Mendjet e robëruara të ideologjisë titiste, fokusuar në RTK-në mercenare ( Koment redaksional i Radios-Kosova e lirë)

Përpjekjet konstante të ish-bashkëpunëtorëve të qarqeve të Beogradit, për ta shkelur gjakun e derdhur për lirinë e Kosovës nuk kanë të ndalur. Këta “stallkerë” të përhershëm dhe të përjetshëm të nostalgjisë titiste, nuk mund të shqiten dot nga e kaluara e tyre, madje nuk kanë bërë as edhe përpjekjen më të vogël për të ndërruar bindjet, as pas çlirimit të Kosovës nga robëria sllave. Këto mendje të robëruara sikur kërkojnë ta restaurojnë kohën e tyre “të artë”, të cilën, sipas tyre, e paskan shkatërruar “plëngprishësit” shqiptarë sidomos në mars e prill të vitit 1981.

Dhe, pikërisht në kohën kur po përcaktohet statusi i Kosovës, pikërisht kur Rusia dhe aleatet e saj po pretendojnë ta zvarrisin dhe ta stërkeqin krejt procesin, kolaboracionistët jugosllavë po bëjnë përpjekje që krejt lëvizjen shqiptare në Kosovë prej vitit 1981 e deri në qershor të vitit 1999 ta paraqesin si të panevojshme, duke bërë përpjekje që në këtë mes të identifikojnë shkaktarët e prishjes së bashkim vëllazërimit, ndërsa fajtor kryesor e kanë shpallur Milosheviqin e vdekur në burgun e Sheveningenit, të cilit i kanë shërbyer, disa prej tyre madje edhe besnikërisht, dhe në anën tjetër fajësojnë edhe “lëvizjen e rezistencës” në Kosovë, të cilën, sipas tyre e paskan shfrytëzuar jugosllavët, apo ndoshta edhe e paskan “krijuar” pikërisht për këtë qëllim.

Një refleks të kësaj mendësie të robëruar, në esencë antikombëtare, shikuesit e RTK-së mercenare, kanë pasur rast ta shohin, më 14 prill 2007 prej orës 23.00 deri në 24.00, ne emisionin e ashtuquajtur “Një çerek shekulli” Në dokumentarin e përgatitur nga nostalgjiku i jugosllavizmit, Baton Haxhiu, vërehet në radhë të parë koncepti i degjeneruar i këtij maniaku kolaboracionist, i cili ka përbuzur dhe vazhdon ta përbuz gjakun e derdhur për çlirimin e Kosovës. Për këtë pjesë të emisionit të tij, ai ka zgjedhur ish bashkëpunëtorët më të regjur të regjimit titist-rankoviqist si: Azem Vllasin, Shkëlzen Maliqin, Veton Surroin, Migjen Kelmendin, Mahmut Bakallin, Agim Malën, Zenun Çelajn e të tjerë, të cilët kanë rizbuluar vetveten duke i qëndruar besnikë të përjetshëm vijës jugosllave të të ashtuquajturit ”emancipim të kombësisë shqiptare në Serbi, në përbashkësi me kombet e kombësitë e Jugosllavisë.”

Nuk është për t’ u habitur përse RTK-ja i jep hapësirë të pakufishme ish klasës titiste-rankoviqiste jugosllave, por censuron dhe nuk pranon fare prononcimet e kreut të lëvizjes sonë të rezistencës, sidomos atyre të cilët vepruan prej vitit 1981 e deri në qershor të vitit 1999. E kemi thënë edhe herë të tjera se kjo ndodhi, meqë pas luftës çlirimtare në Kosovë, në krye të mediumeve të informimit publik u rikthyen mendjet e robëruara të ideologjisë titiste dhe ish bashkëpunëtorët e servilët më të dëshmuar të jugosllavizmit. Ky restaurim, ndodhi para syve tanë, meqë një pjesë e krahut të UÇK-së iu bashkua kësaj plehurine projugosllave, me qëllim për të vjelë favore dhe për të realizuar synimet karrieriste politike dhe përfitimet nga trafiqet e ndryshme, të cilat i ka udhëhequr dhe i udhëheq aktualisht ish klasa titiste.

