Ledian Cikalleshi: 100 vjet më parë, prej 24 shkurtit deri më 12 mars të vitit 1923, mbajti punimet Kongresi i parë Mysliman Shqiptar II

Ledian Cikalleshi: 100 vjet më parë, prej 24 shkurtit deri më 12 mars të vitit 1923, mbajti punimet Kongresi i parë Mysliman Shqiptar I

100 vjet më parë, mes datave 24 shkurt – 12 mars të vitit 1923, mbajti punimet Kongresi i parë Mysliman Shqiptar, i cili do të merrte vendimin më të rëndësishëm për 100 vitet e ardhshme, atë të shkëputjes de facto dhe de jure të Komunitetit Mysliman Shqiptar nga shejhul islami i Stambollit. Prandaj, ky përvjetor shënon një datë të rëndësishme për Komunitetin Mysliman të Shqipërisë dhe jo vetëm.

Por, çfarë ndodhi 100 vjet më parë dhe si rrodhën ngjarjet deri në këtë datë të shënuar dhe cila ishte jehona e këtij kongresi?

Kontributi i klerikëve myslimanë shqiptarë në shpalljen e pavarësisë 28 nëntor 1912 dhe largpamësia e tyre

Faktori mysliman ka qenë i rëndësishëm dhe vendimtar gjatë periudhës së rilindjes kombëtare deri në shpalljen e pavarësisë nga Ismail Qemali në Vlorë, më 28 nëntor 1912. Janë tri elemente esenciale që mundësuan bashkimin e shqiptarëve, myslimanë dhe të krishterë, por mbi të gjitha atë të faktorit mysliman: 1. Mbrojtja e gjuhës shqipe, e shkruar me shkronja latine; 2. Fetvaja e Flamurit nga H. Vehbi Dibra; 3. Aprovimi i idesë së shkëputjes, mëvetësisë nga Perandoria Osmane dhe Kalifati.

Në rrëfimet e tij, Hafiz Ali Korça, në veprën e tij “Shtatë ëndrrat e Shqipërisë”, i cili ishte persekutuar nga xhonturqit për shkak të mbrojtjes që i bënte mësimit të gjuhës shqipe me shkronja latine dhe i dënuar me vdekje prej tyre, pasi arrin të sigurojë amnistinë në Stamboll, rrëfen për një takim me ministrin e brendshëm të kohës xhonturk, Talat Pashain, kur ky i fundit orvatej t’ia trajtonte çështjen si kauzë fetare, duke i thënë se “po le shkronjat e Kur’anit dhe do marrësh shkronjat latine”? Hafiz Ali Korça nuk bie në atë grackë, pasi fetarisht e kishte të qartë dhe i thotë: “Shkronjat e një gjuhe nuk kanë të bëjnë as me fenë, as me halifenë. Shkronjat janë vegla (mjete). S’janë as mumin (besimtare) as qafir (mohuese të fesë)”. Vendimet e mësipërme nuk ishin aspak të lehta, sepse kërkonin qartësi fetare, kthjelltësi mendimi dhe largpamësi. Kjo, sepse nuk bëhej fjalë vetëm për çështje politike, por kërkonin edhe interpretim fetar. Me plot gojë mund të themi se kjo largpamësi bëri zgjidhjen e këtyre dilemave dhe pranuan njëzëri se themeli i ekzistencës sonë kombëtare, është harmonia ndërfetare.

Organizimi i myslimanëve shqiptarë 1912-1923

Gjatë periudhës pas vitit 1912, klerikët atdhetarë myslimanë me aktivitetin patriotik që kryen, e radhitën veten midis personaliteteve politike e shoqërore dhe luftëtarëve të lëvizjes kombëtare. Shembull mjaft domethënës është fakti që i zgjedhur në krye të Pleqësisë (Senatit të parë shqiptar) Vehbi Dibra, i ngarkuar nga Kuvendi edhe me detyrën e Kryemyftiut të Shqipërisë, menjëherë filloi një veprimtari intensive për organizimin e institucioneve të bashkësisë islame, të institucionit të kadilerëve e të myftilerëve, të rolit e të detyrave të tyre, ngritjen e organizmit të sherive etj.

