Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka dërguar një mesazh të drejtpërdrejtë dhe kritik për vitin 2026, duke vënë në pikëpyetje serioze kapacitetin politik të Kosovës për të rikthyer besimin ndërkombëtar dhe për të ecur drejt stabilitetit e integrimeve euroatlantike. Hargreaves thekson se vendi nuk mund të vazhdojë të mbështetet në mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë pa marrë vetë përgjegjësi të qarta politike. Ai kritikon mungesën e një qeverie stabile dhe funksionale, vonesat në miratimin e buxhetit dhe bllokimin e marrëveshjeve kyçe ndërkombëtare, duke paralajmëruar se këto dështime dërgojnë sinjale negative për aleatët dhe investitorët. Në qendër të kritikës së ambasadorit qëndron dialogu me Serbinë, të cilin ai e konsideron testin më të madh politik për institucionet e Kosovës. Hargreaves kërkon iniciativë, guxim dhe vullnet politik për zbatimin e marrëveshjeve të arritura, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, duke e bërë të qartë se pa këtë angazhim, paqja dhe stabiliteti afatgjatë mbeten të paarritshme. Hargreaves lidh drejtpërdrejt progresin në dialog me aspiratat euroatlantike të Kosovës, përfshirë anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe synimin afatgjatë për NATO. Ai rikujton se respektimi i marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit, përfshirë çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, mbetet kusht thelbësor për avancim ndërkombëtar.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
