Gjykata Speciale në Hagë ka shpallur 24 shkurtin si datën e fillimit të gjykimit në rastin e dytë ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Në këtë proces, përveç Thaçit, do të përfshihen edhe Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi. Sipas njoftimit të Speciales, faza e paraqitjes së provave nga Zyra e Prokurorit të Specializuar do të zhvillohet në një bllok të vetëm deri më 6 mars 2026, periudhë gjatë së cilës pritet të dëgjohen tre dëshmitarë kyç të prokurorisë. Hashim Thaçi ndodhet në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020 dhe aktualisht po gjykohet për krime lufte. Ndërkohë, vitin e kaluar atij iu ngrit edhe aktakuzë e re për administrim të drejtësisë. Sipas aktakuzës, Thaçi, individualisht dhe në bashkëveprim me disa grupe, Grupin Fazliu (Fadil dhe Fahri Fazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala, Artan Behrami) dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj, Vllaznim Kryeziu), dyshohet se ka ndjekur një model veprimesh për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre ligjore. Në këtë rast të ri, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar, tri akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