Por, një vendim kaq i rëndësishëm për jetën dhe të ardhmen e shtetit të ri mbeti pa jehonën e duhur, sepse nuk u konfirmua nga regjimi i Vidit dhe Lufta e Parë Botërore nuk lejoi zbatimin e tij.

Në vazhdim të sqarimit të këtij problemi, duhet të theksojmë se që në vitet 1916-1917, ndonëse periudhë lufte, u bënë disa hapa të rëndësishme për organizimin dhe strukturimin e fesë islame në vendin tonë. Në këtë kohë u bë ristrukturimi i institucionit të Gjyqit të Naltë të Sheriatit, që është një ngjarje shumë e rëndësishme e kohës.

Kështu, në një raport që i dërgohej Vjenës nga Shkodra në prill të vitit 1917, mbi çështjen kulturore e konfesionale në Shqipëri, bëhej e ditur se në Shkodër në tetor 1916 për drejtimin e gjyqeve të sheriatit qe krijuar Gjyqi i Naltë i Sheriatit, i përbërë nga kryemyftiu Vehbi Dibra dhe dy anëtarë, kryesekretari dhe dy shkrues. Në këtë dokument gjejmë të shprehur qartë se në vitin 1917 qe hartuar një “Parashkresë e përkohshme për organizimin e sherisë në Shqipëri”, duke na ndriçuar kështu faktin se organizimi dhe funksionimi i Sherisë në vendin tonë është bërë qysh nga viti 1917. Parashkresa, për të cilën bëhet fjalë, përbëhej prej 43 nenesh dhe deri në vitin 1923 ka luajtur rolin e statutit që mori formë të plotë me mbledhjen e Kongresit Islamik. Sipas saj, në krye të Bashkësisë Islame në Shqipëri si dhe të Sherisë gjendej Myftiu i Përgjithshëm (Kadiu i Kadive) dhe nën drejtimin e varësinë e tij ishin të gjithë hoxhallarët dhe gjyqtarët e nëpunësit e tjerë të sherisë. Për t’u theksuar është se sipas nenit 18- të të një “Parashkrese”, vazët dhe këshillat apo predikimet duhet të mbaheshin në gjuhën shqipe dhe arabe, t’u përgjigjeshin nevojave të kohës dhe të qeverisë. Po kështu, edhe vendimeve gjyqësore do t’u bashkëngjitej gjithmonë edhe një përmbledhje në gjuhën shqipe.

Kryemyftiu apo Gjyqi i Naltë kishte nën kontroll edhe të gjitha vakfet etj. Një vendim i rëndësishëm ishte heqja nga hutbet e xhumasë e lutjes për Sulltanin apo Halifen e Myslimanëve, ku përmendej emri dhe bëhej lutje për të. H. Vehbi Dibra si Myfti e Përgjithshëm, njëkohësisht edhe kryetar i Këshillit të Sheriatit, u dërgonte në qershor të 1917-ës një qarkore zyrave të sherive në qarqe, ku tërhiqte vëmendjen dhe urdhëronte që t’u jepej fund këtyre praktikave: “Tue qenë se sot Shqipëria është një shtet më vete dhe nuk ka ndonjë të përpjekur shtetëror me qeverinë turke të luturat të mos bëhen në gjuhën turke, por në shqip dhe sulltani të mos përmendet si mbret i vendit tonë”.

Kongresi i parë Mysliman Shqiptar, 24 shkurt-12 mars 1923

Kongresi i parë Mysliman Shqiptar përfaqëson një ngjarje të rëndësishme jo vetëm për jetën fetare, shoqërore të Shqipërisë, por edhe për jetën historikopolitike e kombëtare të popullit tonë.

