Romani “Saga e Malmirit” i Ahmet Qeriqi u shpërnda falas dje, më 7 mars, në ditën e ikjes së tij në amshim dhe njëkohësisht në Ditën e Mësuesit, e cila festohet kudo ku jetojnë shqiptarë. Ishte një përkim domethënës: dita e dijes dhe e mësuesit u bë edhe ditë kujtimi për një njeri që për dekada të tëra i shërbeu fjalës, kulturës dhe lirisë së vendit të tij. Salla e Kuqe doli e vogël për të ndarë kujtimin për Ahmetin; kishin ardhur njerëz nga shumë anë për të nderuar një figurë të rëndësishme, një njeri që me gjithë qenien e tij kishte përshkuar një rrugë të gjatë dhe të mundimshme për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Ahmet Qeriqi, po të kishte zgjedhur të merrej vetëm me punët e veta dhe të mos përfshihej në rrjedhat e kohës, ndoshta do të kishte jetuar më qetë në periudhën jugosllave. Por ndërgjegjja e tij nuk e lejoi kurrë një gjë të tillë. Ajo e thërriste vazhdimisht që të mos bënte sehir ndaj padrejtësive dhe të kërkonte të drejtat elementare për popullin e vet: lirinë, dinjitetin dhe të drejtën për të vendosur për fatin e tij, as më shumë e as më pak se sa parashihnin konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe për të drejtat e popujve. Kjo thirrje e brendshme e shoqëroi gjatë gjithë jetës së tij dhe u bë boshti i veprimtarisë së tij kulturore, mediale dhe atdhetare.
Kjo frymë qëndrese dhe përkushtimi reflektohet qartë edhe në romanin e tij të fundit, Saga e Malmirit, një vepër me karakter historik dhe shoqëror që përshkruan jetën e shqiptarëve në Kosovë gjatë periudhave të vështira historike. Në këtë roman, Ahmet Qeriqi ndërton një rrëfim të gjerë përmes personazheve dhe familjeve të një treve simbolike, duke trajtuar vuajtjet, qëndresën dhe përpjekjet e popullit për të ruajtur identitetin dhe dinjitetin e tij. Ngjarjet lidhen shpesh me realitetin e Drenicës dhe me periudha të represionit të ashpër, duke përfshirë edhe aksionet e dhunshme të pushtetit jugosllav kundër shqiptarëve. Nëpërmjet kësaj sage, autori përpiqet të ruajë në kujtesën kolektive dramën historike të një populli që përballoi padrejtësi të shumta, por që nuk hoqi dorë nga aspirata për liri.
Vetë krijimtaria e Ahmet Qeriqit është dëshmi e një përkushtimi të pandërprerë. Që nga vitet ’70 dhe ’80 ai shkruante me pasion dhe përgjegjësi, pa u ndalur asnjëherë deri në ditët e fundit të jetës së tij. Shkrimet e tij, qofshin publicistike apo letrare, bartnin gjithmonë një mesazh të qartë: dashurinë për atdheun dhe nevojën për ta mbrojtur identitetin kombëtar. Në një kohë kur propaganda jugosllave përpiqej të krijonte imazhin e një shteti të drejtë dhe të barabartë për të gjithë, realiteti shpesh ishte i kundërt për shqiptarët. Pikërisht në këtë realitet u formua edhe qëndresa e Ahmetit, i cili nuk e ndaloi zërin e tij, pavarësisht presioneve dhe rreziqeve.
Ashtu si shumë veprimtarë të tjerë të kohës, ai vazhdoi rrugën e rezistencës pa e humbur për asnjë çast besimin në liri. Për të, liria ishte thelbi i ekzistencës së një populli. Ajo duhej fituar dhe mbrojtur, sepse pa të nuk kishte as dinjitet, as të ardhme. Në këtë kuptim, përfytyrimi i lirisë për të ishte pothuajse biblik – si një tokë e premtuar drejt së cilës duhet të ecësh me durim dhe sakrificë, ashtu siç përshkruhet në historitë e lashta të njerëzimit. Edhe Ahmeti mbarti mbi shpatullat dhe në shpirtin e tij përvoja të rënda të përndjekjes dhe presionit nga regjimi jugosllav, një regjim që shpesh thirrej në parime socialiste dhe kushtetuta të bukura, por që në praktikë shpesh i shkelte të drejtat e popujve.
Përveç romanit Saga e Malmirit, Ahmet Qeriqi ka shkruar edhe shumë libra dhe shkrime të tjera që lidhen me historinë, luftën dhe dëshmitë e kohës. Veprat e tij përfshijnë publicistikë, kujtime dhe analiza historike për veprimtarinë e Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe për ngjarjet që çuan në çlirimin e Kosovës. Nëpërmjet këtyre librave dhe shkrimeve ai synoi të dokumentojë përjetimet personale dhe kolektive të shqiptarëve gjatë periudhave të rezistencës dhe ndryshimeve historike. Këto shkrime përbëjnë një pjesë të rëndësishme të kujtesës historike dhe shërbejnë si dëshmi për brezat që vijnë.
Rrugëtimi i tij ishte tejet i vështirë. Ai rrezikoi jo vetëm veten, por edhe familjen e tij, duke qëndruar përballë një sistemi që nuk toleronte kundërshtimin. Megjithatë, siç thoshte edhe Benjamin Franklin, rebelimi ndaj tiranisë është bindje ndaj Zotit dhe ndaj ndërgjegjes njerëzore. Ky mendim duket se ishte i rrënjosur thellë edhe në shpirtin e Ahmetit, sepse as vuajtjet, as presionet nuk arritën ta gjunjëzonin.
Janë të shumta vuajtjet dhe sfidat që ai përjetoi gjatë jetës së tij, aq sa për t’i përshkruar ato do të duhej një monografi e tërë. Rrugëtimi i tij atdhetar u kurorëzua me momentet më të rëndësishme historike për Kosovën: çlirimin në qershor të vitit 1999 dhe shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt 2008, ngjarje që ai i deshi dhe i priti me gjithë qenien e tij.
Është një fat i rrallë që një njeri të jetojë aq gjatë sa ta shohë realizimin e ëndrrës për të cilën ka punuar gjithë jetën. Ahmet Qeriqi e përjetoi këtë moment historik, duke parë Kosovën si shtetin më të ri të Evropës. Dhe me këtë ndjenjë përmbushjeje ai mbylli sytë më 7 mars të vitit 2025. Ishte një personalitet që i kushtoi rëndësi të madhe dijes dhe arsimit, por njëkohësisht edhe angazhimit në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke kontribuar në themelimin e Radio Kosova e Lirë, e cila në janar të vitit 1999 për herë të parë kumboi me fjalët: “Ju flet Kosova e Lirë”.
Ky ishte momenti kur u hap një dritare shprese për popullin e Kosovës. Zëri i radios u bë zëri i lirisë, një dritë që përhapte shpresë në kohët më të errëta të luftës. Në atë kohë Ahmeti, së bashku me një grup bashkëpunëtorësh dhe me mbështetjen e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, po hapte një dritare shprese për të gjithë. Ishte një shpresë që ai vetë e kishte bartur për dekada në shpirtin dhe në përvojën e tij jetësore.
Prehu në paqe, shpirt fisnik dhe lapidar i kujtesës sonë.
Shkruan: Mërgim Bekteshi
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
