Luan Myftiu: Mirë politikanët, po mileti pse grindet?

Edhe pse janë zgjedhur për të vendosur kryesisht rendin e qetësínë, ka politikanë që nuk rrojnë dot pa krijuar vetë sherre dhe konflikte. Dhe, grinden aq sinqerisht sa duket sikur këtë e kanë ushqim shpirtëror. Mirëpo, meqë kacafyten edhe me njerëz të urtë, mileti ka filluar t’ua besojë ankesat. Prandaj, nëpër klube dhe dyqane, në shkolla, palestra dhe vende parkimesh, dëgjohen grindje për shkak të politikanëve. Shpesh i sheh njerëzit të ndarë në dy grupe: të majtë dhe të djathtë. Problemi kyç që kanë është përcaktimi i fajtorit.


Secila palë gjen argumente për të akuzuar palën tjetër. Të majtët janë më agresivë, jo vetëm pse udhëhiqen nga parimi që sulmi është mbrojtja më e mirë, por edhe ngaqë kanë më pak fakte bindëse. Të djathtët, që ndonëse janë të mërzitur nga mundja, shfaqen më tolerantë. Mirëpo, vjen një çast që dhe këta nuk përmbahen.


Dhe, sherri fillon nga e para. Grinden të rinj, pleq, sportistë, balerinë, të papunë, emigrantë të kthyer, poetë, shitës, samarxhinj etj. Gati të gjitha kategoritë shoqërore grinden. Por, sherri shpërthen i zjarrtë sidomos pas çdo seance parlamentare, që përfundon me sharje banale. Por, dhe pas çdo debati televiziv, ku të ftuarit e të dy krahëve flasin njëkohësisht dhe nuk kuptohet se cila ka të drejtë.


Por, ka dhe që akuzojnë të dy krahët e politikës. Ka intelektualë, ish-funksionarë, madje dhe ndonjë filozof. Ka njerëz të ditur, të cilët kërkojnë rrënjët e këtij konflikti, ashtu siç ka dhe militantë që nuk duan t’ia dinë për shkaqet e vërteta të grindjeve. Sidoqoftë, njerëzia çuditen tek shohin goxha burra të dalin nga klubet të skuqur në fytyrë dhe me këmishët e dala nga pantallonat, duke u sharë si rrugaçë. Gjen mes këtyre sherrxhinjve edhe psikologë, që e shpjegojnë kacafytjen e politikanëve si nevojë psikike, meqë nuk kanë ç’të diskutojnë! Se, ka politikanë, thonë ata, që mirëkuptimi u krijon ndjesinë e monotonisë, sepse u duket si parazitarizëm komunist!


Ka që kultura e komunikimit u duket hipokrizi! Se nevoja për grindje nuk u lind ngaqë kanë halle, a pse janë në fukarallëk. Pse nuk janë realizuar mjaftueshëm në jetë, a pse nuk i kanë kënaqur ambiciet e tyre! Jo, përkundrazi! Ka mes tyre që janë dhe me kulturë, të kamur e me pozitë, të kënaqur me veten dhe shoqërinë. Shkurt, ka mes tyre njerëz që nuk dinë se ç’t’i kërkojnë më tepër jetës. E, megjithatë, nuk u rrihet pa krijuar konflikt, pa sajuar sherr, grindje, pa kryer kacafytje, po dhe sharje, madje me fjalë banale!


“Po pse, bre, të grinden, amani, na e thoni, se plasëm”, klithin njerëzit. Një mjekrosh ngrihet nga karrigia dhe flet si në auditor: “Për mua, zotërinj, gjithmonë fajtorë janë fitimtarët! Këta lypset të jenë më tolerantë”! “Jo”, ulëriti një trashaluq me xhaketë ushtarake. “Të mundurit duhet të ulin kokat”! Dhe sherri shpërthen nga e para, derisa të gjithë i merr uria dhe largohen të lodhur një e nga një.


