Brickos

Mehmet Bislimi: Një kujtim i pa thënë për rapsodin, Dervish Shaqa

 

Mehmet Bislimi: Një kujtim i pa thënë për rapsodin,  Dervish Shaqa


Ishte muaji prill 1992, një pranverë e vonë që po mbante ca freskët. Për zgjidhjen e çështjes kombëtare, koha po diktonte domosdoshmërisht tjetër gjë, tjetër angazhim, tjetër rrugë nga ato të kotësisë së asaj kohe… Koha vërtetoi më së mirë se kush kishte të drejt. Ne- brezi i ri atdhedashës të cilët kishin treguar gatishmëri që atdheut t’i dalin zot edhe më pushkët e lirisë, pra edhe me gjak, po kërkonim tjera rrugë nga ato të kotësisë, këtë po e diktonte koha dhe plagët e shumta në shtatin e atdheut tonë të robëruar… Paraprakisht ishin hedhur bazat e para të celulave, të cilat deri në një farë mase ishin të armatosura dhe të angazhuara me kujdes edhe nëpër roje nate por edhe në forma tjera të paraqitjes për të dëshmuar para populli se një forcë e re po del në skenë. Por, a ishte kjo e mjaftueshme? Natyrisht se jo! Ishin hedhur edhe hapat e riorganizimit të celulave nëpër Këshilla Lokale dhe në ato të Rretheve, barrë kjo që e kishte marrë prej kohesh mbi supe Lëvizja Popullore e Kosovës në gjirin e së cilës ishin të organizuar djemtë e sakrificës. Mirëpo as kjo nuk mjaftonte, duhej përgatitje më e madhe në organizim, furnizim me armatim, përgatitje morale e shpirtërore të masave, mobilizim e përballim situate. Një gjë ishte e pashmangshme: ngadalë por sigurt, ne do të përballeshim me një pushtues sa gjakatar aq edhe të egër që njëkohësisht kishte edhe epërsi në armatim.


Në mesin e atyre dhjetëra djemve që kishin kaluar alpet shqiptare drejt Shqipërisë për të marrë një grusht barot, se Kosovës së djegur i duhej më shumë se buka, isha edhe unë. Natyrisht se organizimi ynë kishte disiplinë, prandaj më duhej konsultuar dhe marrë lidhjet nga organizata. Në Prishtinë takova R. Avdiun, nga i cili mora lidhjet për pikat që duhej t’i ndiqja… Më pas konsultova edhe B. Berishën që më sqaroi për rrethanat e rrugëtimit në ato anë (ngase duhej të kalonim nëpër Maqedoni). Me vete kisha anëtarin e Këshillit – Sali Malën. Kaluam nga anët e Preshevës që pa zbardhur, dolëm tek mulliri në Llojan, më pas nga aty në Kumanovë. Nga Kumanova, po thuaj se me të ngrysur arritëm në Strugë në konakun e Kadri Ladorishtit. Bacë Kadriu na priti me ngrohtësi atdhetare. Ai ishte një atdhetarë që mbi kurriz të vet kishte provuar padrejtësitë e pushtuesit, prandaj nuk na duheshin shumë llafe të kota. Na dhanë për të ngrënë, pas dy- tri orëve u takuam në vendin e caktuar edhe me bijtë të tjerë të Kosovës që kishin marrë të njëjtën rrugë, po për të njëjtin qëllim.


Para se të ndaheshim, bacë Kadriu na prezantoi me përcjellësin ( emir i të cilit nuk më kujtohet), një djalë i ri nga fshati i përtej kufirit Fushë-Rrajcë, dhe në fund na i dha tri porosi:


– Një, nëse rastisë e sulmoheni nga rojat maqedonase dhe nëse i humbni lidhjet mes


vete, duhet të orientoheni për mes drunjtëve; pra lëvozhga e vrazhdë në trupin e drurit tregon anën e Veriut, kurse ajo e lëmuar atë të Jugut!


– Dy, nëse ju merr etja shumë, kujdes mos u ofroni për të pirë uji tek ndonjë krua, a


burim, gjithnjë larg burimit se aty ka vëzhgime të herë pas hershme gjatë natës.


– Tre, nëse diku ndaleni për të pushuar, nga lodhja dhe dremitja, të lagur qull nga djersët, mos gaboni të uleni, duhet të qëndroni në këmbë, dhe jo më shumë se tre deri pesë minuta!… Këto këshilla na janë gjetur me dhjetëra herë më pastaj gjatë atyre rrugëtimeve, sa herë që kemi marrë këto rrugë, njëkohësisht me vete kam kujtuar edhe bacë Kadriun. Alpet shqiptare si edhe ato të Pashtrakut të Hasit e deri tek Varri i Mirë, janë të ashpra për t’i kaluar, janë të rrezikshme, e pra këto ashpërsi i kanë kaluar bijtë e Kosovës e të shqiptarisë me dhjetëra herë me buzë të shkrumbuara për një pikë uji, me dhjetëra kilogramë armatim mbi kurriz, me vdekjen nën dhëmb, me këmbë e duar të përgjakura, me fatin e Kosovës e të shqiptarisë në gjoks, për lirinë e së cilës, tek ata gurë, ata lanë edhe kockat e tyre…


