kek
mbpzhr 2018
valamobile
Airport Adem Jashari
MIT
akp deri me 5 maj
Fillimi / Dëshmorët / Bedri Fazli Ahmeti (1.8.1969 – 24.3.1999)
Bedri Fazli Ahmeti (1.8.1969 - 24.3.1999)

Bedri Fazli Ahmeti (1.8.1969 – 24.3.1999)

Badri Ahmeti ka lindur në fshatin Llapashticë të rajonit të Llapit. Shkollën fillore e kryen po në fshatin e lindjes, ndërsa shkollën e mesne në Besianë (ish-Podujevë), për teknik elektrik. Me mbarimin e shkollës së mesme shkon në shërbimin e detyrueshëm ushtarak, për të mos e patur pengesë për të ardhmen, pasi qysh në atë moshë, tregon i ati i tij, e kish paramenduar se nuk kish të ardhme të sigurt pos emigrimit ekonomik. Shërbimin ushtarak e mbaron në Beograd, e në Gornji Millanovac të Serbisë, ku bëri 6 muaj kurs për teknik ndërlidhje, pasi shkolla e mesme që ai pat kryer afrohej me këtë lloj shërbimi në ushtri. Mirëpo, ngaqë Bedriu gjatë atyre 6 muajve nuk shoqërohej me ushtarë të kombësive të tjera, por veç me shqiptarë dhe nuk pranon të bëhet bashkëpuntor i shërbimit sekret të ushtrisë, nuk e diplomuan, edhe pse ishte caktuar të kryente detyrën e zevendëskomandantit të togës së ndërlidhjes të kursit që e ndiqte. Me t’u kthyer nga shërbimi ushtarak, rregulloi dokumentacionin e nevojshëm dhe menjëherë shkoi në Gjermani, në Dizeldorf, ku punoi në profesion, ndërtimtari. Atje fitoi mirë, duke ndihmuar edhe familjen, pasi jo që nuk mund të jetonin vetëm me rrogën e babait si nëpunës në komunë në sektorin e mbrojtjes, por gjendja e tyre ekonomike u rëndua edhe më shumë kur Serbia bëri pushimet e dhunshme nga puna, një vit pasi Bedriu ishte larguar nga Kosova. Në Gjermani arrin të krijojë një firmë ndërtimi të veten, të cilën e plotëson vetëm me shqiptarë.
Gjatë tërë jetës së tij, Bedriu është dalluar për zell në punë, kërkues i rreptë ndaj vetes dhe të tjerëve, prandaj edhe kish autoritet dhe gëzonte respekt në shoqëri e sidomos në radhët e shokëve në luftë. Malli për Kosovën e brente gjithnjë, ndaj dhe telefononte shpesh në familje dhe mbante lidhje të rregullta me të. Madje, edhe për të lidhur jetën u pat kërkuar prindërve që të mund t’i rekomandonin për martesë një vajzë prej Kosove. “Or babë, kujton i ati i tij, vajza të mira, punëtore, të zgjuara dhe me shkollë ka edhe në Gjermani, por unë dua që fëmijët e mi të flasin shqip e të dëgjoj shqip se vetëm shqipja më qetëson kur kthehem nga puna”, – i kish thënë Bedriu kur kish ardhur herën e fundit në Kosovë për pushime, para se të vinte në luftë.
Dimë se në muajt maj – qershor 1998 në Kosovë rritja e radhëve të UÇK-së u realizua në formën e një bumi të madh dhe entuziazmoi tërë shqiptarët kudo që ata ndodheshin. Ndër këta idealistë shqiptarë emigrantë ishte edhe Bedri Ahmeti nga Llapashtica, i cili i ndiqte me shumë interesim dhe vëmendje, të gjitha ato ngjarje. Në fund të muajit korrik 1998, pasi kishin ndodhur luftimet në Rahovec dhe ushtria serbe ishte hedhur në ofensivë për të asgjësuar UÇK-në me çdo kusht, Bedri Ahmeti vendos të kthehet në Kosovë. Atëherë Kosova kish më shumë se kurrë nevojë për djemt e saj, përderisa shumë bashkëmoshatarë të tij ato ditë braktisnin Kosovën nga frika. Bedriu vetë i katërt lë emigrimin, lë rehatinë dhe luksin e Gjermanisë dhe vjen e futet në vullkanin e zjarrit shqiptar. Vetëm djemtë me dashuri të zjarrtë për mëmëdhenë dhe intelektin