leoni

PhD(C) Miftar KURTI: AHMET SELACI DHE LUFTA NË SHALËN E BAJGORËS KUNDËR RIPUSHTIMIT JUGOSLLAV TË KOSOVËS (Tetor 1944-shkurt 1947) II

Miftar KURTI: VEPRIMTARIA LUFTARAKE E ZONËS OPERATIVE TË SHALËS SIPAS SHTYPIT SERB DHE MALAZIAS (1998-1999)

Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte e shtrirë pothuajse në gjithë Kosovën. Në përbërjen e saj kishte 7 zona operative[1]. Njëra nga to ishte Zona Operative e Shalës (ZOSH), e cila është formuar (fillimisht si nënzonë) më 28 qershor 1998. Komandant i saj ka qenë Rrahman Rama. Shtrihej në territorin e Komunave të Mitrovicës, Vushtrrisë, Leposaviqit dhe Zubin Potokut. Kufizohej me Zonën Operative të Drenicës dhe Zonën Operative të Llapit. Përbëhej nga dy brigada: Brigada 141 “Mehë Uka” dhe Brigada 142. Brigada 141 përbëhej nga katër batalione, Njësia Speciale dhe Njësia për Intervenime të Shpejta, kurse Brigada 142 kishte dy batalione. Pjesë e strukturës të ZOSH ishte edhe Njësia Speciale[2]. ZOSH kishte rreth 2500 ushtarë[3]. Veprimet luftarake të saj kanë nisur nga fillimi i muajit qershor 1998 dhe kanë zgjatur deri në qershor 1999. Aksionet, betejat dhe veprimet e tjera luftarake të ZOSH-it kanë zënë hapësirë në shtypin e kohës: në Kosovë, Shqipëri, Serbi, Mal të Zi, Gjermani, Francë, Spanjë, Itali, Britani, SHBA etj. Në fokus të këtij punimi është mënyra se si është pasqyruar në shtypin serb e malazias veprimtari luftarake e ZOSH kundër forcave të policisë dhe Ushtrisë Jugosllave (UJ).

Disa nga gazetat dhe revistat ku ZOSH ka zënë hapësirë në faqet e tyre janë: Jedinstvo, Borba, Politika, Nasha borba, Veçernje novosti, Vreme, Republika, NIN, Glas javnosti (Serbi); Pobjeda, Vijesti, Dan (Mali i Zi) etj. Nëpër faqet e tyre janë botuar artikuj të ndryshëm: lajme, kronika, reportazhe, kumtesa; intervista, opinione, deklarata; analiza dhe komente të ndryshme.

Është vështirë të thuhet saktë se kur janë botuar artikujt e parë për veprimtarinë e kësaj zone. Mirëpo, për aq sa kam pasur mundësi të hulumtoj, rezulton se në muajin korrik 1998 janë botuar artikujt e parë[4]. Duhet thënë se shtypi serb dhe malazias ka përdorur kundër UÇK-së një diskurs, një gjuhë denigruese, vulgare, plot urrejtje, fyese dhe kërcënuese, madje edhe armiqësore. Kjo bie në sy te një numër i konsiderueshëm i artikujve[5]. Fjalët kyçe në diskursin e tyre janë: terrorist, bandit, separatist, ballist, ekstremist dhe shiftari. Përtej diskursit të tyre plot mllef dhe urrejtje, në shtypin në fjalë gjejmë artikuj për luftimet e zhvilluara në Pantinë, Ashlan dhe Akrashticë; në fshatrat përreth minierës Trepça (ashtu u referoheshin luftimeve që zhvilloheshin në Mazhiq e Melenicë etj.); për Ofensivën e 15-18 shtatorit[6] në rajonin e Shalës së Bajgorës dhe Ofensivën (Operacionin) e 22-25 shtatorit 1998 në rajonin e Qyqavicës[7]; për zënien rob të 8 ushtarakëve të Ushtrisë Jugosllave më 8 janar 1999 dhe arritjen e marrëveshjes (më 13 janar) për shkëmbimin e tyre me 9 ushtarë të UÇK-së, por edhe për luftimet e zhvilluara në Shipol e Vaganicë dhe fshatrat tjera në rajonin e Komunës së Mitrovicës dhe Vushtrrisë, përkatësisht nga Shala e Bajgorës deri në Qyqavicë janar-prill 1999.

