Brickos

Mehmet Bislimi: “UDHA E KRIPËS”, poezi të Isuf Sherifit

Edhe në përmbledhjet e tij poetike më të hershme, por edhe në këto më të vonshme poeti Isuf Sherifi, lexuesit i jap diçka më shumë e më përtej mendimit dhe imagjinatës së tij krijuese. Tashmë, është bërë gati e zakonshme që nga një dorë krijuesish dyert e poezisë të hapën ca më “vonesë”, nga se në rrugën e tyre krijuese valët e jetës kishin goditur dhe trazuar rëndë ëndrrat e bukura rinore. Ata qenë detyruar t’i mbanin të fshehura thellë në gji dëshirat dhe aspiratat e tyre të fuqishme nëpër qelitë e errëta të pushtuesit serb, për të shpërthyer ato një ditë fuqishëm me ngjyrat migjeniane, më ngjyrat që nuk do të shuhen kurrë! Edhe krijuesin e ri Isuf Sherifin e përcolli fati i njëjtë, fati i luleve të atdheut i cili në moshë të re u përlesh me peshën e mureve dhe grilave të robërisë, ai dha nga vetja e tij diçka në shërbim të atdheut, si edhe të gjithë ne, pra të gjithë nga pak, më ndjenjën e lartë që atdheut mos t’i hymë në hak!…
Poeti i ri Isuf Sherifi, atdheut dhe kulturës sonë në përgjithësi i dha muzën e shpirtit të tij krijuese në lëmin e poezisë, por edhe të prozës në veprat e tij që ka botuar deri me tani ( 5 përmbledhje poezish dhe 2 monografi), shumë nga poezitë e Sherifit janë të botuara edhe në botime të veçanta antologjike. 
Për ta thënë fjalën e bukur artistike, nuk është edhe aq e lehtë, nga se atë duhet ta veshim edhe me petkat e kuptimit të saj filozofik, estetik, alegorik, retorik dhe metaforik… Duhet ta veshim me qartësinë, porosinë dhe përmbajtjen e saj letrare në rrafshin kombëtare pa dyshim, por mbi të gjitha me atë porosinë e urtë njerëzore. 
Ndoshta pa dashur, por më duhet që para së të flas për mes letrash me autorin e kësaj përmbledhje t’i uroi atij ecje vertikale dhe të matur, të kujtohet për atë që e kemi harruar ne, gjeneratat e më hershme! Kjo për ne, ani pse është një kujtesë e hidhur, vërtetë për brezin tonë ka shumëçka të kujtojmë dhe duhet të kujtojmë: Robërinë që na kishte zënë derën me ferrë, vuajtjet, torturat, internimet, vrasjet e mizoritë e mbi të gjitha varfërinë shpirtërore të disa “intelektualëve” të pa kurriz, burgjet erë myku, shokët e rënë në fushën e nderit dhe vargjet e tyre- amanet, përgjysmë lënë!… 

Poeti Sherifi, objektin e poezisë e ka futur brenda vetës në mënyrë që të përpëlitet me shpirtin e tij krijues e luftarak drejt marshimit për të pushtuar majat më të larta të muzave, të zanave, të shtojzovalleve, të idileve, të odave dhe të bukurisë artistike që ai e përjetëson në letrat tona. Mos të harrojmë, sot letrave tona të shkruara më shumë së kurrë i duhet poezia që rrëzon shkëmbinj, që ndez zjarr zemrat djaloshare, që shembë diga e kufij, poezia që ka shpirt, poezia që të futë rrugëve të aspiratave tona kombëtare, poezia që të ngritë në këmbë! Në këtë pikëvështrim si pikë reference edhe tek poeti Sherifi kërkohen fuqishëm gjëra të reja, që thuhen me shpirt e zemër, gjëra të pa pritura e të pa përsëritshme që në thelb ruajnë lidhjen e tyre të ngushtë të shprehjes dhe të bashkëjetesës sonë me hutën dhe ashpërsinë e saj, por edhe me muzën e butë dhe me tingujt e bukur të çiftelisë nëpër dasmë e po edhe në mort! Morti nuk duhet të na i pres udhët tona dhe qëllimin final të tyre, dhe kurrë nuk ka arritur të na i pres!… Është kjo poezia e Isuf Sherifit “ Udha e Kripës”, titulli me të cilin autori pagëzon rrugëtimin e tij në këtë përmbledhje drejt ecjeve tjera në liqenin e tij krijues. 
Poezia e Isuf Sherifit karakterizohet për formën e saj depërtuese, për përmbajtjen, për shkurtësinë e vargut kuptimplotë, që në të shumtën e rasteve fletë më shumë se një shkrim i tërë proze! Kjo e bënë poetin Sherifi, më të fuqishëm më të kapshëm dhe më të madh në kuptimin e filozofisë së mendimit që e zbërthen dhe e vë në letër të kapshëm dhe të prekshëm për lexuesin e çdo rang renditje e niveli përgatitor, këtu qëndron edhe madhështia e tij, bie fjala tek poezia. “Kllapat” 