Kërkoi ndjesë nga lexuesi e gjitha kjo është jashtë temës, por shkuarja ime për herë të parë në Shqipëri për mes malesh, më kujtoi qindra udhëtime të bijve tanë më të mirë të kombit në ditët më të vështira për popullin tonë. Ata shkuan atje për furnizim me armatime, për këshilla e lidhje, për orientime e sqarime politike, për strehime e stërvitje… Po ku ndihemi ne më të sigurt për të mbështetur kokën tonë me halle së në prehrin e nënës, se tek ti o nëna jonë Shqipëri!… Jo të gjithë e patën këtë mundësi, që të përshkruanin rrugëtimin e tyre. Tek po kaloja atyre ashpërsive, me vete po mendoja: Ja këtu mund të ketë kaluar edhe Mic Sokoli, Sylejman Vokshi, Bajram Curri, Hasan Prishtina, Isa Boletini, Azem Bejta me shokë, Adem Jashari… e qindra e qindra luftëtarë të lirisë. Madje edhe vet Dervish Shaqa! Kjo na forconte ne dhe as që donim të ia dinim për lodhje e frikë. Ata lanë veprat e tyre në shërbim të atdheut që flasin më shumë se ç’mund të shkruhet sot, duke kaluar nga këto anë sigurisht edhe nga anët e Mazrekut për mes Livdheve të Hoxhës e deri tek Varri i Mirë, po edhe nga Vlahna e deri në Goden, nga Juniku e rrasa e gurit, nga Gjakova e qafë prushi, nga Qafëthana e deri tek Hani i Hotit e kudo ku janë shkëmbinjtë e shqipeve ku gjaku i atdhetarëve ra, siç e thotë edhe kënga: Ka ra shiu e s’ka me e la…, histori kjo e thurur me gjak, këtë kujtim po e bëj në nderin e të gjithë atyre që nuk janë më në mesin tonë, në kujtim të atyre që nuk patën mundësinë t’i përshkruajnë këto rrugë lavdie, në kujtim të atyre që bënë historinë, në kujtim të atyre që nuk kanë për të vdekur kurrë…


Të nesërmen nga Fushë-Rrajca, zbritem në Rrajcë e më pas në Prrenjas. Tani më ishim nën shoqërimin e përcjellësit tjetër që quhej Mit-hat. Nga Prrenjasi në mbrëmje arritëm në Tiranë.


Qëllimi im, veç detyrave që kishim nga organizata për të takuar disa krerë politik të kohës në Shqipëri, më pas furnizimin me armatim etj., ishte edhe takimi me Qerim Deliun e Radishevës i cili kishte emigruar në Shqipëri që në vitin 1939!?Qerim Delia (i vëllai Mehmet Deliut- alias Mehmetit të vogël, bashkëluftëtarit të Azem Bejtës). Populli e njeh më shumë përmes këngës:


 


                        Me dy trima që i ka Shqipnia


                        Si ka mbreti as shtatë krajlia


                        Azem Bejtën Mehmet Delia


                        Me ta në sherr ka ra Serbia…


 


Ndërkaq shoku im Saliu, kishte obligim për të takuar Fadil Berishën i cili ishte po ashtu i ikur nga Kosova dhe jetonte diku në Rashbull të Durrësit. Fadili është po ashtu këngëtar i shquar dhe anëtar i Grupit Kosovar të Rashbullit, mik e shok i pa ndarë i Dervish Shaqës dhe Demush Nezirit, etj. Nuk mund ta kaloi pa e cekur shkurtazi takimin tim me Qerim Deliun (do të bëja mëkat po mos ta përshkruaja këtë takim): Një burrë i gjatë rreth të shtatëdhjetave e ca më shumë, me ballin e gjerë e me sy të kaltër të futur thellë në gropa. I veshur me  pedanteri, i pastër dhe i thjeshtë, i djegur malli për Kosovë… Nuk mund ta përshkruaj atë takim, nuk ka pendë, nuk ka fjalë që e gdhend atë mal me dhembje e dashuri prej njeriu për atdheun e vet… Qerimi nuk më la të flija për dy net radhazi, ai me pyeti për gurët e për drunjtë, për rrugë e rrugica dhish, për male e përrenj, për varret e të parëve, për shtëpi e katandi, për njerëzit e farefisit të tij, më pyeti edhe për qiellin e për diellin e Kosovës!… Ai para së të ikte nga Radisheva e tij e dashur të cilën nuk e pa më në këtë jetë, me dorën e vet kishte mbjellë një fidan molle pranë pusit të oborrit të shtëpisë së tij të dikurshme, aty ku kishin ngrënë bukë me dhjetëra herë Azem Bejta me bashkëluftëtarët e tij. Dhe nuk kishte harruar, ai më pyeti:


Mehmet djali, a është ende një fidan molle tek pusi që e kam mbjellë me dorën time këtu e shumë vite më parë?!


Po i thash, aty tanimë është një mollë e madhe dhe pasardhësit tuaj atje i thonë: “Molla e Qerimit!”…  Nuk e mora me mend që mund ta godiste kaq rëndë peshë e mallit, ai u shtri dhe për një gjysmë dite nuk doli më nga dhoma… edhe kur doli në mbrëmje dukej aq i dërmuar, aq i zbehtë, aq i goditur… në ndarje më përqafoi shumë, më gjysmë zëri më tha: “Do të vdes ca më i lehtësuar, ma hoqe ndryshkun e mallit që po më gërryente këtu brenda prej vitesh. Kosova ka pasur gjithmonë djem trima dhe patjetër se do të çlirohemi!”… ca më muaj më vonë Qerimi kishte vdekur dhe unë nuk e takova më. Më vonë i shkova tek varri për t’i thënë: “Po, Qerim Delija, vërtetë Shqiptaria ka bij trima që vdesin për lirinë e atdheut!”


 


        Takimi me Fadil Berishën


 


Pas dy-tri dite udhëtuam për në Durrës së bashku me Saliun. Nuk vonuam shumë dhe e gjetëm Fadilin. Pasi që u prezantuam, i treguam se kush jemi, duke i dhamë porosinë e nipave të tij nga Llausha që ia kishin dërguar për mes Saliut. Ai u ngrit në këmbë, na përqafoi edhe një herë, dhe na dërgoi menjëherë në shtëpinë e tij, mblodhi fare e fisin në mbrëmje dhe na ndjen në këmbë me çuna e me të gjithë anëtarët e shtëpisë. U shtrua tryeza e rakia, muzika e çmallja, kënga e koburja … Ata kishin të drejtë, ata po çmalleshin pas aq vitesh emigrimi nga vendlindja, nga toka e vet, nga njerëzit e vet, ata u merrnin erë rrobave tona… donin të ndienin aromën e vendlindjes, erën e Kosovës së zhuritur… ishin bërë bashkë malli, loti, vaji e ngazëllimi, ndjenja të përziera këto që nuk mund t’i shpjegoje lehtë. Nuk e dinte i vuajturi njeri nëse po qanim apo po qeshnim- mbase të dyja përnjëherë, këtë peshë malli që gërryen nuk mund ta kuptoi secili…