e nevojshëm për të analizuar situatat mund të delnin në atë kohë në përfundimin që doli Bedri Ahmeti se, UÇK-ja ato ditë kish nevojë për ushtarë dhe jo të largoheshin prej UÇK-së, sikundër patën bërë disa ish-oficerë shqiptarë të armatës jugosllave ato ditë të nxehta gushti. Në mesin e muajit korrik 1998, Bedriu niset dhe arrin në Durrës dhe në javën e parë të gushtit 1998 mbërrin në Kosovë, së bashku me Refik Shalën (Gjilanin), Agron Sulejmanin (sot dëshmor), Ali Prekazin dhe Vandamin, duke shkuar drejt e në Kaçandoll të Bajgorës, ku ndodhej ato ditë, shtabi i zonës së Llapit. Bedriu nuk shkoi fillimisht të takonte prindërit që e kishin rritur, por shkoi në repartin ushtarak të UÇK – së, pasi atje e kërkonte Atdheu. Ai ishte gati dhe e tregoi me prova se e falte dashurinë për prindërit, motrat dhe vëllezërit për Lirinë e Atdheut. Pas një jave shkoi një natë në shtëpi, u takua dhe u çmall me babanë, nënën Havën, vëllain, Bastriun, (të cilin e gjeti me armë e uniformë të UÇK-së e që shërbente në spitalin e zonës, i cili ishte ngritur fillimisht në shtëpinë e tyre) dhe me motrat Xhemailen dhe Ganimeten, edhe kjo luftëtare së bashku me vëllanë, duke mjekuar shokët e luftës, nën drejtimin e mjekëve luftëtarë Skënder Murati dhe Sami Shatrolli. Qysh me mbërritjen në Llap ai morri pjesë në luftime. Nuk i mungonin as njohuritë për të luftuar, as dashuria deri në ekstrem për Kosovën dhe as urrejtja kundër pushtuesit të egër e të pamëshirshëm.
UÇK-ja rifilloi ta rimarrë veten, atëherë kur të gjithë kujtonin se ajo mbaroi si rjedhojë e ofensivës serbe të verës e vjeshtës së parë të vitit 1998. Ishin Bedriu dhe shokët e tij që e ringritën UÇK-në. Pasi shumohen si luftëtarë, Zona e Llapit filloi të shtrihet gjithnjë e më shumë. Kështu, në tetor të vitit 1998, në Llapashticës vendoset një pikë e asaj zone, me komandant Bedri Ahmetin. Kur formacioni i Bedriut u shtua me luftëtarë, ai rendim luftarak u shndërrua në kompani dhe Bedriu emërohet komandant i saj, duke patur për zevendës Afrim Kadriun. Më vonë, kur kompania mbërriti shifrën prej 47 luftëtarësh, u ngrit edhe pika tjetër te Poterovit, pastaj në Llapashticën e Ulët e deri te Tabet e Llapashticës, ku kufizoheshin me Brigadën 152. Në muajt e parë të vitit 1999 ajo kompani përbëhej prej togës së parë të këmbësorisë, togës kundërajrore dhe asaj artilerike.
Ku nuk luftoi kompania “Ulpiana 39” me komandant Bedri Ahmetin, por luftimet më të ashpra ajo i kreu në Llapashticë, për mbajtjen me çdo kusht të Tabeve, duke bashkëvepruar edhe me forcat e brigadës tjetër. Luftimet më të ashpra kanë qënë ato të Dhjetorit 1998 dhe shkurtit 1999.
U mbyll Koferenca e Rambujesë. U mor vendimi që në luftë kundër Serbisë do të angazhohej edhe NATO – ja, por vetëm me goditje nga ajri. Në 23 mars 1998 Shtabi i Përgjithshëm i UÇK- së njofton gjithë ushtrinë se pas disa orësh aviacioni i NATO – s fillonte goditjet kundër ushtrisë sërbe në Kosovë si dhe në Serbi. Për këtë qëllim u dha porosia që ato forca të UÇK – së, që ndodheshin më afër se 500 m me forcat e armikut, të bënin kujdes që të ripozicionoheshin dhe ta rrisnin këtë distancë, për të mos u dëmtuar nga goditjet e aviacionit të NATO – s dhe të njoftonin për ripozicionimet e tyre. Kompania që komandohej nga Bedriu ishte më pak se 300 m afër forcave të armikut, ku