Shaban, Adem dhe Hamzë Jashari

Mehmet Bislimi:  Epopesë së lavdishme të  Jasharajve

– I –

Adem Jashari

 

Kjo figurë markante që i përkiste Lëvizjes Popullore të Kosovës, ishte fjalë pak, ngase puna i fliste më shumë… nuk i duronte fjalamanët, ishte i përkushtuar, fjala e tij nuk kthehej mbrapsht, ishte i rreptë dhe i pa kompromis kur ishin në pyetje interesat e atdheut.

 

Natyra e kishte krijuar si të thuash të veçantë në mesin e njerëzve tjerë! Është trungu me rrënjë më autokton shqiptar, që interesave të atdheut nuk ua ktheu shpinën asnjëherë. Ademi, është vet liria, Ademi është Legjenda e lirisë së Kosovës, Ademi është miti hyjnor, është hyu i atdheut, që natyra ia ka falur shqiptarisë, Ademi është çmimi më i lartë i lirisë sonë!

 

Pamja e tij të ngjasonte me Gjergj Kastriotin, Zaharia Gropën, Gjergj Ballshën, Lekë Dukagjinin, Rrapo Hekalin, Zenel Gjolekën, Zeman Mashkullorin, Çerçiz e Bajo Topullin, kjo pasuri kombëtare, kjo figurë madhështore dhe e papërsëritshme e historisë sonë kombëtare, një prej dhuratave më të shtrenjta që na e dhuroi natyra!…

 

Ky portret, nuk të le indiferent, është portret i admirueshëm nga e gjithë bota liridashëse- edhe sot, provokon dhe le pa gjumë imagjinatën krijues të letrarëve, piktorëve, skulptorëve, poetëve, historianëve, filozofëve dhe strategëve të artit ushtarak… është figurë që mbushë sheshet me bronz, figurë që përflakë qiellin e lirisë sonë, figurë që shndritë rreze lirie gjithandej ku janë shqiptarët, një nder popujt më liridashës të këtij globi!

 

Ai i ka dhënë emër lirisë sonë, është zemra e tokës mëmë, pa te, këngët, baladat, pikturat, poezitë do të ishin më të zbehta, pa te bronzi, nuk do të kishte ku të derdhej, pa Ademin- Komandantin Legjendar të Ushtrisë  Çlirimtare të Kosovës, madhështia e shtatorëve do të ishte më e tkurrur, pa emrin e Ademit, sheshet do të ishin më të varfra, do të ishin më të zbehta. Pa Ademin liria e Kosovës nuk do të kishte fuqinë dhe kuptimin e sotme çlirimtar!
Emri dhe vepra e Ademit do jetojë përgjithmonë në zemrat tona, emri dhe shembëtira e tij, janë krenaria jonë kombëtare!

  • Ai ishte një kokë lua.
    Si ay, nuk lindë nëna ma!…

CH-04-03-2024
Mehmet Bislimi

– II –

Shaban Jashari

Shaban Jashari i përkiste Lëvizjes Nacional Demokrate Shqiptare, ai shumë herë më ka folur me admirim për figura të larta të NDSH-ës, me shpjegimin dhe besimin e patundur së Shqipëria do të bëhet dhe kthim mbrapa nuk ka!

Bacë Shabani ishte mësuesi i parë i atyre anëve, ishte mësues i popullit, ishte i përndjekuri i parë politik nga regjimi titist. Baca Shabani, ishte i nderuar kudo që shkonte, atë e priste balli i axhakut. Në kuvendet e burrave, këshillat e tij dëgjoheshin me shumë vëmendje. Bacë Shabani ishte shembulli më unik i flijimit në altarin e lirisë, ai është flamuri i atdheut, ai është Prometheu i Shqiptarëve të ditëve të sotme, ai ishte babai i aradhes së çlirimtarëve, ai ishte hero para së të binte për të mos vdekur kurrë!…

Bacë Shabani ishte bamirës, human dhe solidarë me zemër të madhe e gjithë familja e tij ishin të tillë. Secili shqiptarë që ka trokitur në derën e kullës së bacë Shabanit, nuk është kthyer asnjë herë mbrapsht. Bacë Shabani ka qenë në gjendje që atdhetarëve në nevojë, tua jap edhe kafshatën e bukës nga sofra e tij…

 

Shaban Jashari  ishte ndër nikoqirët me të kamura të asaj kohe dhe të atyre anëve, ishte nderë shtëpitë më bujare të Drenicës dhe Kosovës, ishte ndër shtëpitë më mikpritëse e bukëdhënëse, dera e kullës së tij, ishte e hapur natë e ditë për shtegtarë, për hallexhinjtë, për atdhetarë, për liridashës, për çlirimtarë, zaten, aty lindi dhe u rrit shtatit i celulave të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kulla e bacë Shabanit, ishte djepi ku mbështeti kokën e saj plot me halle Ushtria Çlirimtare e Kosovës!

Kjo kullë, ky konak

Kjo familje kurrë mos u shoftë

Për ditë rrita dhe shtati iu shtoftë

Emri i tyre bëftë dritë si dielli mbi qiellin e shqiptarisë

Ata janë emblema më autentike, embleme e lirisë

Që nga bacë Shabani e bir pas birit

Që nga lindja e deri tek perëndimi i diellit

Atyre dhe vetëm atyre

Ju takon lavdi e përjetshme

Janë bijtë më të denjë të Shqipërisë

Janë ëma dhe ati i lirisë!

