Kushtetuesja i jep ultimatum Kuvendit: 12 ditë për konstituim dhe zgjedhjen e nënkryetarit serb

Gjykata Kushtetuese ka shpallur të pakonstituuar Kuvendin e Kosovës, duke vlerësuar se seanca konstituive e filluar më 15 prill 2025 nuk ka përfunduar ligjërisht. Arsyeja? Moszgjedhja e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb. Në dispozitivin e aktgjykimit të publikuar sot, Kushtetuesja thekson se Kuvendi ka shkelur nenin 67 të Kushtetutës, i cili garanton përfaqësimin e dy nënkryetarëve nga komunitetet joshumicë – përfshirë atë serb. Gjykata thekson se mungesa e këtij përfaqësimi bën që seanca të mos quhet e përfunduar. Gjykata urdhëron Kuvendin që të përfundojë procesin e konstituimit brenda 12 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij aktgjykimi, duke zgjedhur të gjithë nënkryetarët, pa përjashtim. Në mënyrë eksplicite, Kushtetuesja obligon të gjithë deputetët që gjatë kësaj procedure “të ushtrojnë funksionin e tyre në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit”.

Kontrolloni gjithashtu

Jock Covey dëshmitari i katërt në mbrojtje të Hashim Thaçit në Hagë

Në procesin gjyqësor ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në Dhomat e Specializuara në Hagë, …