Pas më shumë se tri javësh pauzë, Kuvendi i Kosovës pritet të mblidhet sërish më 20 gusht, në orën 11:00, për të vazhduar përpjekjet për konstituim. Seanca vjen pas publikimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila urdhëroi që zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të bëhet përmes votimit të hapur, brenda një afati prej 30 ditësh dhe me maksimum tri tentativa për të njëjtin kandidat. Megjithatë, pavarësisht këtij vendimi, pritshmërisë për arritjen e një marrëveshjeje mbeten të ulëta. Lëvizja Vetëvendosje ka konfirmuar se do ta propozojë sërish Albulena Haxhiun për postin e krye parlamentares, ndërkohë që opozita nuk ka shprehur gatishmëri për kompromis. Deputeti i LVV-së, Arbër Rexhaj, tha për Radion Evropa e Lirë se nëse kandidatura e Haxhiut dështon edhe pas tri tentativave, partia do të shqyrtojë hapat e mëtejshëm, por shprehu shqetësim për kufizimin që vendimi i Kushtetueses vendos mbi të drejtën për propozim. Sipas tij, në rast se LVV dështon ta zgjedhë kryetarin e Kuvendit brenda afatit kushtetues, e drejta për të propozuar kalon te subjektet e tjera politike, çka mund të ndikojë në deformimin e vullnetit të qytetarëve të shprehur në zgjedhjet e fundit, ku kjo parti doli fituese me 42.2% të votave.