Sa për ilustrim po japim në vazhdim disa nga titujt e artikujve që lidhen me veprimtarinë luftarake në ZOSH 1998-1999, të cilat janë shkëputur nga shtypi i Beogradit dhe Podgoricës. Ja disa prej tyre:

 “Drama e fshatit serb Pantinë, pranë Mitrovicës së Kosovës”, “U zmbraps sulmi terrorist në Stari Tërg-Nuk ka të lënduar” [8]; “Sulm terrorist në stacionin e policisë” [9]; “Sulm terrorist në Stari Tërg”, “Terroristët shqiptarë sërish kanë sulmuar Stari Tërgun” [10]; “Konflikt në Klinë e Mitrovicë të Kosovës”, “Shtatë të vrarë”, “Kanë vazhduar konfliktet”, “Luftime në Qyqavicë” [11]; “Dialog-kur bandat terroriste t’i hedhin armët”, “U vra polici Marinko Kandiq”, “Dy policë u plagosën rëndë”, “U neutralizuan bandat terroriste”, “Është zhbllokuar pjesa më e madhe e malit Qyqavica” [12]; “Civilët” me pushkë”, “Bien bunker pas bunkeri”, “Kaqës i mbetet pikëllimi” [13]; “Vritet një oficer i UÇK-së” [14]; “UÇK-ja zuri tetë ushtarë të Ushtrisë Jugosllave”, “Tetë ushtarët e UJ u liruan nga paraburgimi”, “U liruan nëntë ushtarët e UÇK-së” [15]; “Drama e ushtarëve të rrëmbyer”, “Shkëmbimet e të burgosurve” [16]; “Letra dhe fotografi për familjet”, “Bisedohet për afatin e lirimit të ushtarëve të UJ”, “Marrëveshja e lirimit”, “Ushtarët e rrëmbyer shëndosh e mirë”, “Njoftim i SHP të UJ: Nëse duhet do ta përdorim forcën”, “Ushtarët janë liruar”, “Dhjetë shqiptarëve u vazhdohet paraburgimi”, “Të shtëna në Shipol të Mitrovicës”, “Vazhdimësi konfliktesh tek Mitrovica e Kosovës”, “Në konflikt me policinë tek fshati Vaganicë”, “Nga paraburgimi në Nish u liruan nëntë terroristë”, “Në Kaçanik plagosen shtatë, ndërsa në Vushtrri vritet një pjesëtar i UÇK-së”, “Terroristët shqiptarë në malet e Qyqavicës sulmojnë pjesëtarët e MPB në fshatin Mihaliq të Vushtrrisë”, “Plagoset oficeri dhe dy ushtarë [17] etj.

Siç mund të shihet edhe nga titujt e artikujve të gazetave dhe revistave, shtypi në fjalë shkruan për ballafaqimet e para mes njësiteve të UÇK-së dhe forcave ushtarake-policore jugosllave në Betejën e Pantinës. Në atë betejë, sipas artikullit të gazetës “Novosti” të datës 13 korrik 1998, u zhvilluan luftime të ashpra[18]. Po atë ditë, sipas gazetës tjetër “Nasha borba”, luftime të ashpra u zhvilluan edhe rreth Minierës “Trepça” në Stantërg, por edhe në Mazhiq të Shalës së Bajgorës[19]. Kurse gazeta “Politika”, duke iu referuar Agjencisë së lajmeve Tanjug, shkruan se …natën e 12 korrikut 1998, rreth orës 23, banda të armatosura të “terroristëve shqiptarë” kanë sulmuar stacionin policor në Stari Tërg afër Mitrovicës së Kosovës, dhe kanë shtënë nga shumë drejtime me armë automatike[20]. Një ditë më vonë, në një lajm të gazetës “Novosti”, të datës 14 korrik, thuhet se pjesëtarët e UÇK-së, më 13 korrik, nga ora 23 e deri në orën 5 të mëngjesit kanë hapur zjarr mbi stacionin e policisë në Stari Tërg[21].

Për luftimet mes UÇK-së dhe forcave jugosllave janë publikuar artikuj edhe në muajt gusht dhe shtator. Në gazetën “Jedinstvo” të datës 1 shtator 1998, është publikuar lajmi i radhës për një sulm të pjesëtarëve të UÇK-së më 31 gusht 1998 në Stantërg. Aty thuhet se pjesëtarët e UÇK-së rreth orës 19:00…, nga shumë drejtime kanë hapur zjarr mbi policët të cilët kishin ardhur me autobus në Statërg për të marrë detyrën. Policët i janë kundërpërgjigjur sulmit… [22].

