Ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Melihate Tërmkolli, ka kritikuar ashpër qasjen e kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku, për refuzimin e çdo bashkëpunimi me Lëvizjen Vetëvendosje dhe partitë e ish-opozitës. Sipas saj, kjo tregon mungesë force dhe paaftësi politike. Tërmkolli tha se qëndrimi i LDK-së për parime nuk është i qëndrueshëm, duke vënë në dukje se partia nuk mund të sillet ndryshe në nivel nacional dhe lokal. “Ky barrikadimi i kryetarit të LDK-së është shprehje e një pafuqie dhe një paaftësie, qoftë për të bërë koalicion me VV-në, qoftë me opozitën. Ajo kritikoi edhe ftesën e LVV-së për koalicion, duke e cilësuar “sa për sy e faqe”, dhe shtoi se LDK nuk po vepron as në interes të shtetit, as në interes të partisë. “Vetëm një grupacion interesash që thirret në emër të LDK-së po e drejton partinë, pa lidhje me vlerat historike të saj”, theksoi Tërmkolli. Ish-deputetja akuzoi gjithashtu se brenda LDK-së ka ndodhur largimi sistematik i atdhetarëve dhe kontribuesve të mëdhenj, duke e lënë partinë në duart e njerëzve që, sipas saj, nuk e përfaqësojnë vlerën dhe historinë e saj.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