Në paraqitjet e tyre, besnikët e regjimit jugosllav, kanë bërë përpjekje që t’i dëshmojnë dhe t’i materializojnë idetë e tyre “largpamëse” lidhur me zhvillimet politike, shoqërore dhe ekonomike, sidomos prej vitit 1981, kur edhe fillon periudha e ndarjes së pjesës dërrmuese të shqiptarëve nga “përbashkësia dhe bashkim vëllazërimi” me jugosllavët.
Në të gjitha paraqitjet e tyre të deritanishme, shumica e ish regjentëve të regjimeve jugosllave, asnjëherë nuk ka pranuar fajet dhe tradhtinë kombëtare, që kanë bërë duke i shërbyer OZN-ës, UDB-së dhe regjimit të Milosheviqit. Ata madje janë krenuar dhe krenohen me veprimet e tyre edhe sot e kësaj dite, duke bërë përpjekje të harrojnë, e duke mos folur fare për vrasjet, burgosjet, dënimet dhe të gjitha veprimet monstruoze, që kanë ushtruar regjimet jugosllave kundër liridashësve shqiptarë, në kohën kur këta projugosllavë të përbetuar e të neveritshëm i kanë shërbyer me besnikëri po këtyre regjimeve.

Ekzemplari më i neveritshëm i kryeneçësisë kolaboracioniste ka qenë dhe ka mbetur Azem Vllasi, i cili është edhe fajtori kryesor, pse jo edhe i akuzuari i ardhshëm kryesor për krimet, që regjimi titist i ka kryer në vitin 1981 në Kosovë, 11 të martirizuar gjatë demonstratave, dy të vrarë në Prekaz, më 13 maj 1981, 180 të plagosur, e pse të mos jetë Vllasi edhe i bashkakuzuar me të tjerët për kurdisjen e planit të vrasjes pas shpine të tre veprimtarëve shqiptarë anijugosllavë, më 17 janar 1982 në Shtutgart të Gjermanisë dhe për të gjithë të vrarët e tjerë deri në vitin 1989. Vllasi ka mbështetur, mbase edhe e ka shpikur vetë formulimin “kundërrevolucion” me qëllim të vënies së shtetrrethimit në Kosovë, më 3 prill të vitit 1981. Ai është përgjegjësi kryesor për procesin e diferencimit në Universitet, dënimet deri në 20 vjet burg kundër mijëra protestuesve e të tjera. Kjo është përgjegjësi para historisë në radhë të parë, pastaj para popullit dhe familjarëve që kanë humbur bijtë dhe bijat e tyre. Dhe për këtë, herdokur Vllasi dhe “vllasët” gjithsesi se do të përgjigjen.

Ekzemplari tjetër i rritur dhe i edukuar nëpër “pivnicat” dhe mejhanet e Beogradit, Shkëlzen Maliqi, i biri i Mehmet Cikulit, Maliqit, Qorrit, vazhdon të akuzojë viktimat, dhe ata që u ngritën kundër Jugosllavisë së Titos, ata që nuk pranuan “jugosllavizmin” e moderuar të Titos, por u ngritën kundër këtyre “vlerave” humane jugosllave. Ky njeri, dërdëllis për gjoja aktivitetin e tij “kundërshtues” me shkrimet që botonte në Beograd, ku edhe jetonte. Mbase edhe ka harruar ky Shkëlzeni, se shkrimet e tij kanë mbetur, dhe ruhen nga individë të caktuar, ndërsa ai nuk ka guxim që asnjërin prej atyre shkrimeve t’ i botojë në gazetën e tij “Ekspress”, ku do të duhej t’ i botonte për hir të faktit se mbahet i moderuar, i paanshëm politikisht dhe profesionalist në profesionin e gazetarit, gjithsesi.
Këtë nuk e bën dot ky dërdëllisës, i cili në 25-vjetorin e vdekjes së xhelatit Tito, në gazetën e tij “Ekspress” e përkujtoi atë me nderime dhe respekt të veçantë, ashtu sikur i ka hije birit legjitim, apo dobiçit të Titos.