Të nesërmen, më që Fadili e kishte njohur për së afërmi Dervishin, duke qenë kureshtar që të dija më shumë për Dervish Shaqen, e pyeta Fadilin:


Fadil, para se të merrja rrugë për në Shqipëri, kam lexuar një shkrim në një gazetë tek ne në Kosovë që quhet “Zëri i rinisë”, ku shkruante se Dervish Shaqa ka qenë i degraduar dhe ka jetuar në kushte të mjerueshme këtu në Shqipëri nën sistemin e Enver Hoxhës?! Në fakt, ne nuk i besojmë shumë asaj gazete, ngase ajo ka qenë dhe mbetet gjithmonë gazetë titiste, por nuk mund të kthehem në Kosovë pa na treguar diçka edhe për Dervishin- përfundova unë.


Po, mor djem, po iu tregoi, dhe vazhdoi bisedën Fadili.


Është shumë e vërtetë se ne kur kemi ikur nga Kosova për në Shqipëri, kush më herët e kush më vonë, në fakt nuk e kemi pasur fare lehtë, për shumë arsye: Së pari ne iknim nga pushtuesi serb, pra detyroheshim dhunshëm që ta linim vendlindjen, më pastaj kishim peripeci tjera me jetën e re, Organet e pushtetit në Shqipëri kishin për detyrë që të saktësonin identitetin tonë, kishte edhe të atillë që i dërgonte UDB-ia, pra bëhej propagandë e madhe nga më të ndryshme në këtë drejtim, kësaj i frynin shumë edhe nga ato gazetat titiste, si ajo që paska shkruar për “vuajtjet” e Dervisht nën sistemin e Enverit, e cila sigurisht se kur ka ikur Dervishi e ka quajtur nacionalist e ballist etj., shyqyr tani po ia “qajka” hallin!, pastaj vendosej për strehimin tonë dhe deri sa ne ambientoheshim, njiheshim me rrethin e tjera donte shumë kohë. Në fakt, Enveri dhe Partia, mes nesh që kishim ikur nga Kosova, nuk ka bërë ndonjë dallim të madh, edhe ne si të gjithë vendasit kemi jetuar në të njëjtat shtëpi e kushte të këtushme, nuk është e tepërt të them se kemi qenë më të përkëdhelur dhe më të avancuar në shumë drejtime, në veçanti Dervishi i cili ka qenë i njohur për këngën e tij karakteristike në tërë Shqipërinë.


Vet Enver Hoxha, ne kosovarëve, por në veçanti Dervishin e ka përkrahur shumë, Grupi ynë i këngëve dhe valleve ka marrë pjesë gati në të gjitha Festivalet, dhe ka qenë e pa mundur që Enveri mos ta takoi Dervishin herë pas here edhe personalisht.


Më kujtohet në Festivalin e fundit të Gjirokastrës, kur na erdhi radha ne, dolëm në podium. Enveri me disa anëtarë të lartë të partisë ishin ulur në radhën e parë. Kur Dervishi mori këngën:” Kaçanik deri Boletin krejt Kosova a mblue n’tym”…, Enverit i rrëshqitën lotët për faqe. Më pastaj, ne mbaruam pikën muzikore dhe u futem mbrapa perdes. Dervishi më tha:


Fadil! A e vërejte se Enveri qau me lot!?


Po i thash, e vërejta. Ah, është burrë i burrave- lëshoi një zë të thellë Dervishi.


Sa mbaruan edhe dy-tri pika të programit, vet Enveri erdhi mbrapa perdes dhe kërkoi të na takonte ne, pra Grupin Kosovar të Rashbullit në krye me Dervishin. Sa u fut aty, ne u zgjuam në këmbë, Enveri i tha Dervishit: “Eja këtu o Dervish Kosova”… dhe e rroku përqafe, për një çast lotët nuk i ndalën që të dy. Pas ca çastesh Enveri i tha Dervishit: “Kur të përqafoi ty, Dervish Shaqja, më duket se e përqafoi tërë Kosovën, dhe shtoi: Jo, nuk do të vdes pa i ra këmbë trup e tërthor tërë Kosovës, o Dervish Shaqa!” …


Pas disa kohe siç e dini Enveri u sëmurë dhe vdiq në spital me 11 prill 1985 – vazhdoi bisedën Fadili. Asokohe edhe Dervishi ishte i shtrirë në spital, dhe atë bukur në gjendje të rëndë. Ramiz Alia, duke e ditur simpatinë e Enverit për Dervishin, me 12 prill kishte dhënë urdhër që në emër të Kosovarëve të lajmërohet Dervishi për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit. Kryetari i rrethit na e solli ftesën që kishte dërguar personalisht Ramiz Alia!


Si të ia bëjmë hallit, ende nuk ishte bërë krejt publike vdekja e Enverit, flitej si nën hundë dhe me ndrojtje… Partia kërkonte që Dervishin ta përgatisnim moralisht që në emër të Kosovarëve të zë vendin e vet. Duhej punë, por edhe maturi. Nga ana tjetër Dervishi nuk kishte dëgjuar ende, në spital kishin dhënë urdhër që Dervishit mos t’i tregonin për vdekjen e Enverit, para se të shkonim ne. Pra, unë (Fadil Berisha) së bashku me Nezirin dhe me kryetarin e rrethit shkuam në spital dhe ma takt e maturi Dervishit i dhamë lajmin për vdekjen e Enverit.


