Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar një deklaratë zyrtare në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë, duke theksuar se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte lëvizje legjitime për liri dhe të drejta të njeriut. Në tekstin e deklaratës thuhet se kërkesa e Prokurorisë së Specializuar për dënime të rënda ndaj drejtuesve të UÇK-së paraqet rrezik për shtrembërimin e historisë, duke barazuar, sipas Kuvendit luftën çlirimtare të një populli me krimet e regjimit serb ndaj popullatës civile në Kosovë. Kuvendi shpreh mbështetje të plotë dhe të pakushtëzuar për ish-liderët e UÇK-së, duke i cilësuar si përfaqësues të aspiratave për liri dhe vetëvendosje, ndërsa u bën thirrje Dhomave të Specializuara, komunitetit ndërkombëtar dhe institucioneve të drejtësisë që procesi të jetë i drejtë, i paanshëm dhe të mos cenojë dinjitetin e luftës çlirimtare. Në deklaratë rikujtohet gjithashtu se lufta në Kosovë u zhvillua në kushtet e spastrimit etnik dhe krimeve të regjimit të Millosheviçit, ndërsa ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 konsiderohet si konfirmim i legjitimitetit të asaj lufte. Kuvendi shpreh solidaritet me popullin e Kosovës dhe paralajmëron angazhim diplomatik për mbrojtjen e së vërtetës historike në forumet ndërkombëtare.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
