“Marshi i Lirisë” në Gllogjan e Maznik, nderohen heronjtë e rënë për Atdheun

Në një ngjarje përkujtimi dhe krenarie kombëtare, në Gllogjan dhe Maznik janë zhvilluar homazhe në nder të 27-vjetorit të rënies së heronjve Shkëlzen Haradinaj, Luan dhe Fatmir Nimanaj, Hasim Halilaj, si dhe 21-vjetorit të rënies së luftëtarit të lirisë Enver Haradinaj. Në këtë përvjetor të rëndësishëm, ish Komandanti i UCK-së në ZOD, njëherit kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, së bashku me bashkëluftëtarë, familjarë dhe qytetarë, mori pjesë në homazhe dhe në aktivitetin simbolik “Marshi i Lirisë”, që u zhvillua nga Kulla e Dëshmorëve në Gllogjan deri në Maznik, te lapidari i heronjve. Haradinaj vlerësoi lart sakrificën e dëshmorëve, duke theksuar se ata ishin luftëtarë të sypatrembur që u shndërruan në mburojë për popullin dhe atdheun në momentet më të vështira të luftës. “Pavdekësia e tyre ecën përkrah lirisë, thirrjes së së cilës i qëndruan gjithmonë gatitu”, u shpreh ai, duke shtuar se kujtimi për ta mbetet udhërrëfyes për brezat që vijnë. “Marshi i Lirisë” u përshkua nga shumë pjesëmarrës, duke simbolizuar rrugën e sakrificës dhe idealit për liri, ndërsa nderimet për dëshmorët u shndërruan në një mesazh uniteti, respekti dhe përkushtimi ndaj vlerave të luftës çlirimtare. Me këtë përkujtim, u rikujtua edhe një herë se heroizmi i tyre mbetet themel i lirisë dhe shtetndërtimit të Kosovës, ndërsa amaneti i tyre vazhdon të jetojë në ndërgjegjen kolektive të popullit.

Kontrolloni gjithashtu

Enver Hoxhaj: Serbia avancon me SHBA-në, Kosova humb terren diplomatik nga qasja e Qeverisë Kurti

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka kritikuar ashpër politikën e jashtme të Qeverisë …