Një numër i konsiderueshëm i artikujve është botuar përgjatë gjysmës së dytë të muajit shtator 1998, atëherë kur edhe zhvillohen luftime të ashpra si pasojë e “Operacionit Bajgora “98” [23] që kishte ndërmarrë ushtria dhe policia. Artikujt ofrojnë të dhëna konkrete për humbjet e forcave policore dhe ushtarake në ballafaqim me njësitet e UÇK-së. Gazetat“Jedinstvo”, “Politika” dhe “Pobjeda” etj., të datës 16 shtator 1998, shkruajnë se “bandat e armatosura” (njësitet e UÇK-së-M.K.) “…e kanë sulmuar, me ndërprerje të shkurtra, stacionin e policisë në Stari Tërg. Sipas tyre, është shtënë nga armë të ndryshme këmbësorie mbi objektet ku janë të dukshme dëmtimet e shkaktuara nga predhat, kurse pjesëtarët e Ministrisë së Punëve të  Brendshme (MPB) i janë kundërpërgjigjur sulmit. Zyrtarët e MPB-së, të cilëve u referohet shtypi, pranojnë se gjatë atyre sulmeve kanë mbetur të plagosur pesë policë serbë, të cilëve u është dhënë ndihma në repartin kirurgjik në spitalin e Mitrovicës[24].

Për humbjet që kanë pësuar pjesëtarë e MPB-së gjatë luftimeve me njësitet të UÇK-së, kanë shkruar: “Jedinstvo”, “Politika”, “Novosti” dhe “Pobjeda” të datës 17 shtator 1998. Te të gjitha këto gazeta publikohet lajmi për vrasjen e një polici*, më 16 shtator, rreth orës 17, në afërsi të Stanërgut, Komuna e Mitrovicës, gjatë një sulmi mbi policinë, kurse në përleshjet në këtë zonë njoftohet edhe për plagosjen rëndë të një  polici tjetër*. Me këtë rast lehtë ishin plagosur edhe tre policë tjerë. Gjithashtu, njoftohet se gjatë luftimeve mes Statërgut dhe fshatit Bajgorë në verilindje të Mitrovicës së Kosovës, kanë mbetur të vrarë gjashtë pjesëtarë të “Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, të cilët ishin të veshur me uniforma të zeza. Gjithashtu janë publikuar lajme se si në mëngjesin e 16 shtatorit, grupe të ekstremistëve shqiptarë në shumë raste kanë hapur zjarr nga pushkë automatike, mitraloza e minahedhës mbi pozicionet e policisë sipër Statërgut në drejtim të fshatit Bajgorë. [25]

Siç mund të vërehet, në një pjesë të shtypit, janë dhënë emrat dhe mbiemrat, datat dhe vendet e lindjes dhe të rënies së policëve të vrarë dhe të plagosur. Aty-këtu publikohet edhe numri i pjesëtarëve të UÇK-së të vrarë në luftime me forcat jugosllave. Përmenden, ndër të tjera, edhe tipat dhe llojet e armëve (pushkë automatike, mitraloza dhe minahedhës), të cilat i kanë përdorur pjesëtarët e UÇK-së.  

Për luftime mes UÇK-së dhe forcave policore të MPB-së, gazetat (Jedinstvo, Pobjeda, Politika dhe Novosti) publikojnë lajme për sulmet e pjesëtarëve të UÇK-së mbi policinë tek Lagja Hyseni, në verilindje të Mitrovicës së Kosovës, ku janë plagosur rëndë dy policë (Marinko Kandiq nga Peja dhe Nenad Jovanoviq.), kurse dy policë të tjerë (nuk përmenden emrat-M.K.) janë plagosur lehtë[26].

Shtypi serb si bastione të forta të UÇK-së në Shalën e Bajgorës veçon fshatrat Bare, Melenicë, Mazhiq, Kaçanoll, Dedi, por edhe Pasomë[27], kurse në rajonin e Qyqavicës si bastione veçohen Pantinë, Akrashticë, Gllavotin, Balinc dhe Bivolak etj. [28].

Edhe për luftime të ashpra në rajonin e Qyqavicës më 22-25 shtatorit 1998 gjatë “Operacionit Qyqavica” [29] janë botuar artikuj. Gazeta “Novosti” e datës 24 shtator 1998, ndër të tjera shkruan për  “luftimet të ashpra” mes dy palëve, me ç’rast pjesëtarët e UÇK-së sulmojnë edhe me minahedhës. Sipas tyre, “edhe pse zyrtarisht nuk konfirmohet, mësohet se ka të vrarë në mesin e policëve”. Emrat e tyre, sipas gazetës, edhe më tutje nuk bëhen të ditur. Megjithatë, është konfirmuar “vetëm fakti se në klinikën spitalore janë shtruar 3 policë të plagosur[30]. Një ditë më vonë, e njëjta gazetë (“Novosti”) publikon lajmin se “para tre ditësh në fshatin Oshlan, pranë Vushtrrisë, është vrarë rreshteri i klasit I në MPB të Serbisë, Millosh Bradiq (35). Lajmi për vrasjen e njërit nga policët më të mirë, thuhet në vazhdim, i ka tronditur rëndë kolegët, eprorët e miqtë…” [31]