Në orë të matematikës/ mësuesi Alimani/ na pati mësuar/
si hyjnë dhe si dalin/ numrat në kllapa… 
Më vonë, kur u rrita/ mësova se/ numrat dhe njerëzit/
nuk paskan fort dallim/ kur atyre u vihen kllapat/ ata mbesin të njëjtë/
numra!… 

Poeti Sherifi, e zbërthen në mënyrë kaq të përkryer filozofike nocionin njeri dhe dykuptimësinë e njeriut numër si dhe njëkohësisht të numrit njeri- tek poezia “Kllapat”, në të dyja rastet kur njeriu humbë peshën deri në zvenitjen e një numri para kllapave dhe njëkohësisht kur numri rritë vlerat e shumëzimit të tij me vetveten. Poeti Sherifi, duke qenë edhe vet personazh dhe numër brenda kllapave, ai së bashku me gjeneratën e tij, nuk e vejnë veten në rolin e aktorëve mburravec, por as të atij zhgënjyes të vetëdijshëm për filozofinë e kuptimit të kësaj loje brenda e jashtë kllapave, që në vete ngërthen sakrificat më sublime mbi të cilat poeti dhe brezi i tij numrat, megjithatë i baras vlerësuan me njerëzit në mënyrë triumfale. Poeti në këtë poezi, si edhe në dhjetëra tjera e zbret madhështinë e metaforës në luadhin e krijimtarisë sonë letrare, duke e ulur atë këmbë kryq në kullën e krenarisë dhe të rezistencës kombëtare, që në fakt gjatë rrugës sonë të përgjakjes numrat dhe njerëzit ishin shkrirë në një bashkëdyzim të fuqishëm duke i ndrydhur dhimbjet me dhëmbë! 
Poeti Sherifi, çështjet e shtruara në vargun e tij, nuk i shpreh vetëm formalisht ( sa për të krijuar), ai ka ritmin e vet të rrjedhës, të metrikës, të figurës, të koloritetit, fjalorin e tij të pasur, metaforën e fuqishme, rimën e cila herë- herë qëndron mbi poezinë e tij, ka intonacionin i cili në të shumtën e rasteve shprehet fuqishëm, duke zbuluar nostalgjinë e tij shpirtërore për diçka të humbur rrugëve të gjata të sakrificave dhe labirinteve të shumta që poetit dhe popullit të tonë i kishin dalë pengesë në rrugët e tija. Gjëra këto nga të cilat pak krijues kanë mundur të lirohen, fundi i fundit edhe jeta është e pa kuptimtë, nëse vërtetë njeriu nuk ndjen nostalgji për të kaluarën, për shokët, për natyrën, për vendlindjen, për rininë e dashurinë, për idil e cila fshihet diku thellë, madje edhe mes heshtjes, edhe mes vuajtjeve, edhe mes jetës së lumtur, por edhe mes sakrificave për te arritur atje- përtej së madhërishmes! Duke uruar që fuqia e mendimit të poetit Sherifi të hapëroi më tej, së bashku me kohën e duhur pjellore futur thellë mes imagjinatave, dua që zilia ime, por edhe e krijuesve tjerë të shtohet edhe me për vargun e tij!

Kontrolloni gjithashtu

Zymer Mehani: Iku në përjetësi penë arti Fadil L. Curri

Më 6 prill pushoi zemra e shkrimtarit, gazetarit dhe intelektualit të shquar, Fadil L. Curri …