Në vazhdim, këta janë anëtarët e familjes Jashari, që ranë për të mos vdekur kurrë, para të cilëve duhet të përkulën të gjithë liridashësit e atdheut tonë.

 

  1. Shaban Murat Jashari (74-vjeçar), babai
  2. Zahide Geci – Jashari (74-vjeçare), nëna
  3. Zarife Jashari (49) gruaja e Rifatit
  4. Hidajete Rifat Jashari (18), vajza e Rifatit
  5. Valdete Rifat Jashari (15), vajza e Rifatit
  6. Igball Rifat Jashari (13), djali i Rifatit
  7. Igballe Rifat Jashari (11), vajza e Rifatit
  8. Hamëz Shaban Jashari (47), strategu i lirisë
  9. Feride Mecini – Jashari (43), gruaja e Hamëz Jasharit
  10. Selvete Hamëz Jashari (20), vajza e Hamëz Jasharit
  11. Afete Hamëz Jashari (17), vajza e Hamëz Jasharit
  12. Besim Hamëz Jashari (16), djali i Hamëz Jasharit
  13. Lirie Hamëz Jashari (15), vajza e Hamëz Jasharit
  14. Blerim Hamëz Jashari (12), djali i Hamëz Jasharit
  15. Fatime Hamëz Jashari (9), vajza e Hamëz Jasharit
  16. Blerinë Hamëz Jashari (7), vajza e Hamëz Jasharit
  17. Adem Shaban Jashari (42), Komandanti Legjendar
  18. Adile Rama – Jashari (40), gruaja e Adem Jasharit
  19. Fitim Adem Jashari (17), djali i Adem Jasharit
  20. Kushtrim Adem Jashari (13), djali i Adem Jasharit

– Nga kjo plojë gjaku shpëtoi vetëm Besarta Jashari, vajza e Hamëz Jasharit e cila atë kohë ishte 11 vjeçare.

CH-05-03-2024
Mehmet Bislimi


– III –

Hamëz Jashari

Hamza, një strateg i vërtet i lëvizjes për çlirim të atdheut, kishte aderuar në Partinë Republikane të Kosovës. Atë kohë, kalimi nga një subjekt politik në një tjetër, sikur nuk akceptohej siç duhej. Në Kosovë pluralizmi politik dhe sistemi shumë partiak ishte në hapat e parë të tij, prandaj një veprim i tillë, përbënte risi e cila nga elektorati shihej me një sy të hamendësuar!

Mendoj se Hamëz Jashari:
– Ishte ndër të parët në sistemin e ri pluralist në Kosovë, i cili shfrytëzoj të drejtën dhe vullnetin e tij të lirë për të vepruar lirshëm politikisht.
– Ishte ndër të parët që e kuptoi drejt pluralizmin dhe formacionet politike.
– Ishte ndër të parët, që nuk shkeli mbi unin e vet politike e kombëtar.
– Ishte ndër të parët që e kuptoi në esencë sistemin e pluralizmit dhe rolin e individit në shoqëri.
– Ishte ndër të parët, që i tha hapur një subjekti politik së nuk keni gatishmërinë e sakrificës për t’i dalë zot atdheut.
– Ishte ndër të parët, që dha shembullin më të shenjtë personal dhe biblik të sakrificës për lirinë e atdheut, raste të papërsëritshme këto- veç pararendësve tanë, si Oso Kuka, Sefë Kosharja, Mic Sokoli, Kamer Loshi, Tahir Meha e qindra bijë të tjerë të atdheut.
– Ishe alfa dhe omega e kthesës së madhe historike për të dhënë shembullin më unik të sakrificës për liri të atdheut- Hamëz Jashari i pavdekshëm!

CH-06-03-2024
Mehmet Bislimi


– IV –

Rifat Jashari, është punëtor i dalluar, mbështeti të gjithë ata që ishin të përkushtuar për çlirimin e atdheut, vepronte me shumë seriozitet, atë e nderojnë dhe respektojnë të gjithë. Interesat e atdheut për bacë Rifatin, gjithherë qëndronin mbi ato partiake. Nuk ka bashkatdhetarë në tërë rrethinën e Mynhenit e më gjerë, që nuk flasin me admirim për sjelljen njerëzore e shumë bujare të Rifat Jasharit.

 

Rifati, ishte nder mërgimtarët e hershëm që kontribuoj për mirëqenien familjare e shtet ndërtuese. Pa asnjë ekuivok, ndihmonte njerëzit në nevojë, në veçanti, mbështeti fuqishëm lirinë e atdheut. Shembulli i veçantë i burrit, atdhetarit dhe njeriut modest, siç është ai!, Rifati, edhe kur mori kumtin e rënies së 20 anëtarëve të familjes, nuk doli nga vetja e tij, ai, priti e përcolli mijëra bashkatdhetarë, duke dhënë shembullin ma të lartë sublim, se liria e atdheut është mbi të gjitha, madje edhe mbi jetën, dhe këtë e dëshmuan katërçipërisht së jeta pa liri nuk ka kuptim!…

Ky ishte shpirti dhe modestia e një liridashësi të përkushtuar, që shpërndau rreze mirësie gjithë andej viseve shqiptare, si askush tjetër!


CH-5-7-. 3. 2024

 

 

Kontrolloni gjithashtu

Fronti Europian: Shqiptarët dhe të tjerët po poshtërohen, por ne nuk e lejojmë këtë nënçmim

Sot në Shkup, Fronti Europian organizoi ngjarje për 100 ditët e para të qeverisë me …