Përveç lajmeve, komunikatave, kronikave nga korrespodentë, gazetarë e publicistë etj., në faqet e shtypit gjejmë edhe analiza të ushtarakëve dhe doktorëve të shkencave politike. Kështu, analisti ushtarak dhe doktori i shkencave politike, Miroslav Haxhiq, në një analizë të gjatë dhe gjithëpërfshirëse, fillimisht flet për një farë “Ofensive pranverore” të  UÇK-së, siç e quan ai, dhe më pas për “ofensivën sulmuese” (shtator-M.K.), siç e quan ai, të policisë dhe ushtrisë serbe. Sipas tij:

Në periudhën maj-tetor 1998, aktorët serbë dhe shqiptarë kryen një verifikim të armatosur të vlefshmërisë së ideve të tyre taktike. Gjithkush, sigurisht, e testonte (e provonte) atë që kishte. Testimi filloi me një ofensivë pranverore nga UÇK-ja dhe vazhdoi me ofensivën sulmuese nga ana e policisë dhe ushtrisë serbe, për t’u ndërprerë me marrëveshjen e S. Millosheviçit dhe R.Holbrukut[32]

Ajo që bie në sy shpesh gjatë leximit të artikujve është fakti se në vend që shtypi të informojë drejtë, të jetë i paanshëm, ashtu siç e kërkon etika profesionale, gazetarë dhe analistë tregohen të njëanshëm, shpifin, akuzojnë, dhe sikur e marrin edhe rolin e prokurorit dhe gjykatësit kundër UÇK-së si dhe çdo gjëje shqiptare[33]

Një ngjarje që e ka sfiduar jo vetëm Drejtësinë, Ushtrinë Jugosllave dhe Diplomacinë, por edhe Republikë Federative të Jugosllavisë (Serbi-Mali i Zi), kryetar i së cilës  ishte Sllobodan Millosheviçit, madje edhe shtypin e këtij shteti, është zënia rob e 7 ushtarëve dhe të një nënoficeri të Ushtrisë Jugosllavë[*]nga UÇK-ja më 8 janar 1999 (në fshatin Bare, Komuna e Mitrovicës) dhe arritja e marrëveshjes për shkëmbimin e tyre me 9 ushtarakë të UÇK-së[*][34]

Lidhur me këtë ngjarje nuk janë shkruar e botuar thjesht lajme, kumtesa, kronika dhe reportazhe, por edhe analiza të cilat nxjerrin në shesh disa të dhëna të cilat organizmat e sigurisë të regjimit të Millosheviqit, kanë bërë përpjekje t’i kalojnë në heshtje, t’i fshehin, të mos i bëjnë publike, mirëpo jo çdoherë ia kanë arritur. Ja disa prej tyre. Gazeta dyjavore “Republika” në rubrikën e saj “Kronika”, në mesin e ngjarjeve kryesore përgjatë muajve janar-prill 1999, veçon edhe zënien rob nga UÇK-ja të 8 ushtarakëve të UJ-së. Kështu gazeta në fjalë njofton se më 8 janar,  UÇK zuri rob tetë ushtarë të Ushtrisë Jugosllave (UJ). Më 9 janar, njofton për fillimin dhe vazhdimin e negociatave mes MV të OSBE në Kosovë dhe UÇK-së për lirimin e ushtarëve të UJ-së, kurse më 11 janar, njofton se si Ministri norvegjez i Punëve të Jashtme dhe kryetari i OSBE-së, diplomati norvegjez Knut Volebaek, ishte takuar në Beograd me presidentin jugosllav Sllobodan Millosheviq për shkak të krizës së shkaktuar nga zënia e tetë ushtarëve të UJ-së. Ndërkaq, më 13 janar, kjo gazetë njofton për lirimin, siç thotë nga paraburgimi, të ushtarëve të UJ-së. Mirëpo, në rubrikën e njëjtë “Kronika”, më 23 janar 1999, thuhet se “anëtarët” e UÇK-së janë liruar në bazë të një marrëveshjeje për shkëmbimin e tetë ushtarëve të UJ-së, të cilët janë liruar nga UÇK-ja dhjetë ditë më parë[35].

