Mërgata jonë në Zvicër e kujton me krenari Skënderbeun

Mërgata jonë në Zvicër e kujton me krenari Skënderbeun

Mërgata jonë në Zvicër e kujton me krenari Skënderbeun. LAPSH ’Naim Frashëri’, Kantoni i Argaut, organizoi simpoziumin shkencor ‘550-vjetori i vdekjes së Gjergj Kastriotit- Skënderbeut’. Simpoziumi u mbajt në Vindish, më 23.6.2018. Pas fjalës së mirëseardhjes nga Riza Demaj, kryetar i LAPSH-it, përshëndetjeve nga ambasadori, Ilir Gjoni, dhe ministri këshilltar, Mustafë Xhemajli, fjalën e hapjes e mbajti prof. dr. Frashër Demaj, anëtar korrespondent në ASHAK. Kumtuan profesorët dhe studiuesit nga Prishtina, Tirana e mërgata: prof. dr. Frashër Demaj, ‘Atakimi i figurës  së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, tendencë antishqiptare’; msc. Shaban Arifaj, ‘Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në shkrime publicistike-letrare’; prof. asoc. dr. Teki Kurti, ‘Gjergj Kastrioti –Skënderbeu, princ i Arbërisë (DominusAlbania)’; dr. sc. Vaxhid Sejdiu, ‘Figura e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në tekstet e shkollës shqipe’; prof. dr. Zymer Ujkan Neziri, ‘Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në legjenda e në gojëdhëna popullore’. Interesimi ishte shumë i madh. Salla ishte përplot me të pranishëm. Me interes ishin edhe diskutimet e pjesëmarrësve: Ibish Neziri, Salih Z. Lajçi, Adem Osmani, Jakup Osmani, Xhevdet Muji, për: Skënderbeun në Prishtinë, 1448, Gazimestanin, mbrojtjen ligjore të figurës së Skënderbeut, arkivat e Stambollit,  folklorin arbëresh etj. Fjalën e mbylljes e mbajti prof. dr. Zymer Ujkan Neziri. Pos simpoziumit, u shfaq edhe një dokumentar dhe një program i pasur kulturor-artistik, kushtuar Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.  Edhe të nesermen, në ditën e shkollës shqipe në Kantonin e Argaut, në sallën e mbushur përplot, si zakonisht, me nxënës e prindër, vazhdoi programi me këngë, valle e recitime të fëmijëve tanë në atë kanton. Dhe, Skënderbeu prapë ishte në qendër të vëmendjes, krahas gjuhës shqipe e flamurit kombëtar. Ata, të veshur në rroba kombëtare, vajza e djem, dëshmonin dashurinë e madhe që kanë për kryeheroin tonë, për të parët tanë dhe për traditën tonë të lashtë.

(Zymer U. Neziri)

Kontrolloni gjithashtu

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci thotë se deri tani janë vaksinuar mbi 55 mijë punëtorë të stafit arsimor

Arbërie Nagavci pranon se librat shkollorë kanë kushtuar më shumë këtë vit, por s’jep shifër konkrete

Deputetja dhe ish-ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka pranuar se librat për këtë vit shkollor …