Mbi 12 mijë raste penale janë parashkruar në Kosovë gjatë pesë viteve të fundit, duke nxjerrë në pah dobësi serioze në sistemin e drejtësisë dhe duke ngritur pikëpyetje të mëdha për efikasitetin institucional. Sipas të dhënave nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, nga viti 2020 deri më 2024, gjithsej 12 mijë e 215 persona i kanë shpëtuar ndëshkimit për shkak të vjetërsimit të lëndëve. Vetëm gjatë vitit 2024 janë parashkruar 2 mijë e 375 raste, përfshirë edhe 17 aktakuza të ngritura për krime të rënda. Megjithatë, pjesa dërrmuese e rasteve i përket Departamenteve të Përgjithshme, duke reflektuar një ngecje të theksuar në trajtimin e çështjeve bazike penale. Trend i ngjashëm vërehet edhe në vitet paraprake: 2 mijë e 50 raste në vitin 2023, 3 mijë e 80 në vitin 2022 – që shënon kulmin e dështimit – dhe mbi 2 mijë raste në secilin prej viteve 2020 dhe 2021. Edhe pse numri i rasteve të krimeve të rënda të parashkruara është më i vogël, fakti që edhe këto lëndë kanë vjetërsuar ngre shqetësime serioze për funksionimin e drejtësisë. Veçanërisht alarmuese mbetet se dhjetëra raste janë parashkruar që në fazën e hetimit, çka tregon për zvarritje të papranueshme dhe mungesë efikasiteti në punën e prokurorisë dhe institucioneve tjera të drejtësisë. Për më tepër, në raportet zyrtare mungon një vlerësim i dëmit financiar që këto raste të parashkruara mund t’i kenë shkaktuar buxhetit të shtetit, duke e bërë edhe më të paqartë koston reale të këtij dështimi institucional.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
