I nominuari për kryeministër nga partia Vetëvendosje, shefi i saj, Albin Kurti ka drejtuar kritika ndaj partive opozitare dhe Gjykatës Kushtetuese. Ai ka theksuar se konstituimi i Kuvendit është zvarritur për më shumë se katër muaj për shkak të ankesave nga partitë opozitare në Gjykatën Kushtetuese. Shefi i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka shtuar më tutje se shumica e gjyqtarëve të Kushtetueses janë emëruar në kohën e PAN-it dhe kjo ka ndikuar që vendimet të mos merren me kohë. “Edhe shumë absurde, edhe shumë e dëmshme. Që nga fillimi e deri te zgjedhja e Dimal Bashës kryetar, pra nga katër muaj e gjysmë, prej mesit të prillit deri në fund të gushtit, janë vonesa prej Gjykatës Kushtetuese. Një muaj e gjysmë kanë vonuar për ta trajtuar ankesën e AAK-së, pastaj atë të PDK-së dhe LDK-së. Pra, dy të tretat e kohës na i ka marrë Gjykata Kushtetuese. Opozita orë e çast atje, a e dini pse? Sepse 5 nga 7 gjyqtarë të saj janë zgjedhur në vitin 2018, në kohën e PAN-it dhe Listës Serbe. Ne i fituam 3 herë zgjedhjet, ata mbetën sërish në Gjykatë, thuajse është ende viti 2018” ka theksuar shefi i partisë Vetëvendosje, Albin Kurti.
