Më 9 shkurt nisin deklarimet përmbyllëse, vendimi do të mbështetet në “peshën” dhe besueshmërinë e dëshmive

Gjykata Speciale në Hagë ka njoftuar se më 9 shkurt do të nisin deklarimet përmbyllëse në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, duke shënuar hyrjen në fazën përfundimtare të një prej proceseve më të gjata dhe më të debatueshme gjyqësore për Kosovën. Përmes një videoje përmbledhëse të publikuar së fundi, Specialja ka rikujtuar rrjedhën e procesit — nga konfirmimi i aktakuzës, paraqitja e provave nga Prokuroria, deri te dëgjimi i një numri të madh dëshmitarësh gjatë shqyrtimit gjyqësor. Sipas njoftimit zyrtar, pas deklarimeve përmbyllëse nga mbrojtja, trupi gjykues do të tërhiqet për vlerësime konfidenciale. Gjykata ka theksuar se në këtë fazë do të shqyrtohet me kujdes pesha dhe besueshmëria e secilit dëshmitar, si dhe çdo provë e paraqitur gjatë procesit  një formulim që lë të kuptohet se vendimi final do të varet jo vetëm nga sasia e materialeve, por nga cilësia dhe qëndrueshmëria e tyre. Procesi në Hagë ka qenë vazhdimisht objekt polemikash politike dhe publike në Kosovë, me kritika të përsëritura për kohëzgjatjen, masat e rrepta të paraburgimit dhe mënyrën e administrimit të provave. Nisja e deklarimeve përmbyllëse pritet të rikthejë edhe një herë debatin mbi standardin e drejtësisë dhe balancën mes përgjegjësisë individuale dhe narrativës së luftës së UÇK-së.

Kontrolloni gjithashtu

Kosova, Shqipëria dhe Kroacia thellojnë bashkëpunimin trepalësh në fushën e mbrojtjes

Në bazë të Deklaratës së përbashkët trepalëshe, të nënshkruar në vitin 2025 nga ministri i …