituar 42.3 për qind të votave në zgjedhjet e shkurtit, rezultat që, sipas tij, nuk mjaftonte për formimin e qeverisë pa partnerë koalicioni. Kurti akuzoi drejtpërdrejt LDK-në për refuzim të plotë të takimeve, ndërsa përmendi edhe ambicien e Fatmir Limajt për postin e kryeparlamentarit, pavarësisht se kishte vetëm tre deputetë. Sipas Kurtit, opozita refuzoi edhe propozimet e tij për kryeparlamentar, përfshirë zëvendësimin e emrit të parë me dhjetëra alternativa, si dhe kandidimin e Glauk Konjufcës, i cili më herët kishte ushtruar këtë funksion. “Prapë thanë jo”, theksoi ai, duke e cilësuar situatën si bllokadë politike të qëllimshme. Kurti shtoi se gjatë vitit 2025 u bë e qartë për qytetarët se vendi nuk kishte qeveri jo për shkak të humbjes së zgjedhjeve, por për shkak të refuzimit të opozitës për bashkëpunim, përfundoi Kurti nga Davosi.

Kontrolloni gjithashtu

Hysni Gucati: Presidenti dhe ish-krerët e UÇK-së do të dalin fitimtarë

Procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale po shkon drejt përfundimit. Të hënën, …