LDK sulmon Rizvanollin për paralajmërimin e rritjes së importit të rrymës: “Matematika e sakrificës, dështim në planifikim”

Deklarata e ministres në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli, se importi i energjisë elektrike do të rritet gjatë këtij dhe vitit të ardhshëm për shkak të ndaljes disa mujore të blloqeve të KEK-ut, ka nxitur reagime kritike nga opozita. Zyrtarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri, e ka quajtur këtë qasje si “Matematika e Sakrificës alla Vukvendosje”, duke akuzuar qeverinë për mungesë planifikimi dhe menaxhim të dobët të sektorit energjetik. Në një reagim publik, Ymeri tha se njësia B2 nuk ka funksionuar për 154 ditë dhe se kapaciteti shtesë prej 35 megavatësh, i përmendur pas rikthimit, sipas saj, është i papërfillshëm krahasuar me kohën e humbur. Ajo theksoi se kjo sasi energjie, sipas vlerësimit të saj, do të mund të sigurohej përmes investimeve alternative në energji me erë apo solare. Ymeri kritikoi edhe mënyrën se si është menaxhuar periudha e modernizimit të B2, duke thënë se zëvendësimi i prodhimit vendor me import do të duhej të ishte planifikuar paraprakisht dhe jo të ndodhte, siç u shpreh ajo, “çdo ditë pa plan”. Sipas saj, kostoja e importit ka arritur në rreth 259 milionë euro në vit, ndërsa ngriti dyshime edhe për përfituesit e tregtisë së energjisë, duke përmendur kompani që, sipas saj, janë pjesë e hetimeve.

Kontrolloni gjithashtu

Diplomacia e Kosovës në vakum: vizita paralele, pa koordinim e pa lobim aktiv në SHBA

Zhvillimet e fundit diplomatike kanë nxjerrë në pah një tablo të paqartë dhe të fragmentuar …