Gazeta javore “Vreme” i ka kushtuar një hapësirë të konsiderueshme kësaj ngjarjeje. Ja se si e përshkruhet mënyra e zënies rob e 7 ushtarëve dhe 1 nënoficeri të Ushtrisë Jugosllave, nga analisti serb Zoran B. Nikoliq:

Në mëngjesin e ditës së premte, më 8 janar 1999, në afërsi të vendbanimit minerar Stari Tërg, në pjesën e Kosovës të malit Kopaonik, një ekip i policisë ushtarake prej tetë anëtarësh të kryesuar nga udhëheqësi i lartë Dragan Jugoviç nga Kragujevci, mori një urdhër për të marrë pajisjet dhe për të shkuar në vendin e ngjarjes për të zhvilluar një hetim pasi në mbrëmjen e së enjtes ishte përmbysur një autoblindë (nuk sqarohet se si ka ndodhur-M.K).Kjo është ajo që kërkojnë rregulloret. Ishte mjegull e dendur… Policët ushtarakë në mjegull u kthyen me shpejtësi dhe hasën patrullën e UÇK-së në fshatin Bare… Skuadra e policisë ushtarake u dorëzua pa rezistencë, edhe pse njoftimi i shërbimit informativ të UÇK-së flet për “rezistencën e pasuksesshme” të patrullës ushtarake. Sidoqoftë, përballë një patrullimi ushtarak me një patrullë ushtarake, askush nuk u plagos[36].

Për mënyrën se si ka ardhur deri te kjo ngjarje, analisti tjetër, Milosh Vasiç, shkruan:

Praktikisht, ndodhi si vijon: policia ushtarake e Ushtrisë së Jugosllavisë u nis në një automjet në terren për të kryer një hetim…, u kthye në vendin e gabuar dhe kaloi në territorin nën kontrollin e një UÇK të paligjshëm. Atje ajo u rrethua dhe iu dorëzua kundërshtarit (UÇK-M.K.), sepse rezistenca e mundshme do të ishte e kotë dhe vetëvrasëse[37]

Përveç për mënyrën se si u zunë, analistët flasin edhe për dramën që u zhvillua derisa ishte arritur marrëveshja për lirimin përkatësisht shkëmbimin e robërve të luftës. I pari, Zoran B. Nikoliq, në vazhdim të analizës së tij shkruan:

Gjatë kohës sa ushtarët e UJ-së mbaheshin nga UÇK, Christopher Hill, i dërguari i posaçëm i SHBA për Kosovën, WolfgangPetritsh, i dërguari i posaçëm i BE dhe William Voker, kreu i Misionit të Verifikimit të Kosovës, negociuan me oficerët më të lartë të UÇK-së në fshatin Likovc të Drenicës… UÇK, sipas tij, së pari kërkoi që pala jugosllave të lirojë të gjithë shqiptarët “të mbyllur dhe të rrëmbyer”. Pastaj, UÇK-ja bëri një kërkesë më të arsyeshme.  “U deshën ditë për të kërkuar një shkëmbim,” tha një diplomat perëndimor për “Vreme”[38].

Në vazhdim të analizës së tij, Milosh Vasiç, shprehet se si shteti serb përpiqej ta mbante fshehur zënien rob nga opinioni për ta ruajtur imazhin e vet. Sipas tij, Komanda lokale e UÇK-së vendosi të shfrytëzojë mundësinë dhe të kërkojë shkëmbimin e këtyre tetë ushtarëve për nëntë prej njerëzve të saj të cilët ishin arrestuar më herët gjatë përpjekjes për të kaluar kufirin nga Shqipëria dhe që ishin nën juridiksionin e Gjykatës Ushtarake të Ushtrisë së Tretë në Nish, nën paraburgim dhe nën hetim. Bisedimet e fshehta kanë filluar me ndërmjetësimin e misioneve të huaja në Kosovë. Siç duket, aktorët nuk ngurrojnë të flasin për këtë – është arritur një marrëveshje e fshehtë për shkëmbim. Sidoqoftë, fshehtësia nuk u ruajt: marrëveshja u zbulua nga publiku. Kjo kishte shkaktuar nervozizëm diplomatik dhe politik në anën jugosllaveSepse, pala jugosllave para opinionit publik kishte këmbëngulur që lirimi i tetë ushtarëve të UJ ishte “i pakushtëzuar”. Natyrisht këtë e kishte bërë që të ruante imazhin dhe reputacionin… Kjo përpjekje për të ruajtur fytyrën dështoi. Nëntë shqiptarë u liruan nga një burg ushtarak në Nish, për të cilin RTS nuk raportoi. Dhe organet zyrtare të Republikës Federative të Jugosllavisë e kanë shmangur me sukses komentimin. Sipas “Glas javnosti” që nga e marta, duke iu referuar një deklarate të një zyrtari të qeverisë federale të paidentifikuar, “nëntë anëtarë të të ashtuquajturës UÇK u liruan [39].