gjatë gjithë kohës “përshëndesnin” njeri- tjetrin me plumba. Bedriu, me urdhër të komadës së tij eprore, e tërheq vijën e parë të forcave dhe vendoset te Zabeli i Behramit, por pa i ekspozuar forcat, me idenë për të siguruar largësinë e parrezikshme prej goditjeve të aviacionit që tash bëhej aleat i UÇK-së. Kjo tëheqje u bë gjatë natës duke aguar data 24 mars. Gjatë gjithë natës dhe paradites Bedriu e mbajti nën vëzhgim armikun, për të parë veprimet dhe lëvizjet e tij. Te pika e Zabelit ishte vendosur edhe Pika e Drejtimit e kompanisë. Qetësia dhe lëvizjet e fshehta të armikut e bënë Bedriun të dyshonte në veprimet e armikut dhe vendosi të afrohej, duke marë tre luftëtarë me vete dhe, në mesditën e datës 24 mars, shkon te pozicioni posht një lisi, në afërsi të Zabelit të Bahramit, për t’i vëzhguar, duke qënë i maskuar dhe për t’i parë më nga afër sërbët që të mund të realizonte zjarr të befasishëm me snaiperin e tij. Komandant Bedriu nuk e kish vlerësuar keq situatën. Armiku e kish hetuar lëvizjen e forcave çlirimtare dhe e kish kuptuar si tërheqje, ndaj dhe po lëvizte në fshehtësi për të përforcuar pozitat e veta.
Porsa Bedriu vuri sytë në thep – shqegzën e snaiperit, duke bërë kontrollin e territorit në drejtim të armikut, ushtarët sërbë që kishin dalë në krah të pozicionit ku shkoi Bedriu, duke kuptuar se ai po i shënonte ata, hapën zjarr në drejtim të tij. U ndez beteja, një me dhjetra. Snaiperisti arbëror qëllon në shenjë. Ushtarët armiq nuk guxonin të ngritnin kokën nga zjarri i Bedriut. Armiku e pa keq dhe menjëherë thirri në ndihmë fuqi më të madhe zjarri, por jo artileri, pasi ajo mund të asgjësonte forcat e saj. Erdhi “Praga”. Topi automatik kundërajror vetëlëvizës me katër gryka zjarri po bënte dyluftim me një snaiper me një tytë zjarri. Dyluftim i pabarabartë, katër gryka topi kundër një tyte snaiperi. Duke qënë i blinduar dhe vetëlëvizëse “Praga” u zhvendos disa herë, derisa doli te Tabet e Llapashticës dhe në distancë të afërt mundi të godiste në zemër luftëtarin Bedri Ahmetin. “Komandanti i kompanisë edhe kur u plagos, edhe kur e lanë fuqitë dhe pushoi së hapuri zjarr me mitraloz – tregon bashkluftëtari i tij në pozicion, Halim Potera – ai nuk po rrëzohej dhe unë kujtoja se ai ishte ende gjallë. Ashtu kujtonte dhe armiku. U desh që “Praga” të godiste e të rrëzonte degën e madhe të lisit e të binte ajo mbi komandantin tim. Vetëm atëhere komandant Bedriu rrëzohet përtokë. Atë kohë unë e mora vesh se komandanti u nda përjetësisht nga ne”, e përfundon bashkëluftëtari tregimin. Lisin e rrëzojnë vetëm lisat.
Shokët i dhanë lamtumirën e fundit aty, në afërsi të vendit ku ai ra, në afërsi të Zabelit të Bahramit dhe pas tre ditësh familja dhe shokët e rivarrosën te Varret e Perveticve, me qëllim që të mos mundej armiku ta diktonte dhe ta dëmtonte vendvarrimin e tij. Atje ndodhet edhe sot trupi i dëshmorit Bedri Ahmeti, i cili u martua në luftë por që nuk la trashëgimtar, pasi Kosova kërkonte liri dhe për atë ishte më e shtrenjtë të flinte me lirinë sesa me nusen e porsamartuar. (D. G.)

Kontrolloni gjithashtu

Fadil Vata - Shëmbëllim i shpirtit fisnik e i karakterit burrëror

Fadil Vata – Shëmbëllim i shpirtit fisnik e i karakterit burrëror

Fadil Vata 10.01.1962 – 25.04.1990 Po të mos kishte Kosova bij si Fadil Vata, pa ...