Por, prapë, pasi mendohen gjithë natën, ia nisin të nesërmen sherrit me një pasion, që habit madje dhe ndonjë deputet i cili ndodhet rastësisht në klub. Mirëpo, ndonjëherë sherrxhinjtë e klubeve mërziten aq shumë nga “gër-mër”-et e politikanëve, sa luten t’i fitojë zgjedhjet kushdo, madje edhe pala kundërshtare. Vetëm t’u çlodhen ca kohë veshët. Mirëpo, prapë u zhgënjyen se, ndonëse të majtët fituan, sherrxhinjtë profesionistë iu sulën të djathtëve: “Pse qeveria në ikje harxhon paratë e shtetit?”; “Pse po krijon ‘gropë të zezë’ në buxhet?!”: Pse? Pse? Pse? E, megjithatë, asnjëri nuk e përcakton dot shkaktarin e vërtetë të sherrit.


Një ditë një filozof u hodh e tha se politikanët janë ca mitomanë, apo ca të sëmurë nga kompleksi i inferioritetit! “Jo”, u hodh një shqiptar i amerikanizuar. “Të majtët janë mendjemëdhenj, që nuk çmojnë as fitoret që arrijnë!? Janë, pra, të pakënaqur të përjetshëm! Madje, me revanshin që kanë nisur, ka rrezik të qahen, edhe kur të nisin qeverisjen e vendit! Se këta po kërkojnë revansh, kur zgjedhjet i kanë fituar? Merre me mend sikur t’i humbasin zgjedhjet lokale”! More, mos ka mes tyre që nuk e durojnë individualizmin e të djathtëve? Që i trishton antikomunizmi i tyre pasionant? Që tërbohen nga mosvlerësimi i kontributit të ‘qoftëlargut’?! Mos, vallë, prandaj nisin e sajojnë shpifje kundër të djathtëve dhe familjarëve të tyre? I akuzojnë këta për krijim mbretërie familjare, i shpallin diktatorë modernë, a primitivë anadollakë?


More, po ç’duan më tepër, xhanëm? Ndaj miletit fillon t’i duket normale, kur dhe të djathtët ia nisin sherrit. Se dhe durimi ka një kufi! Ndaj, sapo nisin të shajnë të majtët, u sulen menjëherë të djathtët! U kujtojnë biografinë dhe lidhjet e hershme familjare me bllokmenë, postet e baballarëve dhe gjëmat e tyre; nënshtrimin ndaj kryetarit të ri dhe nostalgjinë për diktaturën etj. U kujtojnë nihilízmat, shpifjet, sajimin e krizave artificiale, kur qenë në opozitë etj. Dhe sherri merr flakë, sa njerëzit kujtojnë se do të bëhet nami.


Ndaj, të nesërmen mediat japin lajmin se diku janë kacafytur disa qytetarë. Që një plaku i kish dalë proteza nga goja duke sharë të djathtët. Por, kjo ndodhi u harrua, ngaqë të nesërmen u hap lajmi se qenë grindur dy plaka, të cilat ishin dhe krushka. Qenë kapur të dyja nga flokët për ndershmërinë e deputetëve të tyre. Njëra për të majtin, tjetra për të djathtin. Dhe, shkaku ishte prona. Asnjëra nuk kish marrë pronën e trashëguar, ndaj secila akuzonte palën tjetër si shkaktare të moskthimit. Grindja shkoi aq keq, sa iu desh policisë të ndërhynte. Por, plakat nuk lëviznin nga e tyrja. Në fund, një oficer i Policisë u detyrua t’i merrte për krahu e t’i mbante sa të qetësoheshin në rajon. Po si mund t’i mbante dy plaka në një stol prej dërrase? Tentoi t’ua zgjidhte konfliktin me mirëkuptim. U çudit kur i dëgjoi të akuzonin deputetët e krahëve të kundërt. Kujtoi se grindeshin për pronat e vetë deputetëve, ndaj mori në telefon diku dhe mësoi diçka, që e shpëtoi nga halli. Dikush i kish thënë se të dy deputetët në fjalë i kishin marrë pronat e tyre! Kur ua tha këtë lajm plakave, ato mbetën me gojën hapur. “Si?!”, klithën të dyja të turpëruara. Dhe njerëzia i pa tek ecnin për në shtëpi të menduara…

Kontrolloni gjithashtu

Sejdi Veseli

Sejdi Veseli: URANIUMI I VARFËRUAR DHE NDOTËSIT E TJERË RREZIK SERIOZ PËR KOSOVËN

Po mbushen tetë vete të plota nga përfundimi i luftës së armatosur kundër shkelësve të …