    Se si janë trajtuar shqiptarët nga forcat jugosllave (shih foto 1) dhe si janë trajtuar robërit serb të UJ-së (shih foto 2) flasin më së miri këto dy fotografi të botuara në gazetën serbe “Vreme” të datës 30 janar 1999.

Foto 1. Trajtimi i shqiptarëve nga forcat jugosllaveFoto 2. Trajtimi nga UÇK i ushtarëve të UJ-së) [40]

Natyrisht se shtypi do të shkruante edhe për mënyrën se si ishin trajtuar ushtarët e UJ-së nga UÇK. Të gjithë ushtarët ishin me shendet të mirëNë video të Agjencisë Asocieteed Press (AP), shihet një lokal, ndoshta një ndërtesë shkollore, në të cilën ka banka dhe dyshek. Aty shihet se si tetë ushtarët janë  ulur dhe pinë cigare. Ushtarët kishin të mbathur çorape. Askush nuk mund të shihte gjurmët e ndonjë keqtrajtimi. “Zotërinjtë e UÇK-së janë shumë korrektë me ne”, tha udhëheqësi i lartë Dragan Jugoviç dhe ushtari Nikola Cvijoviç për gazetarët AP…Verifikuesit vizituan përsëri ushtarët të dielën dhe i fotografuan ata. Ushtarët u lejuan të shkruanin letra për familjet që arrinin atë mëngjes në kazermat e Mitrovicës[41].

Në përfundim të këtyre dy analizave, dy analistët: MiloshVasiç dhe Zoran B. Nikoliq, flasin për epilogun e kësaj ngjarjeje, flasin se kush doli fitues dhe kush humbës në këtë betejë ushtarake, politike dhe diplomatike.

  Sipas Zoran B. Nikoliq, vetëm UÇK-ja përfitoi nga “kriza e pengjeve”. Trajtimi korrekt dhe i mirë që kjo organizatë, në të gjitha rastet u ofroi ushtarëve jugosllavë, u dha atyre pikë në media, në opinion. “Natyrisht, shteti i Serbisë nuk është më në gjendje ta shkatërrojë UÇK-në me anë të forcës… Tentimi për diçka të tillë do të na kushtonte më shumë se sa duhet të paguajmë, konstaton më tutje aiAnalisti me këtë rast sjellë edhe këto përfundime. E para, sipas tij, UÇK-ja u bë faktori më i fortë politik për shqiptarët e Kosovës. E dyta, kjo organizatë ka krijuar një institucion politik në Prishtinë për disa muaj, hap pas hapi nën kontrollin e saj… E treta, tetë nga ushtarët jugosllavë të kapur ishin vetëm një kartë e papritur në një lojë që nuk mund t’i sjellë asgjë të mirë në Jugosllavi[42]. 

Kurse analisti Milosh Vasiç, në fund të analizës së tij, shprehet se nga këndvështrimi i përbashkët i vëzhguesit të zakonshëm, rasti i lirimit të tetë ushtarëve të Ushtrisë Jugosllave dhe rasti i lirimit të nëntë shqiptarëve të arrestuar nga UJ në përpjekje për të kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin (me Shqipërinë-M.K) me armë në dorë janë logjikisht të ndërlidhura plotësisht… Ai shton se situata në terren është e tillë që de fakto ka një palë ndërluftuese në formën e një formacioni të armatosur që e quan veten UÇK; ky formacion sulmon policinë e ushtrinë në Kosovë, për më shumë se një vit; së fundi, ky formacion është krejtësisht i njëjtë (si ushtritë tjera-M.K.), pavarësisht a do ta quajë dikush atë “të ashtuquajtur“? Vasiç vjen në këtë përfundim: UÇK-ja është një fakt i kryer ose një akt i përfunduar dhe rrjedhimisht nxjerr legjitimitetin e vet në terren[43]. 

Se çfarë është shkruar për këtë aksion të njësiteve të UÇK-së, për rrjedhën e kësaj ngjarjeje dramatike kam shkruar edhe herëve tjera[44], prandaj, për shkak të natyrës së punimit, po e përfundojmë me dy reagime të politikanëve opozitarë serbë të kohës, të cilat ishin mjaft të ashpra për qeverinë jugosllave. Kështu, Partia Demokratike e Zoran Gjingjiqit, pasi kishte shprehur indinjatën për rrëmbimin e ushtarëve, thoshte se çdo qytetar i Serbisë duhet të shtrojë pyetjen se çka është bërë deri më tash për t’u shmangur tragjeditë e tilla… [45] Pra, në Serbi akti i zënies rob të ushtarëve të tyre konsiderohej tragjedi. Një reagim tjetër vjen edhe nga Vojisllav Koshtunica, kryetar i Partisë Demokratike të Serbisë. Sipas Koshtunicës, UÇK-së i është njohur legjitimiteti dhe se ajo ka dalë fitimtare, duke tërhequr për hunde edhe Beogradin, edhe Uashingtonin… dhe se UÇK është nivelizuar me Ushtrinë jugosllave[46]. Me fjalë të tjera, për këtë aksion, për këtë ngjarje është shkruar më shumë se për çdo përplasje tjetër mes UÇK-së dhe forcave jugosllave, sidomos në ZOSH [47]