Dervishi, fillimisht nuk deshi të besoi këtë, por pasi që e vërtetoi këtë ai tha: “ A paska vdekur der ai nom burriii ëëë?!” , dhe hoqi dorën nga nën koka ku po e mbante duke e lëshuar ngadalë mbi gjoksin e vet që po i digjej. Dervishi, pas ca çastesh tha:” E kam dashtë shumë Enverin dhe për të gjallë ia kam pas dhanë besën se edhe dekën kam me e ba me ta!”… këto ishin fjalët e fundit të Dervishit për Enver Hoxhën.


Dervish Shaqa, kishte vdekur të nesërmen, pra me 13 prill të viti 1985. Me të dëgjuar lajmin, ne i treguam kryetarit të rrethit se edhe Dervishi ka vdekur. Ai më pas, kishte lajmëruar Partinë dhe Ramiz Alinë. Më të marrë këtë lajm, Ramizi kishte urdhëruar që të dy të varrosën në të njëjtën ditë, pra me 15 prill, dhe ashtu u bë, përfundoi rrëfimin Fadili.


Ky ishte një kujtim i pa thënë deri me sot nga ana ime që po e mbaja në gji të ngrohtë- si atë ditë!


 


Mr. Kadri Rexha: DERVISH SHAQA – RAPSODI I KOMBIT SHQIPTAR ( Në 25-vjetorin e vdekjes)


 


Rapsodi Dervish Shaqa është sintezë e madhe e lëvizjes muzikore rapsodike  shqiptare. Si fenomen i papërsëritshëm artistik ai shquhet mbi çdo rapsod shqiptar. Me repertorin e zgjedhur të këngës, me këndimin karakteristik autokton dukagjinas, me vokal të veçantë stabil e mbresëlënës, me dhunti të mëdha artistike interpretuese e krijuese, ai është rapsodi përfaqësues tipik i idealeve të kombit shqiptar.


      I lindur më 5 maj 1910 në Llukë të Epërme të Deçanit, në një kohë kur e tërë Kosova po ziente nga brenda, në një kohë kryengritjesh dhe betejash ndër më të lavdishmet që ka bërë Kosova kundër pushtuesit turk, djaloshi me emrin Dervish qysh herët po jepte shenja të sigurta për dhuntinë e talentit të fuqishëm artistik. Në kohën kur e tërë Shqipëria ishte ngritur në këmbë dhe me pushkë në dorë po marshonte drejt shpalljes së Pavarësisë kombëtare, në personin e Dervish Shaqës natyra po e formonte dhe po e përgatiste Homerin shqiptar, rapsodin e ardhshëm të betejave të moçme dhe të betejave që do të vijnë, rapsodin e luftëtarëve të thjeshtë të lirisë dhe rapsodin e heronjve të Kombit.


      Si bir i një familje fisnike, të shëndoshë dhe të edukuar në frymën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, nip i familjes së madhe të Sulejman Vokshit, i lindur dhe i rritur në kohë betejash të pareshtura të luftës për liri kombëtare dhe mbrojtje të tokave nga fqinjët grabitçar, në personalitetin e tij të njomë po lëshonte shtat një fëmijëri e edukuar dhe e farkëtuar në kudhrën e atdhetarizmit, në rrafshin e traditave popullore dhe në frymën e kohës, po çilej si mëngjesi një natyrë e zgjuar, e ndjeshme, e vëmendshme dhe e etshme për të zënë sa më shumë.


      Që në vëgjëli, kërshëria e djaloshit nuk u pajtua vetëm me vrojtime pasive por ai mori pjesë aktive në të gjitha punët dhe veprimet e më të mëdhenjve. Përvojën e vogël të njohurive të zëna në lojë me fëmijët, në punë me prindërit dhe në prehjet e gjata në gjirin e mrekullive të natyrës ai, qysh në moshën pesëvjeçare, do t’i zgjerojë në odën e burrave, e cila për të paraqet fillimin e një jete të re, fillimin e një përvoje tjetër edukimi dhe arsimimi. Përmes ligjëratave për të kaluarën, për bashkëkohësinë dhe për të ardhmen ai në odën e burrave u ballafaqua me urtësinë popullore, virtytet, nderin, besën, mikpritjen, bujarinë, burrërinë, atdhedashurinë, solidaritetin, guximin, flijimin… me këto tradita të larta kombëtare shqiptare, me të cilat u brumosen, u edukuan dhe u mobilizuan breza e breza në mbajtjen gjallë të vetëdijes kombëtare, të dashurisë ndaj gjuhës, atdheut, kulturës dhe përparimit.


      Në odën shqiptare Dervish Shaqa fillon shkollën e jetës, fillon zgjerimin e njohurive dhe pajisjen me një kulturë të gjithanshme. Duke dëgjuar legjenda dhe rrëfime reale për të kaluarën, duke dëgjuar balada dhe këngë historike nga rapsodët popullor ai, kohë pas kohe, do të zgjerojë edhe rrethin e heronjve të tij të dashur. “Në Rekë, e në rreth t’Gjakovës e Pejës, u bishin çifteliave ma të vjetrit e knojshin…, rrëfen Dervish Shaqa. U mbledhshim, na jemi kanë të ri, m’tingëllojke, m’hike në vesh puna e kangëve kur i kndojshin ma t’vjetrit. U afrojsha e i ndigjojsha kangët, ndërsa ma fort kangët patriotike për luftëtarët, për trimat…” Në klimën serioze dhe hijerëndë të odës ai sheh dhe dëgjon gojëtarë të urtë dhe rapsodë popullorë që gjatë ligjëratave dhe interpretimit të këngëve dinë të dalin jashtë vetvetes dhe dinë t’i hapin zemrat e veta ndaj dëgjuesve të pranishëm. Në odë ai do të njihet më për së afërmi me dashurinë, me urrejtjen, me besën, me pabesinë e heronjve të baladave, me heroizmat e kreshikëve, me trimëritë e Skënderbeut, Oso Kukës, Sulejman Vokshit, Isa Boletinit, Azem Galicës, … Në odë do të dëgjojë se me sa admirim kujtohen dhe çmohen veprat dhe fjalët e burrave të urtë si Lekë Dukagjini, Binak Alia… Dhe, të gjithë këtë bgazh diturie, të gjithë edukatën që do ta merr në këtë shkollë të madhe të jetës së shqiptarit, ai, në vitet e mëvonshme, jo vetëm do ta ruaj me dashuri të madhe, por do ta mbajë të gatshme si ushtari armën, si plaku urtinë… Dhe, ashtu si nxënësi i mirë që pas pajisjes me diplomë kthehet si mësimdhënës në tempullin e diturisë, atje prej nga ka dalë, edhe Dervish Shaqa nga nxënësi i urtë dhe i zellshëm i odës, më vonë, do të kthehet pikërisht në odë, si edukator i gjeneratave të reja, si misionar i pranuar në profesionin e shenjtë të rapsodit popullor.


