leoni

Me homazhe dhe nderime u shënua 22-vjetori i rënies se dëshmorit Mehedin Morina nga fshati Gllarevë e Klinës

Në fshatin Gexhë të Komunës së Rahovecit, me homazhe dhe nderime u shënua 22-vjetori i rënies së dëshmorit Mehedin Morina nga fshati Gllareva e Klinës, i pranishëm në këtë aktivitet ishte kryetari i komunës së Rahovecit Smajl Latifi, përfaqësues të OVL e UÇK-së, familjar dhe bashkëluftëtar të dëshmorit. Kryetari Latifi u shpreh se, sot është 22-vjetori i rënies heroike të luftëtarit sypatrembur, heroit Mehedin Morina nga Gllareva e Klinës. Kujtojmë se në pjesën e parë të majit 1998, lufta e armatosur për liri kishte marrë përmasa, ajo po shtrihej nga dita në ditë. Pas betejës së suksesshme të UÇK- së ndaj forcave serbe, e cila u zhvillua me 12 maj 1998 në Ratkoc, Malësi e Vogël, Vrajakë e Bërtatin, rrafshi i Anadrinisë u shndërrua në Zonë të Lirë. Në natën midis 13 dhe 14 majit 1998, luftëtarët e lirisë ishin në pozicione në Kodrën e Gradishit, e në mëngjesin e 14 majit, filluan luftime të ashpra të UÇK-së me forcat pushtuese serbe. Në njërën anë, armiku me makinerinë e luftës, me tankse e automjete të blinduara dhe me artileri rrihte pozicionet e UÇK-së, në anën tjetër, luftëtarët e lirisë, me armë të lehta, por me zemrën zjarr e me trimëri i rezistonin trimërisht pushtuesit. Solidariteti i popullit anadrinas ishte i jashtëzakonshëm, na mbështetën me gjithçka patën. Sot, njëherësh nderuam edhe kujtimin për martirët që ishin në mbështetje të UÇK-së: Bajram Himaj, Qamil Himaj, Zymer Morina nga Gexha dhe Imer Kajdomqaj nga Xërxa, të cilët u vranë nga forcat serbe. Atë ditë në luftime na erdhën në ndihmë edhe njësitet e UÇK-së nga Malisheva, Drenica dhe Klina. Porsi rrufeja arriti në arenën e luftimeve edhe veprimtari dhe luftëtari i paepur i çështjes kombëtare, MEHEDIN MORINA,  i cili e kishte braktisur Holandën, për të qenë në rreshtat e parë të çlirimtarëve. Ai erdhi për të vetmin qëllim: të luftonte për çlirimin e atdheut nga shkelësit sllavë. Luftëtarët e përkushtuar, siç ishte Mehedini, asnjëherë nuk e zgjedhin vendin ku do të luftojnë, nuk e dinë vendin se ku do të vriten, por një gjë e dinin mirë, për qëllimin dhe idealin e lirisë, luftojnë kudo dhe aty ku ka më së shumti ka nevojë për ta – pa i thirrur dikush, vijnë vetë. Mehedinin nuk e thirrëm, por ai erdhi sepse ia dinte plagët atdheut, të cilat ishin edhe plagë të tij të zemrës dhe të shpirtit. Rënia në detyrë e trimit nga Gllareva është vetëm një dëshmi, se lufta jonë bëhej për mbrojtjen dhe çlirimin e pragut të të gjitha shtëpive dhe familjeve shqiptare dhe çlirimin e bashkimin kombëtar. Ne bashkëluftëtarët e tij nga Anadrinia,  i përkulemi përjetësisht kujtimit dhe veprës së Mehedin Morinës, nderit dhe burrërisë që ai na la kujtim dhe amanet.

Kontrolloni gjithashtu

U asfaltua rruga në lagjen Veli-Miftari në fshatin Jezerc

Në komunën e Ferizajt u asfaltuan  mbi 1 kilometër rrugë në lagjen Veli-Miftari në fshatin …