‘Liria ka Emër’ përshëndet Deklaratën e Kuvendit të Shqipërisë: Mbështetje e fuqishme për pafajësinë e liderëve të UÇK-së”

Platforma “Liria ka Emër” ka përshëndetur Deklaratën e miratuar sot nga deputetët e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë lidhur me pafajësinë e ish-liderëve të UÇK-së. Përmes një njoftimi për media, platforma e cilëson këtë veprim si një hap të rëndësishëm politik dhe institucional në mbrojtje të së vërtetës historike dhe të luftës çlirimtare të popullit të Kosovës. Në reagim shprehet mirënjohje për gatishmërinë e treguar nga institucionet e Shqipërisë për t’u angazhuar diplomatikisht dhe politikisht në forumet ndërkombëtare, me qëllim që, siç thuhet, të mos cenohet e vërteta mbi luftën e UÇK-së dhe drejtësia të zbatohet në mënyrë të paanshme. Sipas njoftimit, deklarata e Kuvendit thekson se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një lëvizje legjitime dhe përfaqësuese e aspiratave të popullit për liri, dinjitet dhe vetëvendosje, në përputhje me parimet ndërkombëtare. Po ashtu, aty nënvizohet se lufta e UÇK-së nuk mund të barazohet me krimet e regjimit serb dhe se kërkesat e Prokurorisë në Hagë rrezikojnë shtrembërimin e historisë. Në deklaratë kërkohet që gjykata speciale,  komuniteti ndërkombëtar dhe institucionet e drejtësisë ndërkombëtare të sigurojnë një proces të drejtë e të paanshëm për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, duke respektuar dinjitetin e luftës çlirimtare. Platforma “Liria ka Emër” falënderoi gjithashtu qytetarët, organizatat dhe grupet shoqërore brenda dhe jashtë vendit për mbështetjen dhe angazhimin e vazhdueshëm në kauzën për drejtësi të paanshme.

Kontrolloni gjithashtu

Nasim Haradinaj: Specialja përdor frikësimin dhe kërcënimin, kërkesa për 45 vjet burg shkel drejtësinë

Ish-nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka kritikuar ashpër Prokurorinë e Specializuar në Hagë për qasjen …