      Rruga artistike e rapsodit Dervish Shaqa ngjan me rrjedhën ujore të lumit shqiptar Drini i Bardhë. Drini i Bardhë buron në tokë shqiptare, në grykën e malit Zhleb, dhe duke rrjedhur krenar i begaton viset shqiptare me ujë të pijshëm, me bereqet, me energji elektrike, me klimë të butë, ngadalë e herë me shpejtësi, melodik dhe gjëmues, secilën herë më nam madh, shkon e derdhet në ujërat shqiptare, në Adriatikun e gjerë dhe të thellë. Dervish Shaqa lindi dhe u rrit në amën e burimit autokton të melosit popullor shqiptar nga i cili mori shpirtin dhe forcën e këngës dhe, duke u kthyer edhe vetë në këngë e në sharki, e begatoi, i dha jetë dhe e mbajti gjallë me këngë për më shumë se gjashtë dekada mbarë kombin derisa, më në fund, sërish u shkri në detin e gjerë dhe të thellë të muzikës kombëtare shqiptare duke lënë aty gjurmë të thella dhe përjetësisht të pashlyera.


      Me interpretimin e këngëve Dervish Shaqa filloi si nëntë vjeçar mu në moshën kur krijuesit e mëdhenj fillojnë shtegun e maratonës drejtë lartësive artistike. Përurimi i parë i rrugës artistike të rapsodit Dervish Shaqa u bë fare rastësisht në dasmën e kushërinjve të tij në fshatin Beleg. Nga kjo dasmë po nisej rruga artistike e rapsodit Dervish Shaqa, rrugë kjo që do të kalojë nëpër bariera të mëdha të kohës, nëpër tymin dhe flakët e barotit të Kosovës që digjej nga armiqtë e shumtë të shqiptarëve, nëpër telat e kampeve dhe llogoreve të Karagjorgjeviqëve, nëpër betejat shpresëdhënëse të Luftës së Dytë Botërore, nëpër kurthet e pabesa të tradhtisë serbiane, nëpër karvanët e shqiptarëve të shpërngulur me dhunë drejtë shkretëtirave të Anadollit, nëpër dhunën barbare të argatëve të Rankoviqit dhe të këlyshëve shqipfolës titistë, nëpër telat dhe piramidat e ngulitura përdhunisht në kurrizin e nënës tokë shqiptare, nëpër mallin e pashuar për më të dashurit dhe zhuritjes së pafund për vendlindjen. Gjatë këtij kalvari të Golgotës së gjysmës së kombit shqiptar rapsodin e mban gjallë ideali i shenjtë i atdheut dhe kënga si ilaç i shpirtit të pathyeshëm dhe i dashurisë së madhe për jetë. Në këtë rast ideali e mbante gjallë këngën , ndërsa kënga e mbante gjallë idealin. Kjo urti e thjeshtë aq sa vlente për rapsodin po aq, në mos edhe më shumë, vlente për popullin e tij që digjej për së gjalli në vetmi dhe në robëri të pakundshoqe.


 


                                                             ***


      Karrierën e rapsodit të këngës popullore të filluar në një dasmë fshati, pas një rravgimi të gjatë krijues e interpretues, Dervish Shaqa e përfundon në Festivalin Kombëtar të Folklorit në Gjirokastër. Gjatë harkut kohor gjashtëdhjetë e gjashtë vjeçar opusi artistik i rapsodit arriti në rreth 120 këngë të zgjedhura temash dhe motivesh të ndryshme duke filluar nga lirika e dashurisë, epika legjendare e deri te epika historike.


      Këngët e Dërvish Shaqës kryesisht i karakterizon tema historike ndërsa, fillim e mbarim si vijë e kuqe, ato i përshkon motivi patriotik. Ndër këngët më të njohura antologjike të kësaj gjinie konsiderohen: “Prej Prokupje deri në Nish”, “Priti djemtë e mëmleqetit”, “Në Kaçanik deri n’Boletin”, “Për vend tonë jem tuj luftue”, “Ah, Shqipni, mos thuej mbarova”, “Këngë për Ahmet Delinë”, “Hajmedet për Lugë t’Baranit”,  “Këngë për vrasjen e Isa Boletinit”, “Prej qat sene që asht kanë Hyrjeti”, “Këngë për vrasjen e Bajram Currit” “Këngë për Kamber Loshin”, “Moj sharki ma e lehtë si era”, “Këngë për Shaban Palluzhën”, “Rifat Berisha nji djalë drangue”, ” “E pesëdhjetë e gjashta sene ka hi”, “Kur ta kthyem moj Kosovë shpinën”, “Asht kthye zemra asht ba sharki”, “Moj Kosovë trimneshë dardane”, “Festë të madhe sot ka Shqipnia”, etj. Ndër këngët më të mira lirike me motiv të dashurisë të kënduara nga Dërvish Shaqa konsiderohen : “N’dërrasë të vekut kush po kanë”, “Moj e mira me e bardhë se bora”, “Moj e mira n’derë të stanit”, “Moj e mira n’atë stanishtë”, “Prej Podrimje po vjen haberi”, etj. Ai ka kënduar edhe këngë me motive vajtimi:“Motra e e Adisë”, “Qou more Rexhë” si dhe aso me motive humoristike “Prej qat sene që u rreh Reka”, etj.


