Në një konferencë për media në selinë qendrore të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), kryetari Memli Krasniqi njoftoi dorëheqjen e tij nga drejtimi i partisë, duke e cilësuar këtë vendim si “një hap reflektimi dhe përgjegjësie për krijimin e një momentumi të ri për PDK-në”.
Në fjalimin e tij, Krasniqi falënderoi qytetarët, anëtarët dhe mbështetësit e PDK-së për përkrahjen gjatë më shumë se dy dekadave të angazhimit politik.
Ai rikujtoi udhëtimin e tij politik që filloi në vitin 2004 si aktivist i Rinisë Demokratike dhe vazhdoi deri në postin e Kryetarit të PDK-së.
“Ajo që nisi si një angazhim rinor e idealist, u kthye në udhëtimin më të rëndësishëm të jetës sime… Mbi të gjitha, kam pasur nderin e pakrahasueshëm të nënshkruaj Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës”, shtoi Krasniqi.
Duke folur për nevojën e ripërtëritjes brenda partisë, ai theksoi: “Një parti që beson në zhvillim, duhet të besojë edhe në ripërtëritje. Një lidership që kërkon ndryshim për Kosovën, duhet të ketë guximin të krijojë hapësirë për ndryshim brenda vetes. Prandaj, kam vendosur të jap dorëheqje nga pozita e Kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës”.
Krasniqi njoftoi gjithashtu se ka thirrur Konventën e PDK-së për të hënën, më 17 nëntor, ku do të zgjidhet kryetari i ri i partisë. Ai përfundoi fjalimin me mirënjohje dhe urime për partinë dhe vendin.
“Unë largohem nga detyra e Kryetarit të PDK-së me paqe, me mirënjohje dhe me krenari… Zoti e bekoftë PDK-në. Zoti e bekoftë Kosovën”.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