Klerikët atdhetarë dhe opinioni publik, pas formimit dhe sidomos pas konsolidimit të shtetit shqiptar, përmes organeve të shtypit e ngrinin me forcë këtë problem dhe kërkonin nga organet shtetërore dhe qeveritare ndihmë për të siguruar shkëputjen nga qendra të ndryshme të besimeve fetare, të cilat shpesh kishin punuar apo edhe vijonin të punonin në dëm të çështjes kombëtare shqiptare, në radhë të parë, kundër bashkimit kombëtar të shqiptarëve. Mbledhja e parë e Kongresit apo e Kuvendit Mysliman, siç u quajt ndryshe, u mbajt në Tiranë më 24 shkurt 1923, në ndërtesën e shoqërisë “Djelmënia dibrane” në Rrugën e Dibrës, dhe mbylli punimet më 12 mars të vitit 1923.

Ajo u hap me fjalën e Vehbi Dibrës, Kryemyftiut të parë të Shqipërisë, të caktuar nga Qeveria e Vlorës fill pas Shpalljes së Pavarësisë. Fjalët e H. Vehbi Dibrës do të bëheshin lajtmotivi i veprimtarisë së ardhshme të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë në marrëdhënie me besimtarët myslimanë dhe me besimet e tjera të vendit tonë. Vehbi Efendiu theksoi karakterin liberal e demokratik të fesë islame, e cila i ka hapur lirisht portat për diskutimin e lirë të gjitha problemeve që i interesonin botës myslimane: “… dera e mejtimit të ixhtihadit (pikëpamjeve) nuk asht e mbyllun dhe jemi gati për me i mejtue disa çashtje fetare se me ndërrimin e kohës, ndërrojnë edhe gjykimet”. Siç shihet, një nga organizatorët dhe drejtuesit kryesorë të këtij Kongresi e kishte ideuar dhe konceptuar këtë tubim jo si një mbledhje të zakonshme të organizmave të bashkësisë islame në Shqipëri. Ai vinte në dukje me një koncept të qartë dhe të gjerë të detyrave që qëndronin përpara bashkësisë islame në Shqipëri. Kryemyftiu dhe ndjekësit e tij vinin në Kuvend me një koncept bashkëkohor të masave dhe të vendimeve që duheshin marrë nga delegatët në Kongres. Në të gjithë këtë konceptim, ata kishin mirë parasysh pozicionin e Shqipërisë në Evropë.

Kryemyftiu i Shqipërisë u theksonte edhe njëherë delegatëve të Kongresit gjendjen fetare të vendit dhe detyrat e besimtarëve për të vënë mbi gjithçka, gjë që e vlen të theksohet, bashkimin kombëtar pa dallim besimi e, madje, vëllazërimin kombëtar të të gjithë shqiptarëve.

“Sikurse e dini zotëria juaj, popullsia e Shtetit tonë përbahet prej tre elementësh, d.m.th. mysliman, katolik dhe ortodoks, po në pikëpamje të kombësisë në mes kemi një vllaznie të plotë e të patundshme, e nuk mund të thuhet e të kuptohet asnjë send që e tund këtë vllaznie të plotë. Çashtja e fesë asht nji çashtje e posaçme e secili asht i lirë për me sigurue forcimin e fesë së vet”. Si pikënisje dhe si pikë referimi të gjithë veprimtarisë politike, shoqërore dhe, kuptohet, edhe fetare të shqiptarëve në kohët më të reja, atdhetari i mirënjohur Vehbi Dibra merr fitoren e madhe historike të shqiptarëve në Kuvendin e Vlorës me Shpalljen e Pavarësisë, të ripohuar, të përforcuar dhe të kurorëzuar edhe njëherë në Kongresin e Lushnjës.

