leoni

Llazar Llazari: Duke kujtuar Luftën Antifashiste Nacional- Çlirimtare dhe dëshmorët e saj I

Llazar Llazari: Duke kujtuar Luftën Antifashiste Nacional- Çlirimtare dhe dëshmorët e saj I

Të ndjehesh i lidhur me luftën 

 Unë e bashkëmoshatarët, i përkasim brezit që lindi në kohë lufte. Vite më pas kur filluam të kuptojmë e të kemi kujtesë, të parat gjëra që dëgjuam e na u ngulitën në mendje, ishin ngjarjet e luftës, luftime të zhvilluara për-rreth, djegie e raprezalie, vrasje të pafajshmish, largime përtej malit e rikthime, internime… Ngado mbetje të luftës që ende vrisnin. Predha e granata që tërhiqnin vëmendjen e fëmijëve. Makina të shkatërruara, samarë e kapistra mushkash, arka municionesh, kundragazë, etj.

Më shumë na flitej për të rënët, për dëshmorët, për Borovën e djegur e rrafshuar me gjithë 107 banorë të të gjitha moshave, për viktima të pafajshme, për grabitje bagëtish, ushqimesh e drithi…

Por emrat e Mehmet Pepit e Pali Priftit, janë ndër të parët e skalitur në kujtesë. Dy djem të rinj, të shkolluar, njëri në normalen e Elbasanit e tjetri në gjimnaz, filluar në Shkodër e përfunduar në Tiranë. I pari nga Starja atdhetare fqinje dhe tjetri djalë i Rehovës së dëgjuar në krahinë  për shumëçka. U radhitën  në të njëjtën anë, të forcave   antifashiste,  në  atë  të  luftës me armë e   pa  kompromis kundër pushtuesit, në rrugën e lirisë e të përparimit. Shokë idealesh e lufte, por dhe me fund të përbashkët. Rënie në betejë, në të njëjtin vend, në të njëjtën datë e orë, për të njejtin qëllim, në luftë me të njëjtët kundërshtarë, me pushtuesit gjermanë dhe bashkëpuntorë të tyre… 

Rehovarët nuk i ndanë asnjëherë Mehmetin e Palin, kur kujtonin e flisnin për ta. Kur përkujtonin ditën e rënies, 27 gusht 1944, vetëm pak muaj para çlirimit të plotë të vendit. Nuk i ndanë as në lapidarin e gurtë, ngritur e kushtuar të dy dëshmorve në vitet menjëherë pas çlirimit.

Vendi i gurit Rehova. Dhe mjeshtrat e punimit të tij, zgjodhën e gdhendën një gur të vetëm. Me atë ngjyrën gri karakteristike si të zallit pranë, ku ata ranë, në rrëzën e shpatit të Gramozit. Lapidari, atje në fundin e sheshit para shkollës, qëndroi për dekada si roje e lirisë dhe e dijes. Lapidar i gurtë në formën e një piramide, i lartë, i fortë, qëndrestar… Ne të vegjëlve na dukej sikur ishte prej shekujsh atje, si i mbirë nga toka, si pjesë e fshatit e shpirtit të tij, për të mos harruar luftën e sakrificat.

Kam qënë nxënës i babait të Pali Priftit, i të nderuarit mësues të dritës së diturisë që me prindërit tanë,  miku i Fan Nolit në Boston, atdhetarit Kiçon Prifti. E unë nuk e harroj kurrë portretin dhe fjalën e tij, dhimbjen e forcën e tij, kritikat por dhe humorin e tij. Nuk harroj eskursionet e para te vendi i rënies së dy dëshmorve, ku na fliste me lot në sy babai i Palit dhe mësuesi ynë i nderuar. Ai fliste për të dy si baba dhe të dy i konsideronte djem. Ata u rrethuan nga dhjetra forca naziste e xhandaro-balliste.

Ishin katër partizanë. Edhe një i pestë, djaloshi i parritur Vasil Jorgji nga Rehova, që u kishte çuar disa ushqime atë ditë. Ata së pari menduan pikërisht për atë djalë. E vendosën në një vend të mbrojtur dhe e mbuluan me gurë që të mos dallonte nga zalli.  Do të dilte vetëm pasi të mbaronte përplasja me armë. Pastaj u ndanë dy e dy e morën drejtime të ndryshme. Kuptohet për të mos rënë të katërt… Dhe ashtu ndodhi. Dy shpëtuan, Sotir Qirjaqi e Xhoke Prifti dhe dy ranë duke luftuar, Mehmeti e Pali, siç dihet tashmë… 