      Këngët e Dërvish Shaqës për bazë kryesisht kanë tekstin e autorit popullor kurse për bazë të muzikës kanë melosin burimor të rrethit të Deçanit dhe të mbarë Dukagjinit. Një numër i konsideruar i këngëve të reja, si me tekst ashtu edhe me muzikë, janë krijime origjinale të vetë rapsodit. Këngët e tij rapsodi i ka shoqëruar me sharki, ndonjëherë edhe me çifteli e lahutë. Në duet me Zenel Ademin, Demë Tarakun, Demush Nezirin, Lan Dobrën, Shaqë Avdinë, Shaban Salihun e ndonjë tjetër këngën e tyre e shoqëruan me sharki dhe çifteli. Gjatë këndimit në koncerte dhe festivale të ndryshme në kuadër të “Grupit Kosovar të Rashbullit” sharkisë së Dërvish Shaqës i bashkoheshin edhe instrumentet tjera muzikore në përbërje të orkestrës.


      Këngët e interpretuara nga Dërvish Shqa janë këngë të dashurisë, këngë kreshnike, balada, këngë nizamësh, këngë për mbrojtjen e tërësisë tokësore të atdheut, këngë për çlirimin dhe pavarësinë kombëtare, këngë kundër dhunës dhe politikës shkombëtarizuese serbo-malazeze gjatë shekullit njëzetë, këngë për figurat e shquara të historisë kombëtare, etj. të cilat, sipas peshës dhe rëndësisë, mund të klasifikohen dhe kundrohen në kuadër të këngëve epike legjendare dhe historike, në balada legjendare dhe historike si dhe në këngë lirike të dashurisë, vaje popullore dhe elegjiake.


 


                                                                   ***


       Ndër rapsodët më të talentuar të shekullit të kaluar Dërvish Shaqa shquhet si krijuesi dhe interpretuesi më i mirë i këngëve epike shqiptare. Duket se në këngën epike, veçanërisht në atë me temë historike, Dervish Shaqa e gjeti vetveten për shumë arsye. Arsyeja e parë dhe kryesorja është përputhja e idealeve të heronjve të këngëve epike me idealet e rapsodit si dhe gjakimi i flaktë i tij që këto ideale nëpërmjet këngëtimit t’i mbjelli në popull, ashtu siç e mbjell bujku farën në tokë pranverave të hershme.


      Në kushtet e mungesës së arsimimit kombëtar, të mungesës së librit shqip si dhe të mungesës së mjeteve të informimit në gjuhën amtare Dervish Shaqa këngën epike e konsideronte dhe e përdorte si instrumentin më efikas për edukimin e popullit e sidomos të gjeneratave të reja. Këto këngë me vlera të larta artistike dhe historike ai i vuri në shërbim të qëllimeve të larta të luftës për ruajtjen vetqenies, të identitetit kombëtar, të lirisë dhe të progresit historik. Në vlerat e shumë anshme të këtyre këngëve ai e shihte dëshminë më bindëse lidhur me ruajtjen dhe mishërimin e tyre të thellë në shpirtin e popullit. Te këto këngë Dervish Shaqa shihte një burim të fuqishëm edukativ në planin historik e kulturor dhe një manifestim të rezistencës së vazhdueshme kundër sulmeve të kulturës së pushtuesit. Te krijimtaria popullore ai shihte shprehjen më të lartë te karakteristikave të kombit dhe të traditës, ndërsa te kënga epike ai shihte armën e përsosur politike kundër agresioneve asimiluese si dhe pasqyrimin e idealeve të popullit, etnopsikologjinë, patriotizmin, lirinë, trimërinë, flijimin, nderin, besën, etj.


      Me këto bindje të qarta, si për rolin e këngës epike ashtu edhe për rolin e rapsodit, Dervish Shaqa, padyshim, inkuadrohet në radhën e pedagogëve më të nderuar të kombit. Me punën e tij krijuese interpretuese mbi gjashtëdhjetëvjeçare ai pasqyroi me art ngjarjet më të rëndësishme të dy shekujve të fundit, që nga Tanzimati e deri te Demonstratat e mëdha të Kosovës të vitit 1981. Me zërin e tij burrërorë ai u ngriti përmendore përjetësie heronjëve më të dëshmuar të Kombit. Me porosinë e madhe të këngëve dhe të artit të tij magjik ai aq sa ishte rapsod popullor po aq ishte institucion, përfaqësues i aspiratave të Kosovës, zëdhënës i shpirtit të Kombit.


            Këngët epike historike, si pasqyrim artistik i ngjarjeve reale në kohë e në hapësirë, në repertorin e rapsodit Dervish Shaqa zënë vendin kryesor. Te këto këngë, që në moshë të re, rapsodi gjeti motivin e dashurisë së zjarrtë për atdhe, motivin e krenarisë së lartë për të kaluarën, idealin dhe luftën e popullit për liri dhe bashkim kombëtar. Në këto këngë ai gjeti njeriun e pajisur me ndjenja e mendime të larta atdhedashurie, gjeti njeriun optimist, gjeti shpresën, njeriun e pa epur përballë dhunës dhe forcës së pushtuesit, njeriun që nuk pajtohet me jetë robërie, njeriun që vepron dhe flijohet për liri, për popull, për atdhe…Në këto këngë gjeti luftën individuale të trimave dhe luftën e forcave të vegjëlisë përballë ushtrive pushtuese. Në këto këngë gjeti dashurinë e madhe të popullit për trimin, për luftëtarin, për heroin. Në këto këngë ai gjeti urrejtjen e madhe kundër armikut si dhe urrejtjen e thellë kundër tradhtarëve. Në këto këngë ai gjeti farën e rritjes dhe të afirmimit të vetëdijes, të mendimit dhe të individualitetit kombëtar. Këto këngë ai i çmonte lartë, i donte me zemër dhe i këndonte me pasion të theksuar…


 


                                                          ***


     Dervish Shaqa nga vetvetja dhe nga kënga kërkonte shumë. Kënga për të ishte art, histori, kronikë, edukim, frymëzim, mobilizim, flamur, pushkë… Repertori i këngëve të Dervish Shaqës ishte i zgjedhur. Nuk këndonte çfarëdo kënge. Nuk e këndonte këngën të cilës nuk ia dinte historinë. Pasi e këndonte këngën ai zakonisht e analizonte dhe e komentonte atë duke e theksuar edhe mesazhin kryesor të saj. Ai dëshironte që kënga të depërtojë sa më thellë në shtresat e gjëra të popullit. Ai synonte që me këngë të ndikojë në zgjerimin e njohurive te dëgjuesit si dhe në edukimin e tij të gjithanshëm. Ai synonte që më këngë të ndikojë në ngritjen e moralit si dhe të ndjenjës estetike të dëgjuesve shtresash të gjëra të popullit.