Ekzemplari tjetër i pluhurinës titiste rankoviqiste, Migjen Kelmendi, po ashtu i jugosllavizuari i natyralizuar, i cili me krejt trupin e mendjen e çoroditur lufton kundër gjuhës letrare shqipe dhe kundër kulturës kombëtare që është krijuar në Shqipëri prej vitit 1945 deri në vitin 1991, edhe ky vitin 1981 e konsideron vit të “përmbysjes” më të madhe që paska ndodhur ndonjëherë. Sepse, sipas tij ishte prishur tërë harmonia e deriatëhershme, dhe gjithçka ishte kthyer mbrapshtë. Migjeni tregon se kur kishte shkuar të kërkonte punë, kishte kuptuar se çka po ndodhte në të vërtetë në Kosovë dhe në Jugosllavi, pas vitit 1981. Natyrisht se fajtor për këtë përmbysje të madhe, sipas tij janë ata që organizuan protestat e marsit dhe të prillit të vitit 1981, kur na qenka prishur “dynjaja” e tij e iluzioneve serbe e sllave. Ky, Migjeni, mbase ka harruar se në vitet 90, kur shumica e shqiptarëve ishte çkumbarizuar me serbët, ky shkonte e vinte në Beograd, kontaktonte me rokerët e atjeshëm, nxirrte albume ‘profesionale’ dhe bënte shtatë palë qejfe nën regjimin e Milosheviqit, në kohën kur shqiptarët në Kosovë torturoheshin, burgoseshin dhe vriteshin, po nga ai regjim, në kohën kur për shqiptarët liridashës ishin mbyllur shkollat, fabrikat dhe institucionet, në kohën kur UÇK-ja tashmë i kishte filluar aksionet kundër robërisë.

Një ekzemplar po ashtu i veçantë i jugosllavizmit po ashtu i natyralizuar me politikën e bashkim vëllazërimit, djali i ambasadorit jugosllav, Veton Rexhai Surroi gjithnjë i moderuar, edhe kësaj radhe nuk ndërroi gjë nga mendësia e tij projugosllave. Ai vazhdon të mbetet besnik i moderuar i jugosllavizmit sikur atëherë kur kishte kërkuar që shqiptarët të zgjidhnin të aderueshmit e vet dhe futeshin në parlamentin serb,( meqë shqiptarët për shumë shekuj paskëshin qenë edhe deputetë të parlamentit turk) sikur atëherë kur kishte krijuar “Ujedinjenje” me kumbarët politikë të Jugosllavisë, ose kur kishte “varrosur” dhunën, ose kur kishte kërkuar që shqiptarët durimtarë të demonstronin me lugë, me tiganë e legenë. Surroi, madje tregon shembuj kur ka qenë paksa edhe i censuruar, madje edhe i suspenduar, por asnjë fjalë nuk e thotë Surroi për “kriminelin” Aziz Kelmendi, sikur e quante ai në editorialin e tij të botuar në “Rilindje” dhe për krimin që sipas tij ushtarët shqiptarë kishin kryer në Paraqin, në shtator të vitit 1987. Madje, Surroi asokohe kishte kërkuar të thellohej lufta kundër indoktrinimit dhe kundër të gjithë nacionalistëve shqiptarë, të cilët sipas tij duhej të çrrënjoseshin ose të shfaroseshin. Surroi me siguri se nuk e ka harruar atë artikull, madje as ka deklaruar publikisht se vetë është autor, apo ia kanë shkruar komentin, dhe ky e ka nënshkruar. Sesi ka arritur Vetoni të mbijetojë dhe të përfitojë aq shumë nën regjimin e Milosheviqit, këtë e dinë të gjithë, madje edhe ata që e pasojnë.

