Kuvendi i Komunës së Malishevës ka mbajtur sot mbledhjen e pestë të rregullt për vitin 2026, të udhëhequr nga kryesuesi Fatmir Ademaj. Në mbledhje morën pjesë edhe kryetari i komunës, Ekrem Kastrati, si dhe drejtorët e drejtorive komunale.
Gjatë seancës, asamblistët shqyrtuan dhe miratuan një sërë pikash të rendit të ditës që lidhen me zhvillimin e komunës dhe interesin e qytetarëve.
Ndër vendimet kryesore ishte miratimi i kërkesës së Drejtorisë së Arsimit për mbështetjen e hapjes së tri çerdheve publike në Bellanicë, Banjë dhe Dragobil. Kuvendi miratoi gjithashtu kërkesën e Hidroregjionit Jugor për shpalljen me interes publik të një prone, me qëllim të rritjes së kapaciteteve të furnizimit me ujë të pijshëm.
Po ashtu, Kuvendi dha dritën e gjelbër për fillimin e procedurave për dhënien në shfrytëzim të disa pronave publike për ushtrimin e aktiviteteve ekonomike dhe projekteve me interes publik, duke formuar edhe komisionet përkatëse për zhvillimin e këtyre procedurave. Në të njëjtën mbledhje u miratuan edhe raportet e komisioneve për dhënien në shfrytëzim të pronës publike, në përputhje me vendimet e mëhershme të Kuvendit.
Asamblistët miratuan edhe raportin e komisionit për ndryshimin e tarifave, sipas kërkesave të njësisë “Ekoregjioni”, si dhe kërkesën e kryetarit të komunës për shpalljen me interes të përgjithshëm publik të një prone, me qëllim të vazhdimit të ndërtimit të rrjetit të kanalizimit në qytet.
Në kuadër të mbledhjes u shqyrtua edhe raporti gjashtëmujor për të hyrat dhe shpenzimet e buxhetit të Komunës së Malishevës, për periudhën janar-qershor 2026.