Përveç për këtë ngjarje dramatike, të janarit 1999, shtypi, të cilit po i referohem, shkruan edhe për luftimet e ashpra të zhvilluara gjatë muajve janar-mars 1999 mes njësiteve të UÇK-së dhe UJ-së. Vetë shtypi serb i kohës shkruan edhe për vrasje të ushtarëve të UÇK-së, por edhe të atyre të Ushtrisë Jugosllave. Ja disa të dhëna konkrete. 

Gazeta “Glas javnosti”, e datës 21 janar 1999, një nga lajmet kryesore ka artikullin me titull: “Të shtëna në Shipol (të Mitrovicës-M.K). Aty, ndër të tjera thuhet: Hejn Niq, zëdhënës Rajonal i Misionit Verifikues të OSBE-së ka vërtetuar se dje, në Shipol të Mitrovicës së Kosovës, ka pasur incidente të armatosura. Referuar burimeve anonime serbe Asocieteed Pres (AP) lajmëron se policia ka rrethuar një shtëpi pranë Mitrovicës, ku ka vërejtur se mund të jetë fshehur një grup prej 15 shqiptarësh të armatosur. AP lajmëron se pas kërkesës që të dorëzohen, shqiptarët e armatosur nga kjo shtëpi kanë hapur zjarr nga armët automatike. Një ditë më vonë, më 22 janar, e njëjta gazetë, raporton se “në rrethinën e fshatit Vaganicë tek Mitrovica e Kosovës, janë përsëritur luftimet. Sipas të njëjtës gazetë, gjatë konfliktit me policinë në fshatin Vaganicë janë vrarë dy pjesëtarë të UÇK-së… Dyshohet se ky“grup” para disa ditësh ka sulmuar automjetin e policisë me ç’rast janë plagosur 5 policë, 3 prej tyre rëndë [48]

Edhe gazeta “Republika”, te rubrika e saj “Kalendari”, shkruan se më 26 shkurt 1999, gjatë luftimeve mes UÇK-së dhe Ushtrisë Jugosllave, janë vrarë në Vaganicë të Mitrovicës dy pjesëtarë të UÇK-së. Po aty publikohet lajmi se më 13 mars 1999, në fshatrat e Vushtrrisë UÇK-ja ka vrarë një toger të Ushtrisë Jugosllave [*]dhe një ushtar [*][49]. Po ashtu njoftohet se janë plagosur edhe tre ushtarë të tjerë, nga të cilët njëri rëndë[50]. Kjo dëshmon se në atëkohë, njësitet e ZOSH po bënin luftë heroike përballë forcave pushtuese jugosllav edhe po u shkaktonin atyre humbje. Se njësitet e UÇK-së po u shkaktonin humbje të konsiderueshme forcave serbe, e thonë edhe burimet e tjera të tyre. Sipas Media qendrës serbe në Prishtinë, Shërbimi Informativ i Shtabit të Korpusit të Prishtinës, të Armatës Jugosllave, rreth orës 9:00 (15 mars 1999-M.K.), në Spitalin e Mitrovicës, kanë ardhur dy xhipa dhe një veturë “Zastava” 101 të UJ-së, të cilët kanë sjellë ushtarë serbë të plagosur. I njëjti burim kishte komunikuar se pjesëtarët e UÇK kishin sulmuar njësitet e Ushtrisë Jugosllave që ishin duke kryer aktivitete e tyre të rregullta fushore në territorin e Komunës së Vushtrrisë. Me këtë rast ishin plagosur dhjetë ushtarë serbë, të cilët i kishin sjellë në Spitalin e Mitrovicës, i cili të hënën ishte mbyllur dhe i bllokuar nga të gjitha anët[51].

Luftime të ashpra mes njësiteve të UÇK-së në ZOSH dhe atyre serbo-malazeze kanë vazhduar edhe përgjatë muajve prill-qershor 1999, mirëpo ato nuk janë bërë publike (ose janë bërë fare pak) në media. Njëra nga arsyet ishte edhe fillimi i bombardimeve të NATO-s mbi caqet jugosllave. Kësisoj, mund të themi se luftimet mes UÇK-së dhe forcave jugosllave (në rrafshin mediatik) mbetën nën hijen e bombardimeve të NATO-s mbi caqet ushtarake e policore jugosllave. Tash e tutje mediet ishin fokusuar dhe raportonin për këtë ballafaqim. Kjo do të thotë se ka shumë aksione, beteja dhe veprime të tjera luftarake që nuk janë publikuar asnjëherë në media të shkruara, as elektronike. Aq më pak në ato serbo-malaziase. 