Ekzemplari titist, i quajtur Agim Mala, ish drejtor i RTP-së, nuk flet për plaçkitjen e 3 milionë markave, që kishte mbledhur nga shikuesit në Kosovë, në kohën kur RTP-ja ndodhej në krizë financiare dhe kur ky, pasi i kishte tubuar paratë iku nga Kosova dhe shpalli se gjoja paratë ia kishte grabitur regjimi. Edhe ky njeri ka fytyre e faqe të dalë para opinionit dhe të rrëfejë sesi paska ekzistuar censura asokohe, duke harruar se ai ishte kryecensori i RTK-së.

Rikthimi në skenën tonë politike dhe mediale i këtyre krijesave të ish regjimeve okupatore, nuk i bën nder kombit, për më tepër dëmton rëndë interesin kombëtar, sidomos tani kur pritet të vendoset statusi politik për Kosovë.
Dhe nuk është për t’u habitur përse autoritetet ruse insistojnë që shqiptarët e serbët të zgjidhin çështjet e tyre me kompromis, sepse njohësit e mirë të rrethanave në Kosovë, e dinë se ideja e “jugosllavizimit të kosovarëve” ka shumë ithtarë, madje edhe në vetë Ekipin e Unitetit. Pikërisht për këtë Rusia insiston në një zgjidhje kompromisi, zgjidhje të pranueshme për serbët dhe për shqiptarët. Me shqiptarët e tillët, si këta që kemi apostrofuar dhe të ngjashëm, të cilët tashmë i njohim dhe u dimë prejardhjet, me ndonjë përjashtim të veçantë, mund të krijohet një republikë serbe shqiptare, ku do të qeverisnin të tillët. Mirëpo, rusët dhe përkrahësit e kësaj ideje, megjithatë kanë harruar se kjo plehurinë është ngritur me ndihmën e UNMIK-ut, por nuk i ka rrënjët në aspiratat liridashëse të popullit shqiptar, dhe si e tillë është pjellë e panatyrshme, e cila nuk do të lejohet t’i degradojë proceset pozitive në Kosovë, të cilat u arritën falë gjakut të derdhur për liri, falë sakrificave të të gjitha brezave, që nuk u pajtuan me robërinë as me jugosllavizimin e shqiptarëve. Këta nostalgjikë të papërmirësueshëm të jugosllavizmit nuk e kanë mbështetur luftën tonë çlirimtare, për me tepër kanë përfituar dhe vazhdojnë të përfitojnë favore, në Kosovën që është çliruar nga gjaku i dëshmorëve dhe martirëve të kombit.

Pikërisht sepse u lejua që skenën tonë politike e mediatike ta drejtojnë ish komisarët e bashkim vëllazërimit, pikërisht për këtë, për tetë vjet rresht mbeti pezull statusi i Kosovës. Dhe, kjo nuk ndodhi rastësisht. Për tetë vjet këta dhe të tillët nuk lanë gurë pa lëvizur kundër UÇK-së, kundër organizatorëve të kryengritjes shqiptare të Marsit dhe Prillit të vitit 1981 dhe kundër lëvizjes aktive çlirimtare në përgjithësi. Dhe, në këtë drejtim me shantazhe, yshtje, karreme, futën në lojë edhe një segment të caktuar të disa individëve nga lëvizja çlirimtare, e cila duke pranuar bashkëpunimin me ta, përfituan vetë dhe ua përforcuan pozitat këtyre kolaboracionistëve të përjetshëm.

Këta politikanë kanë pranuar dhe pranojnë çdo zgjidhje të negociueshme për statusin e Kosovës. Pikërisht sepse fati i Kosovës ka mbetur në duar të kësaj klase, Kosova nuk do të fitojë pavarësi të plotë, madje ka rrezik që me insistimin e Rusisë, këta përfaqësuese të rryer e të kalitur të shkollës titiste jugosllave, të pranojnë një status edhe më të degraduar për Kosovën, gjë që do të çonte në një shpërthim të rrufeshëm të forcave çlirimtare.

Kontrolloni gjithashtu

Besnik Bislimi

Besnik Bislimi nuk pajtohet me qëndrimin e Serbisë në dialogun për çështjen e përdorimit të dinarit serb në Kosovë

Pas takimit në Bruksel, për çështjen e dinarit, zëvendësi i Kurtit, Besnik Bislimi, ka shprehur …