Kuvendi ratifikon kredinë prej 60 milionë eurosh për “Prishtina 2030”

Me 95 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim, e cila parasheh një kredi prej 60 milionë eurosh për renovimin dhe zgjerimin e kampusit të studentëve të Universitetit të Prishtinës, në kuadër të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”.

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, gjatë prezantimit të marrëveshjes në Kuvend, ka dhënë detaje për projektin dhe mënyrën se si do të përdoren mjetet financiare.

“Projekti synon të rinovojë dhe zgjerojë infrastrukturën e kampusit të studentëve të Universitetit të Prishtinës, pjesa te konviktet, si dhe të rinovojë dhe ndërtojë objekte sportive në institucione të ndryshme arsimore përreth hapësirës së konvikteve. Projekti do të sjellë përfitime për studentët, duke mbështetur njëkohësisht organizimin e Lojërave Mesdhetare që do të mbahen në vitin 2030 në Prishtinë. Si rrjedhojë, pra, gjatë zhvillimit të lojërave, kampusi i studentëve do të shërbejë përkohësisht si fshati i atletëve, ndërkaq objektet sportive të shkollave përreth do të përdoren si qendra stërvitore për atletët. Përtej Lojërave Mesdhetare, projekti është i dizajnuar për të vendosur një trashëgimi të qëndrueshme për studentët e Universitetit të Prishtinës, si dhe banorët e qytetit”, ka thënë Murati.

Duke folur për strukturën financiare të marrëveshjes, Murati ka bërë të ditur se vlera e kredisë është 60 milionë euro, ndërsa ekziston mundësia për përfitimin edhe të një granti shtesë.

“Sa i përket strukturës së financimit, vlera e kredisë që pritet ta financojë këtë projekt është propozuar që të jetë 60 milionë euro, me mundësi të fitimit edhe të një granti shtesë investiv në vlerë prej 10 milionë eurosh të tjera”, ka bërë të ditur Murati.

 

Kontrolloni gjithashtu

Haradinaj: Kemi bërë disa gabime, por ligji për Specialen duhet të votohet në dy lexime

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se Aleanca do ta …