Me Urdhrin ”Hero i Kosovës” Presidenti nderon pishtarët e lirisë, Nesimi Elshani, Halim Hoti, Agron Fetahu dhe Hilmi Krasniqi

Në një seancë solemne të Kuvendit Komunal, në kuadër të 21 vjetorit të Ditës së Çlirimit të Rahovecit me rrethinë, kryetari i komunës Smajl Latifi, iu ka dorëzuar vendimin e Presidentit të Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, Urdhërin: ”Hero i Kosovës”, familjarëve të viganëve të kombit tonë, pishtarëve të lirisë, Nesimi Elshani, Halim Hoti, Agron Fetahu dhe Hilmi Krasniqi, të cilët ranë gjatë demonstratave për liri, në Brestoc, më 27 janar të vitit 1990! Lufta e popullit shqiptar për liri e bashkim nuk ka pushuar ndër shekuj, sepse pushtuesit zëvendësonin njëri-tjetrin. E populli ynë luftoi e qëndroi për të mbijetuar në trojet e të parëve. Natyrshëm që kur ka luftëra e përballje me armiqtë e atdheut, atëherë domosdo ka edhe heronj. Në këtë vazhdë të qëndresës së vazhdueshme, bijat dhe bijtë e kësaj ane u mblodhën dhe me idealin e lirisë në gji u nisën drejt përjetësisë më 27 janar të vitit 1990. Marshi nisi nga Celina, ku Agron Fetahu i organizoi vetëm më të pjekurit për të kërkuar zëshëm që Kosova të jetë Republikë. Në Nagac e priste Nesimi Elshani, luftëtar i paepur i lirisë, që i organizuar në radhët e Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës, ju priu në ballë të kolonës masës së njerëzve të mllefosur me padrejtësitë e pushteti serbo-jugosllav. Plagët i mori në gjoks, sepse ai gjithmonë i vuri gjoksin furtunës sa herë që atdheu e kërkoi. Ata nuk ishin shumë. Krahas dëshirës së madhe për të qenë të lirë, kishin mësimet e vyera të profesorit e atdhetarit të nderuar Ukshin Hoti, që u bë simbol i rezistencës dhe frymëzues i masave të popullit. Rruga e tyre u ndërpre me zjarr e me hekur në Brestoc. Gjaku skuqi tokën e begatë, kurse jehona e krismave ushtoi në dekada. Sa shumë gjak u derdhë atë ditë. Ranë Nesimiu, Agroni, Ilmiu e Halimi, ndërsa u plagosën dhjetra të tjerë. Por, ai gjak nuk shkoi kot. Ata ishin të lidhur qetësisht me tokën e të parëve dhe gjakun që kjo tokë të pastër ua dha, të kulluar ia kthyen. E donin të ardhmen për fëmijët e tyre e për fëmijët e fëmijëve të tyre, por pa pushtuesin mbi kokë. I përgëzoj familjarët e Nesimi Elshanit, Halim Hotit, Agron Fetahut dhe Hilmi Krasniqit, për titullin e nderit që ju dorëzua sot, “Hero i Kosovës”. Ky titull nderi nuk e zhvlerëson punën, përkushtimin dhe sakrificën e dëshmorëve të tjerë, sepse rënia në fushë të nderit vetvetiu ka karakterin e madhështisë dhe se ata që ranë në mbrojtje të lirisë e dinjitetit njerëzor e kombëtar, meritojnë çdo nder e respekt. Të gjithë ata që u flijuan janë heronj dhe secili do ta ketë vendin e vet në histori. Familjarëve ju urojmë krenari e dëshmorëve lavdi të përjetshme! Ka thënë me këtë rast kryetari Latifi.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Latifi, priti në takim grupin koordinues për infrastrukturë sportive

Kryetari i  komunës së Rahovecit z. Smajl Latifi, priti në takim grupin koordinues për infrastrukturën …