Ledian Cikalleshi: 100 vjet më parë, prej 24 shkurtit deri më 12 mars të vitit 1923, mbajti punimet Kongresi i parë Mysliman Shqiptar II

Ledian Cikalleshi: 100 vjet më parë, prej 24 shkurtit deri më 12 mars të vitit 1923, mbajti punimet Kongresi i parë Mysliman Shqiptar II

Si u pritën vendimet e Kongresit?

Vendimet që priteshin të merreshin dhe që u morën në atë Kongres, u konsideruan si kthesë rrënjësore e Islamit në vendin tonë dhe, për këtë, ai u vlerësua pa mëdyshje. Sado që shkalla e informimit rreth punimeve të këtij Kongresi nuk qe, siç del nga shtypi, në lartësinë e duhur, lajmi për vendimin e tij kryesor të shkëputjes së xhamisë shqiptare nga shejhul islami, u prit kudo me miratim dhe me entuziazëm të theksuar nga gjithë opinioni publik shqiptar, pavarësisht nga besimi. U përshëndet nga të gjithë banorët e vendit tonë, duke u shndërruar në një festë të vërtetë, në të cilën morën pjesë banorë pa dallim besimi dhe, sipas rastit, autoritetet qendrore apo ato lokale.

Sipas shtypit shqiptar të kohës rezulton se shpallja e mëvetësisë së xhamisë shqiptare bëri përshtypje dhe pati jehonë të madhe në popullin tonë. Në shumë qytete të Shqipërisë, me këtë rast u bënë manifestime. “Kryetari i Komunitetit Mysliman të Korçës”, shkruante “Zëri i popullit” i datës 17 mars 1923, “mori një telegram nga Kongresi Mysliman i Tiranës, me anën e të cilit lajmërohej se u proklamua autoqefalia e xhamisë shqiptare. Atë ditë u bë ceremonia e festimit dhe u përshëndet me topa. Banda e bashkisë tërë mëngjesin e së enjtes luajti copëra muzikale në oborrin e medresesë, ku priteshin vizitat e zyrtarëve dhe të popullit. Në emër të Komunitetit ortodoks vizituan Myftininë kryetari i Këshillës së Lartë Kishtare, Per. At Vasil Marko, dhe Hirësia e tij Peshkopi Jerotheos, në emën të Qeverisë, Prefekti, Z. Suma, me gjithë personelin e prefekturës; në emnin e popullit përshëndeti kryetari i Bashkisë, Z. V. Avram, me anëtarët e Këshillës; nga ana e tregut Z. Ballauri me këshillin e grupit tregtar dhe një shumicë e madhe populli”.

Manifestime të tilla u bënë edhe në qytete të tjera. Nuk duhet lënë pa u theksuar se gjithçka që u bë në lidhje me Islamin në vendin tonë gjatë kësaj periudhe, deri në Kongresin Islamik të 1923-it, mban vetëm vulën e liderëve fetarë të vendit, sepse pas 1912 Shqipëria nuk ka pasur asnjë lidhje apo kontakt zyrtar me Kalifatin. Me vendimet e këtij Kongresi dështoi edhe ndonjë orvatje e atëhershme për krijimin e një komiteti panislamik në Shqipëri, mendim që për shumë kënd, që i njihte Shqipërinë dhe shqiptarët, ka qenë i paimagjinueshëm qysh në kohën kur është shfaqur. Në një këndvështrim më të plotë, rëndësia e mëvetësisë së xhamisë shqiptare qëndron një rrafsh më të gjerë, jo vetëm kombëtar, por edhe ndërkombëtar. Kjo sepse, me sa dihet, përbën rastin e parë dhe të fundit të shkëputjes të një bashkësie islame nga Kalifati. Shembullin e saj nuk arriti ta ndiqte asnjë xhami tjetër, sepse pas një viti Mustafa Qemal Ataturku e abrogoi postin e kalifit dhe të institucionit të tij.

