Malisheva e përgatitur për korrjen e grurit

Drejtoria Komunale për Bujqësi në komunën e Malishevës, i ka bërë të gjitha përgatitjet për fushatën e korrje shirjeve të këtij viti. Kështu u bë e ditur në mbledhjen e rregullt të së hënës, të Këshillit të Drejtorëve, e cila është drejtuar nga nënkryetari i Komunës së Malishevës, Rexhep Mazreku. Po ashtu në këtë mbledhje u bë e ditur se korrjet kanë filluar, por janë ndërprerë për shkak të motit. Sipas drejtorit të Drejtorisë për Bujqësi, Murat Hoxha, kjo drejtori i ka bërë të gjitha përgatitjet për fushatën e korrje shirjeve, ku është formuar edhe shtabi për mbikëqyrjen e kësaj fushate. Hoxha tha se “rendimentet e pritura janë 4000 kilogram për një hektar, ndërsa të mbjella me grurë janë 3895 hektarë”. Edhe Drejtoria e Inspektoratit, ka bërë të ditur se kanë filluar me mbikëqyrjen apo inspektimin e mullinjve të cilët do ta pranojnë grurin  e këtij viti. Përndryshe, në këtë mbledhje u tha se është duke u vazhduar me realizimin e projekteve sipas planifikimeve, ndërsa gjatë këtij viti, pritet të hyjnë në funksion edhe katër objekte të reja shkollore. Sa i përket shkollave, Drejtoria për Arsim dhe Edukim, përkatësisht drejtori Avdi Morina, tha se krahas regjistrimit të nxënësve, janë duke u bërë edhe përgatitjet tjera për fillimi e vitit të ri shkollor 2017-2018. Përgatitje janë duke u bërë edhe për mbajtjen e Festivalit Tradicional të Folklorit “Oda e Llapushës”. Këtë e ka bërë të ditur drejtoresha e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Blerta Krasniqi, sipas së cilës çdo gjë po shkon mirë dhe festivali do të mbahet ashtu sikur edhe është i planifikuar në ditët e para të gushtit, në kuadër të shënimeve me rastin e “Ditëve të Mërgatës”. Ardhja e mërgimtarëve për pushime në vendlindje, bën që të ketë edhe fluks më të madh të atyre që kërkojnë shërbime komunale, dhe për këtë shkak, sipas drejtorit të Drejtorisë së Administratës, Hajrullah Mazreku, “janë të përgatitur për këtë fluks të qytetarëve tanë, të cilët kërkojnë shërbime dhe pjesa e mërgatës do të vazhdoj të mbetet prioritet, për ofrimin e shërbimeve, në mënyrë që mërgimtarët të mos kenë asnjë lloj vonese për çdo lloj dokumenti që kërkojnë”.

Kontrolloni gjithashtu

Smajl Latifi: Sot, në 25-vjetorin e rënies heroike, në Zatriq, përkujtuam dëshmorët e kombit Visar Hotin e Safet Latifin

Sot, në 25-vjetorin e rënies heroike, në Zatriq, përkujtuam dëshmorët e kombit Visar Hotin e …