      Dërvish Shaqa veproi në kohën më të thirrshme për shqiptarët e ndarë nga trungu amtar, të cilet ishin të privuar çdo të drejte dhe lirie njerëzore. Me këngën patriotike ai vetëdijshëm përpiqej ta vejë në lëvizje ndërgjegjen e fjetur kombëtare. Me këngën patriotike përpiqej të ushtronte efektin e duhur lidhur me pozitën e rëndë historike të popullit. Dervish Shaqa ishte i vetëdijshëm për vuajtjet e popullit nën robërinë serbe. Peshën e pushtetit gjakatar po e shihte dhe po e prekte me dorë për çdo ditë fshatrave dhe qyteteve të Kosovës. 


      Nga prindërit kishte dëgjuar për dhunën serbo-malazeze të ushtruar mbi popullin shqiptar si dhe për masakrat që lidheshin me ndërrimin me dhunë të fesë së kësaj popullate. Si fëmijë kish përjetuar masakrën serbo-malazeze mbi burrat e fshatit të vendlindjes. Me dhimbje në zemër kish përjetuar vrasjen e burrave më të mirë të Kosovës. Me sytë e vet po shihte dhe me tërë qenien po bindej se dhuna dhe paraja  serbe po bënin kërdinë mbi shqiptarët e robëruar. Për çdo ditë vrasje… Për çdo ditë dëbime me dhunë… Për çdo ditë burgosje… Dhe rapsodit në një atmosferë të këtillë i dhemb shpirti. Nga përvoja e traditës e dinte se arma e vetmuar e ka kohën e shkurtër dhe rezultatin e vogël. Ndaj në vend të armës fizike, njëherë për një herë, popullit ia preferon një armë tjetër.


      Armët e vetme të tij ishin zemra, kënga dhe sharkia. Në dukje dhe për momentin ato ishin pak, por për ardhmërinë, për perspektiven kombëtare ato kishin forcën e një universiteti, ato kishin forcën e një armate. Dhe këto armë ia kishte falur popullit të tij të shumëvuajtur. Ia kishte falur atdheut që lëngonte nën robëri dhe dhunë të padurueshme. Me këto armë popullit i jepte shpresë për ditë më të mira, me këto armë e frymëzonte rininë me ndjena dashurie për atdheun dhe lirinë, me këto armë mobilizonte rininë me krenarinë për të kaluarën e lavdishme kombëtare, me këto armë organizonte vetëdijen e gjeneratave të reja lidhur me njohjen e traditave, të virtyteve të larta dhe të shpirtit të kombit, me këto armë jepte shembuj se si duhet luftuar, me këto armë ai e kthente heshtjen në kushtrim, me këto armë vriste armikun, me këto armë vriste tradhtinë… 


      Për Drvish Shaqën, para se të jetë argëtim, kënga ishte dëshmi historike, ishte komunikim artistik me kohërat, por, në rrethanat që jetonte, mbi të gjitha, ajo ishte mision. Dhe si çdo lëvizje e madhe që veprimtarinë e vet e mbështet mbi një program të caktuar ashtu edhe misioni gjashtëdhjetë e gjashtë vjeçar i Dërvish Shaqës u mbështet në programin e vet të krijuar dhe të përshtatur sipas thirrjes së kohës. Programi i Dervish Shaqës mishëron luftën dhe përpjekjen mbi dyqind vjeçare të popullit shqiptar për liri, për pavarësi të atdheut dhe për bashkim kombëtar.


      Me këto këngë për mbi gjashtëdhjetë vjet me radhë Dervish Shaqa e mbajti gjallë ndjenjën e dashurisë së popullit për liri dhe për bashkim kombëtar. Përmes këtyre këngëve rapsodi Dervish Shaqa i theksoi cilësitë, vetitë dhe virtytet më të shëndosha dhe më pozitive atdhetare të popullit shqiptar me të cilat i edukoi dhe i pajisi brezat e tërë në kohën më të thirrshme të historisë sonë të re.


           


                                                                    ***


      Duke interpretuar këngën epike historike rapsodi Dervish Shaqa para dëgjuesve të shumtë, para popullit, solli informacione dhe dokumente artistike mbi ngjarjet dhe heronjtë e shumtë të historisë duke dhënë në të njëjtën kohë edhe gjykimin real për ato ngjarje. Natyrisht kënga epike historike nuk është kronikë dite ku ngjarja dhe personazhet përshkruhen në mënyrë të thjeshtë dhe të thatë, por është art ku nëpërmjet sintezës dhe përgjithësimit artistik, pos rrëfimit të ngjarjes, pasqyrohet edhe mendimi, morali dhe ideali shoqëror i kohës. Duke qenë njohës i mirë i këngës lirike dhe i asaj legjendare rapsodi Dervish Shaqa këngën epike historike e spërkati mjeshtërisht me artin e këtyre gjinive sa këtë e bëri shumë të ngrohtë dhe të kapshme për botën emocionale të dëgjuesit. Të veshura me petkun artistik lirik dhe legjendar një pjesë e mirë e epikës historike të interpretuara nga Dervish Shaqa anojnë nga balada historike.