Rëndësia historike e Kongresit të parë Mysliman

Kongresi i parë Mysliman ka një rëndësi shumë të madhe historike për vendin tonë. Kjo, për disa arsye: 1. Në një kohë kur shteti shqiptar kishte filluar të konsolidohej pas Kongresit të Lushnjës dhe Konferencës së Paqes në Paris, një çështje e rëndësishme për të ruajtur unitetin kombëtar ishte që komunitetet fetare të kishin mëvetësinë nga institucionet jashtë kufijve të vendit. Pikërisht këtu del në pah edhe vlera e këtij kongresi. Myslimanet e Shqipërisë si feja që kishte shumicën e popullsisë dhe përfaqësuesit e tyre ishin të parët që e morën këtë hap historik. 2. Myslimanët e Shqipërisë treguan se kishin pjekurinë e mjaftueshme për të marrë vendime fetare të pjekura dhe te kuptonin shumë mirë dallimin mes çështjeve politike dhe fetare. Ata e vlerësuan se çështja e mëvetësisë se institucionit nuk ishte largim nga feja, por ishte në dobi të vetë myslimanëve shqiptarë për të mos u përdorur politikisht nga jashtë kufijve duke përdorur fenë. 3. Klerikët myslimanë shqiptarë treguan se ishin mjaft fleksibël në gjykimin e çështjeve, por njëkohësisht të palëkundur kur bëhej fjalë për një parim fetar. Fjala vjen, disa vite më vonë, qeveria ndërmori një reformë për heqjen e ferexhesë nga fytyra e grave, ata e mbështetën qeverinë e Zogut në këtë reformë, por nuk pranuan në asnjë mënyrë që të vihej në diskutim çështja e heqjes së shamisë, pasi kjo ishte detyrim fetar.

Sfidat aktuale të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë pas viteve 1990

Tranzicioni i këtij institucioni ka qenë mjaft i vështirë, sepse vitet e 1990 e gjetën të zeruar në çdo aspekt, duke qenë se regjimi komunist i kishte dhënë një goditje fatale. Aspekti kombëtar në traditën e këtij institucioni ishte sfida më e madhe, që ia vështirësoi ringritjen, duke qenë se historikisht prijësit fetarë të tij kanë qenë dhe janë shqiptarë. Mirëpo, plejada e ndritur e prijësve myslimanë ishte shuar prej kohësh dhe kjo solli jo pak sfida ndër vite për Komunitetin Mysliman. Komuniteti Mysliman i Shqipërisë – KMSh, sot mbart një barrë të jashtëzakonshme në një kohë sfidash të mëdha institucionale.

Problemi më i madh mbetet moskthimi i pronave të shtetëzuara nga regjimi komunist, gjë e cila për vite të tëra ka sjellë vartësi ekonomike nga shoqata dhe fondacione të ndryshme. Qeveritë, pavarësisht premtimeve, sillen indiferente ndaj këtij procesi sa delikat aq edhe jetik për institucionin. Kjo është sfida më jetike e këtij institucioni, pasi ata që nuk e duan një komunitet mysliman shqiptar të pavarur këtë pikë po përdorin për ta gjunjëzuar. Komuniteti Mysliman i Shqipërisë njëkohësisht ka një rol të rëndësishëm institucional në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit social, edukativ, moral dhe të bashkëjetesës ndërfetare. Janë këto arsye, që shpesh e kanë bërë këtë institucion të jetë në qendër të vëmendjes në momente kyçe dhe historike për rolin që mbart. Një Komunitet Mysliman i lënë pa përkrahje e ka të vështirë të kontribuojë në parandalimin e këtyre sfidave globale që kanë prekur dashje pa dashje edhe vendin tonë, ndërsa një KMSH e konsoliduar në të gjitha aspektet është një garanci më shumë për një zë të rëndësishëm dhe kontribuues në shoqërinë shqiptare. (Autori është myfti i Zonës së Korçës)

 

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Në mbrojtje të pikës më strategjike të Rrafshnaltës Te Shkëmbi i gradinës kanë rënë dëshmorë: Islam Kastrati, Mentor Morina, Halim Bajraktari, Ramadan Bytyçi dhe Mentor Gashi E hënë 19 prill, 1999

Ahmet Qeriqi: Në mbrojtje të pikës më strategjike të Rrafshnaltës Te Shkëmbi i gradinës kanë rënë dëshmorë: Islam Kastrati, Mentor Morina, Halim Bajraktari, Ramadan Bytyçi dhe Mentor Gashi (E hënë 19 prill, 1999)

Sot moti ka filluar të përmirësohet. Qysh në orën 9.00 të mëngjesit janë lëshuar në …