Caktimi për të referuar Vehbi Dibrës nuk duhet të jetë i rastit, jo vetëm pse ai ka qenë pjesëtar aktiv i Kuvendit të Vlorës, por sepse qe zgjedhur edhe kryetar i këtij Kuvendi historik e më pas edhe kryetar i Senatit të dalë prej tij. Për çështjen që po flasim ka rëndësi fakti i emërimit të Vehbi Dibrës si kryemyfti i Shqipërisë dhe i Vejsel Nailit si kryekadi i Shqipërisë. Në këtë Kongres morën pjesë delegatë nga e gjithë Shqipëria. Ai ka hyrë në historinë e zhvillimit të Islamit në Shqipëri, veç tjerash, edhe për dy evenimente të rëndësishme: a) Duke shpallur mëvetësimin e Xhamisë Shqiptare, preu de facto dhe de jure, të gjitha llojet e lidhjeve me kalifatin; b) Themeloi Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, që në të ardhmen do të merrte në dorë, nëpërmjet administratës që ngriti, interpretimin teologjik dhe rregullimin administrativ të të gjitha çështjeve islame në Shqipëri.

Në zbatim të vendimeve të Kongresit të parë islam, u themelua Komuniteti Mysliman i Shqipërisë dhe, sikurse në të gjitha rrethet e tjera të vendit, edhe Myftinia e Tiranës. Në fakt, institucionet e fesë islame në Shqipëri kanë ekzistuar që kur u islamizua vendi, por këtu është fjala të inkuadruara në strukturat e Komunitetit Mysliman të sapoformuar. Në Tetor të vitit 1923 fillon botimin revista e parë zyrtare e Komunitetit Mysliman e titulluar “Zani Naltë” për t’u mbyllur në vitin 1939. Në të vërehen tonet patriotike dhe atdhetare të shkruesve që lanë shënimet dhe shkrimet e tyre. Në vitin 1924, u hap dhe filloi vitin e parë shkollor Medreseja e Tiranës. Në Statutin e vitit 1923 nuk bëhet fjalë shprehimisht për shkëputjen e Bashkësisë Islame Shqiptare, të sapoorganizuar, nga Kalifati dhe Meshihati i Stambollit. Një fakt i tillë, me sa duket, nënkuptohej, ose, më mirë të thuhet, as nuk diskutohej, përderisa në këtë Statut nuk bëhej fjalë, gjithashtu, për kurrfarë lidhjeje fetare organizative me Stambollin, as me Kalifatin dhe as me shejhul’islamin. Gjithë organizimi dhe funksionimi i kësaj Bashkësie ishte menduar i pavarur nga ndonjë qendër tjetër fetare e huaj, cilado qoftë ajo.

Me këtë pozicion ruhej, si të thuash, ajo status quo, ajo gjendje e krijuar që para 11 vjetësh, pas Shpalljes së Pavarësisë, me vendimin e Qeverisë së Vlorës për emërimin e Vehbi Dibrës Kryemyfti i Shqipërisë. Ky vendin qe konsideruar, jo pa të drejtë, si shkëputje atëherë e xhamisë shqiptare nga Stambolli.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Forcat armike ndërmarrin ofensivë në tërë territorin e Kosovë të përfshirë në luftime. Në mbrojtje të pozicioneve tona në Gradinë bien pesë dëshmorë. Forcat serbe nuk arrijnë të depërtojnë në Rrafshnaltë. (E diel 18 prill, 1999)

Ahmet Qeriqi: Forcat armike ndërmarrin ofensivë në tërë territorin e Kosovë të përfshirë në luftime. Në mbrojtje të pozicioneve tona në Gradinë bien pesë dëshmorë. Forcat serbe nuk arrijnë të depërtojnë në Rrafshnaltë. (E diel 18 prill, 1999)

Herët në mëngjes jemi zgjuar në befasi nga breshëria tejet e akorduar dhe e gjith …