Mbrojtja optimiste për vendim lirues në Hagë, avokatët: Prokuroria s’arriti t’i provojë akuzat ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Teksa procesi gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po i afrohet fazës së vendimmarrjes, ekipi mbrojtës është shprehur optimist për një epilog pozitiv, duke vlerësuar se prokuroria nuk ka arritur të dëshmojë akuzat me prova bindëse. Pas përmbylljes së deklarimeve përfundimtare në rastin ndaj Hashim Thaçi dhe bashkëakuzuarve, avokati Skënder Musa deklaroi se gjatë gjykimit janë paraqitur prova kundërthënëse dhe se mungojnë prova materiale që do të mbështesnin pretendimet e prokurorisë. Sipas tij, në aspektin juridik bëhet fjalë për mungesë të provave thelbësore që do të vërtetonin elementet e veprave penale të pretenduara, duke shtuar se vendimi përfundimtar tashmë mbetet në dorën e trupit gjykues. “Pas analizimit të të gjitha provave dhe incizimeve nga seancat, trupi gjykues do të vendosë. Besoj që vendimi mund të jetë lirues duke pasur parasysh këtë gjendje, megjithatë vendimet nuk mund të paragjykohen”, u shpreh Musa. Ai kritikoi gjithashtu kërkesën e prokurorisë për dënim prej 45 vjetësh burgim, duke thënë se një kërkesë e tillë bie ndesh me parimet juridike dhe se një vendim lirues do të kishte rëndësi të madhe jo vetëm për të akuzuarit, por edhe për Kosovën në planin politik dhe ndërkombëtar. Ndërkohë, edhe avokati mbrojtës i Thaçit, Luka Mišetić, pas përfundimit të deklarimeve përmbyllëse u shpreh optimist për rezultatin, duke theksuar se pas dëgjimit të argumenteve të të dyja palëve, vendimi përfundimtar tashmë i takon trupit gjykues në Hagë.

Kontrolloni gjithashtu

Edita Tahiri: Marrëveshja për presidentin mund të krijojë stabilitet politik dhe bashkëpunim demokratik në Kosovë

Ish-diplomatja Edita Tahiri ka vlerësuar se arritja e një marrëveshjeje politike mes pozitës dhe opozitës …