Ligjëratë për orientim në karrierë dhe fuqizimin e vajzave në STEM në SHFMU “Ahmet Hoxha” në Ferizaj

Komuna e Ferizaj, përmes Zyrës për Barazi Gjinore dhe Drejtorisë Komunale të Arsimit, organizoi një ligjëratë ndërvepruese me nxënësit dhe nxënëset e SHFMU “Ahmet Hoxha” me temën “Orientimi në Karrierë, Shkollat Profesionale dhe Vajzat në STEM”.

Qëllimi i kësaj ligjërate ishte që të rinjtë të informohen për rëndësinë e orientimit të hershëm në karrierë, duke u njohur me mundësitë që ofrojnë shkollat profesionale dhe me perspektivat që ofrojnë profesionet në fushat STEM (Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë).

Përmes diskutimeve interaktive, shembujve frymëzues dhe prezantimit të historive të suksesit të grave në fushat STEM, nxënësit dhe nxënëset u inkurajuan të ndjekin ëndrrat dhe potencialin e tyre, duke zgjedhur profesionin që u përshtatet më së miri, pa u ndikuar nga stereotipat gjinorë. Në veçanti u theksua rëndësia e përfshirjes së vajzave në fusha teknologjike dhe shkencore, duke promovuar barazi dhe mundësi të barabarta për të gjithë.

Ky aktivitet u realizua në kuadër të Planit Lokal të Veprimit për Barazinë Gjinore (PLVBG), me përkrahjen e projektit Gender Equality Facility, të financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga UN Women.

Mesazhi kryesor i aktivitetit ishte se profesionet nuk kanë gjini dhe se shkollat profesionale ofrojnë mundësi reale për zhvillim dhe punësim në të ardhmen.

Komuna e Ferizajt falënderon stafin dhe menaxhmentin e shkollës SHFMU “Ahmet Hoxha”, si dhe drejtoreshën Ganimete Konjufca për mikpritjen dhe bashkëpunimin në realizimin e këtij aktiviteti me rëndësi për të rinjtë dhe të ardhmen e tyre profesionale.

Kontrolloni gjithashtu

U bënë homazhe në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Prekaz dhe në Kompleksin e Dëshmorëve në Marinë

Në kuadër të shënimit të Epopesë së UÇK-së, sot u bënë homazhe në Kompleksin Memorial …