Kandidati për Kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka mbajtur fushatën në qytetin e Gjilanit. Gjatë fjalimit para qytetarëve, Abdixhiku u ndal te çështja e infrastrukturës rrugore, duke premtuar përfundimin e autostradës së Anamoravës. Ai tha se ky projekt ka mbetur pas dore dhe është neglizhuar nga Qeveria në detyrë. Sipas tij, autostrada e Anamoravës përfaqëson një projekt me rëndësi strategjike kombëtare dhe lidhet drejtpërdrejt me zhvillimin ekonomik dhe barazinë territoriale. Abdixhiku theksoi se ndërtimi i saj nuk duhet parë si projekt periferik apo çështje elektorale. Ai deklaroi se, në rast se LDK-ja merr përgjegjësinë qeverisëse, përfundimi i kësaj autostrade do të trajtohet si prioritet dhe synohet të realizohet brenda dy viteve të para të qeverisjes.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