Lapidari kushtuar dëshmorëve u bë i ri në hyrje të fshatit te sheshi “Mani“, por i pari vetëm nga një gur, si i mbirë nga toka, qëndron e dëshmon përsëri në krye të Rehovës. Atje, paksa mbi rrugë, para shtëpisë së doktorit stomatolog të njohur, Filip Zoto, që kujdeset po me atë respekt e nderim, si gjithë banorët në dekada…

  Bijë dëshmorësh… 

Në mesin e viteve 50-të, ishim në shkollën unike, siç quhej atëherë ‘7 vjeçarja‘ në qytetin e Ersekës.  U zgjerua njohja, u rritën dijet, u shtuan shokët…  Ndër ta edhe  jo pak bij  dëshmorësh të luftës, si Gëzimi nga Starja; Guri, Leka e Lluka nga Gostivishti;  më pas Stiliani në Korçë e vite më vonë Aveniri nga Berati, Namiku nga Gjirokastra, Simoni nga Poda… Kishin humbur babanë në luftë. Shumica as që arritën ta njihnin e t’i mbanin mend fytyrën… U mungonte në familje shtylla e shtëpisë siç thuhej rëndom në ato kohë. Por ishte dashuria e të gjithëve, ajo që e plotësonte sado pak boshllëkun e madh të mos qenies së babait… Kishin të drejtë të ndjeheshin krenarë, por e them me bindje që ishin njëlloj si shokët, të thjeshtë, dashamirës e të shkuar me të gjithë…  Më pas studiuan, dolën në jetë, u bënë të zotët e me emër të mirë. Duhet nënvizuar: Jo thjesht nga përkrahja politike. Por së pari, se trashëgonin cilësitë më të mira të familjeve të tyre, të baballarëve të tyre

Për sejcilin mund të shkruash gjatë, por po ndalem tek një histori mbresëlënëse, që e kam njohur nëpërmjet shokut tim Avenir Aleksi me origjinë nga Vokopola e Beratit… Më janë gdhendur në kujtesë rrëfimet e tij…

Babai Josif Aleksi, ishte i shkolluar, atdhetar e demokrat që nga koha e Fan Nolit kryeministër. Antimonarkist e pas pushtimit të vendit nga ushtria fashiste e Duçës, një antifashist i papërkulur… Sa filloi rezistenca ndaj pushtuesit, ai ishte ndër të parët në krahinën e Beratit. Partizan e deri zv\komandant batalioni në ushtrinë N Çl. Në një nga përpjekjet me pushtuesit  në  dhjetor  1943,  humbi  jetën  e  iu  shtua radhës  pambarim   të  dëshmorëve  të  këtij  trualli  në shekuj. Nuk do flas  për kontributet para e gjatë luftës.

Nuk do të përshkruaj si luftoi e ra dëshmor…  Do të ndalem te diçka tjetër e jetës së tij, që flet më shumë se faqe të tëra për thelbin e figurës e karakterit të tij si njeri por dhe si atdhetar…  Ishte martuar që para mesit të viteve 30-të. Në harkun e gati një dekade ishte bërë me katër fëmijë, tre djem e një vajzë. Më ka bërë përshtypje vendosja e emrave të fëmijve.  Djalin e parë e quajti Aleks, siç thirrej babai i tij. Emri i Lekës së Madh…  Vajzën e vetëm pas tij e quajti Liri. Emër a fjalë që e vlerësonte para çdo gjëje në jetë dhe ja vlente të sakrifikoje.  Djalin e dytë, Avenir, që shprehte ‘të ardhmen‘ për të cilën ai ëndërronte e punonte. Dhe djalin e tretë, Flamur, si ‘simboli i kombit‘ të tij që aq shumë e deshi…  Çfarë emra domethënës, pavarësisht nga feja që i përkiste, apo koha për të cilën flasim…

Një burrë shtëpie, që la gruan me katër fëmijë fare të vegjël dhe rrëmbeu pushkën kundër pushtuesit të huaj. Mund të rrinte mënjanë në punën e hallet e tij, por jo. Nuk pyeti për sakrificat, për pasojat, për jetën.  Ai luftoi e ra dëshmor për ato ‘emra‘!..  Dha gjakun për më të dashurit e shpirtit, për fëmijët e tij që i mbartnin ato emra. Por  edhe  për kuptimin  e tyre, për çka përfaqësonin e transmetonin ato fjalë si nocione filozofike e historike: “Liri“, “Avenir“(e ardhme)“, “Flamur“…