        Në këngët epike historike të interpretuara nga Dervish Shaqa parakalojnë një galeri e tërë personazhesh historike të periudhës së vrullshme dhe më të rëndësishme të historisë sonë të dyqind vjetëve të fundit. Këto personazhe të ngritura në këngë nga gjeniu popullor u kënduan me pasion, me respekt, me simpati dhe me dashuri të jashtëzakonshme nga rapsodi Dervish Shaqa. Gjatë interpretimit të tekstit të këtyre këngëve rapsodi merr pjesë aktive në dramën dhe në përjetimet emocionale të personazheve, me çka dëshmon rolin e drejtpërdrejt komunikues artistik mes tij dhe shtresave të gjëra të dëgjuesve nga radhët e popullit. Personazhet e këtyre këngëve janë sintezë dhe përgjithësim i ndjenjave dhe aspiratave të popullit. Fati i tyre personal është i lidhur ngushtë me fatin e popullit. Si të tilla ato ndërtohen, portretizohen dhe tipizohen me mjete artistike letrare duke filluar nga epiteti, metafora, simboli e deri te hiperbola.


Studiuesit  konstatojnë se Dervish Shaqa në interpretimin e këngëve të tij ka përdorë rreth 28 variante dhe qindra nënvariante melodike me çka e pasuroi edhe skemën e ritmit dhe të vargut të epikës historike.1)


      Me interpretimin e mrekullueshëm artistik rapsodi Dervish Shaqa këngës epike historike i beri një nder të madh duke e ngritur atë në majat më të larta të artit të letërsisë gojore. Ngjarjet historike të kënduara nga Dervish Shaqa në vetëdijen e dëgjuesit mbetën të paharruara për jetë e mot. Heronjtë e këngëve të kënduara nga rapsodi Dervish Shaqa u përjetësuan në monumente artistike dhe u bënë dy herë të pavdekshëm. 2) Në këto monumente të heronjve të lirisë të ngritura me aq kujdes me fjalë zjarri e me shpirt vullkani edhe emri dhe qenia e rapsodit Dervish Shaqa  prehen të përjetshëm.


     


                                                           ***


Edhe pse lëvizja muzikore rapsodike shqiptare kishte njohur emra të shquar edhe para tij, si Sadik Laci, Demë Ali Taraku, Ali Paci, etj., edhe pse lëvizja muzikore rapsodike njeh emra të mëdhej edhe gjatë kohës së tij, si dueti Salih dhe Feriz Krasniqi, Sefë Mleqani, Riza Bllaca, etj., askush si Dervish Shaqa nuk i këndoi me aq gjerësi dhe flakë për flakë ngjarjeve të rëndësishme të historisë sonë heroike dhe tragjike njëherit, askush si ai nuk iu përgjigj thirrjes së madhe të kohës nëpër të cilën kaloi kombi ynë, askush si ai nuk u bëri jehonë kërkesave të vazhdueshme të lëvizjes shqiptare për liri e bashkim kombëtar.


      Me veprimtarinë e gjerë kulturore e shoqërore Dervish Shaqa, me polt të drejtë, konsiderohet rapsod kombëtar. Në veprën e tij rapsodike ai i këndon atdheut si tërësi tokësore, si tërësi etnike dhe si tërësi shpirtërore. Veprën e tij rapsodike e përbëjnë të gjitha fushat, të gjitha mendimet, të gjitha ndjenjat, të gjitha idealet dhe të gjitha veprimtaritë njerëzore të jetës së shqiptarit. Me theks të veçantë ai u këndon vlerave të larta shpirtërore kombëtare siç janë nderi, trimëria dhe besa. Vepra e madhe rapsodike e Dervish Shaqës shquhet për gërshetimin e një rrethi të gjerë temash dhe motivesh të cilat përfundojnë me porosi të qartë: Lirinë dhe pavarësinë e atdheut nuk ta falë kush!


      Të rrallë janë krijuesit që që qysh për së gjalli u krijohet miti. Miti për Dervish Shaqën e ka zanafillën qysh në fillet e interpretimit të tij në moshën nëntë vjeçare, mit që në rrjedhë vjen duke u rritur bashkë me rapsodin. Pos ithtarëve dhe adhuruesve të tij të shumtë në krijimin e mitit për të ndikim vendimtar luajtën Radio Kukësi, Radio Tirana dhe TV Shqiptar, këngën e të cilit, në kohë robërie, e shpërndanë shtëpi për shtëpi në të gjitha trojet shqiptare. Këngët e tij vinin nga Shqipëria, nga vendi ynë i shenjtë, nga toka jonë e shpresës së madhe. Ato ishin shkollë. Ato kishin vulë zyrtare. Ato ishin porosi dhe kushtrim. Ato ishin mit dhe realitet në të njëjtën kohë. Ashtu siç ishte mit dhe realitet edhe interpretuesi i tyre, rapsodi Dervish Shaqa.


      Për kontributin e jashtëzakonshëm artistik dhe kombëtar Dervish Shaqa mori epitetin trimi i këngës, këngëtari legjendar, ndërsa, për së gjalli, nga shteti shqiptar është dekoruar me titullin “Artist i Merituar” dhe me medalje dhe fletë nderi të ndryshme.


      Prandaj, nuk është çuditshme pse rapsodi Dervish Shaqa pati dashamirë dhe adhurues të shumtë. Si rapsod me një stil individual, larg ngjyrimeve orientale, ai u bë institucion dhe shkollë në vete, ku u krijuan breza të tërë rapsodësh, traditë që vazhdon deri në ditët tona.


      Rapsodi Dervish Shaqa vdiq më 13 prill 1985 në Rashbull të Durrësit.


———–


1) „Moj sharki ma e lehtë se era”, emision dokumentar i TVSH kushtuar raposodit Dervish Shaqa, 1995


2) Aty

Kontrolloni gjithashtu

FADIL REXHA: KUR MUNGON LUANI MAJMUNËT BËHEN MBRETËR

Fadil Rexha: LARGIMI NGA VENDLINDJA

Ishte një mëngjes i ftohtë pranvere me bore e shi. Me lot në sy, u …