Shokun e mikun tim Avenir Aleksi, djalin e këtij dëshmori, e njoh prej gjashtë dekadash. Sot në moshë mbi të tetëdhjetat, ai jeton pranë vajzave në Spanjë. Jeta e tij ka qënë mjaft e pasur, si mësues e kuadër drejtues i arsimit në rreth, në administratën shtetërore e punonjës shkencor në Institutin e Gjeografisë pranë Akademisë, pedagog në fakultetin ekonomik e gjetkë. Por këto nuk janë objekt i këtij shkrimi…  Po ndalem shkurt edhe te diçka tjetër, që flet përsëri aq shumë.  Tre-katër vjet pas humbjes së babait në luftë, më ka treguar Aveniri, na ndodhi gjëma e dytë më e madhe. Humbëm edhe nënën e dashur ku gjenim ngushëllimin. Ishin vite tepër të vështira për të gjithë. Po për ne katër fëmijët jetimë nga të dy prindërit, akoma më të vështira, do të thosha të paimagjinueshme. Përfunduam në shtëpitë e fëmijës e në konvikte, madje të ndarë nga njeri-tjetri. Sigurisht na ndihmuan shteti e njerëzit, por dhe vuajtëm jo pak. E përsëri ia dolëm, studiuam në shkolla, ndërtuam jetët tona, familjet tona, u bëmë njerëz dinjitozë. U bëmë përsëri një familje e madhe…  Kuptohet edhe për të përmbushur ëndrrën e babait.

       Një histori e pazakontë që s’do harrohet kurrë 

Në fillim të viteve 80-të të shekullit të kaluar, u ngrit në Rehovë një tjetër lapidar prej betoni e granili, më i madh dhe në një vend që takohesh me të sa hyn në fshat. Lapidari për Mehmetin e Palin, por  edhe për Azbi Shehun. Ishte nga Gjirokastra por luftoi e ra në Rehovë, në një përplasje me gjermanët. Pikërisht në krye të fshatit. U plagosën edhe gjashtë partizanë të tjerë të Batalionit ‘Hakmarrja‘ e u zu i gjallë, më i riu e më i dashuri i tyre, Ahmet Bektashi nga Starja.  Është ai pionieri partizan, në atë tregimin e famshëm të të mirënjohurit shkrimtar  Naum Prifti, që komandanti gjerman, para 30 fshatarëve të lidhur e rreshtuar për ekzekutim, i kërkonte të pohonte që fshati ishte i lidhur me ta, që i ndihmonte e ushqente. Ai nuk pranoi. Më pas ia hidhte kapelën në tokë e i thoshte ta shkelte se do t’i falej jeta. Por ai e merrte dhe e vinte përsëri në kokë. Gjermani ia hidhte përsëri e ai po përsëri e vinte në kokë. Dhe fundi dihet… Nazisti i nervozuar sa s’ka, nxorri revolverin nga këllëfi dhe e qëlloi djaloshin. Edhe pse ende një fëmijë, ai u vra barbarisht, por me qëndrimin që mbajti, shpëtoi nga plumbi fshatarët… Komandanti gjerman urdhëroi lirimin e tyre.

Ja dhe një detaj në dukje i vogël, por që në kohën kur është shkruar tregimi nuk përmendej. E rrëfenin fshatarët dhe ka domethënien e tij… Pikërisht ky gjerman pasi e qëlloi, qëndroi disa çaste para trupit të pajetë të djaloshit. Sigurisht me një ndjenjë të dyzuar, sa të një oficeri të pashpirt  nazist e njëherësh pse jo dhe të një njeriu normal… Ndoshta me pendesë që qëlloi mbi një fëmijë me trimëri burri. E shprehu jo me fjalë. Kur iku nuk hezitoi ta nderonte ushtarakisht trupin e pajetë të partizanit të vogël. S’mund të mos e vlerësonte atë akt të rrallë qëndrese e trimërie nga një djalosh i parritur.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Në mbrojtje të pikës më strategjike të Rrafshnaltës Te Shkëmbi i gradinës kanë rënë dëshmorë: Islam Kastrati, Mentor Morina, Halim Bajraktari, Ramadan Bytyçi dhe Mentor Gashi E hënë 19 prill, 1999

Ahmet Qeriqi: Në mbrojtje të pikës më strategjike të Rrafshnaltës Te Shkëmbi i gradinës kanë rënë dëshmorë: Islam Kastrati, Mentor Morina, Halim Bajraktari, Ramadan Bytyçi dhe Mentor Gashi (E hënë 19 prill, 1999)

Sot moti ka filluar të përmirësohet. Qysh në orën 9.00 të mëngjesit janë lëshuar në …