Konluzionet 

Në përfundim të këtij punimi, mund t’i nxjerrim disa konkluzione të bazuara. E para, nuk mund të mohohet fakti se veprimtaria luftarak e ZOSH ishte e pranishme edhe në shtypin e kohës, përfshirë këtu edhe atë serbo-malazias nga muaji korrik 1998 deri në muajin prill 1999. E dyta, pavarësisht diskursit të përdorur, në artikujt e botuar, janë publikuar të dhëna të rëndësishme të panjohura më parë, të cilat nuk i kam hasur në asnjë rast tjetër gjatë hulumtimeve, posaçërisht kur është fjala për humbjet e forcave të MPB-së dhe Ushtrisë Jugosllave gjatë luftimeve me njësitet e UÇK-së në zonën e përgjegjësisë të Zonës Operative të Shalës. E treta, del në pah fakti se edhe në shtypin serbo-malazias publikohen të dhëna ku deklarohet se UÇK ishte shndërruar në një forcë, në një faktor që as nuk mund të anashkalohej e as nuk mund të shuhej. E katërta, edhe ushtarët e UJ-së të zënë robër e pranojnë publikisht se pjesëtarët e UÇK-së ishin sjellë në mënyrë korrekte dhe nuk kishin përdor dhunë gjatë kohës kur ata ishin zënë robër. E pesta, UÇK de fakto ishte pranuar si e barabartë me UJ-në me rastin e arritjes së marrëveshjes për këmbimin e robërve të luftës. E gjashta, keqtrajtimet, dhunimet dhe terrori i ushtruar nga forcat policore (të MPB-së) dhe ushtarake (të UJ-së) kundër gazetarëve shqiptarë, ishin të përditshme. Mirëpo, në asnjë nga artikujt e shtypit serbo-malazias që i kam konsultuar, nuk kam gjetur asnjë rast ku gazetarët serbë a malazias janë keqtrajtuar pjesëtarët e UÇK-së. E fundit, Zona Operative e Shalës e UÇK-së pati konsideratë të nevojshme ndaj gazetarëve (vendorë dhe të huaj), të cilëve, për aq sa ishte e mundur u ka ndihmuar, u ka ofruar bashkëpunim në rrethana lufte, u ka dhënë informata që ishin për opinion, duke kontribuar shumë në informimin e drejtë të opinionit publik vendor dhe të huaj për gjithë atë që po ndodhte. 

 

Fusnotat

[1]Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Vëllimi 3, Toena, Tiranë, 2009, f. 2829.

[2]Miftar Kurti, “Zona Operative e Shalës në shtypin e kohës 1998-1999”, Albanologji, nr.10/2019, Vëllimi 2, Prishtinë, 2020, f.287.

[3]Lista e dëshmorëve, të plagosurve dhe pjesëtarëve të ZOSH, Arkivi Zonës IV Mbrojtëse të Trupave Mbrojtëse të Kosovës-Sektori Ushtarako-Civil, Mitrovicë, 2007. 

[4]Novosti, 13.juli 1998; 14. juli 1998; Politika, 13.juli 1998.

[5]Novosti, 13.juli 1998; 14. juli 1998; Politika, 13.juli 1998; Jedinstvo, 1, 16, 17, 18.septembar 1998; Politika, 16, 17, 18, 19, 24, 26,septembar 1998 etj.

[6]Kështu emërtohej Operacioni i 15-18 shtatorit i forcave policore të MPB-së dhe Ushtrisë Jugosllave në dokumentet e UÇK-së (shih “Buletini” i Brigadës 141 “Mehë Uka” të ZOSH, janar 1999), kurse në dokumentet zyrtare të UJ-së njihet si “Operacioni Bajgora ‘98” (shih Tribunali Ndërkombëtar për Ndjekjen Penale të Personave Përgjegjës për Shkelje të Rënda të së Drejtës
Humanitare Ndërkombëtare të Kryera në Territorin e ish-Jugosllavisë që prej vitit 1991, Lënda Nr. IT-05 87-T,
Data: 26 shkurt 2009, Aktgjykimi Vëllimi 1 prej 4, http://www.icty.org/x/cases/milutinovic/tjug/sq/090226_vol1.pdf,,
f.310)

[7]Në dokumentet sekrete të Ushtrisë Jugosllave është emërtuar “Operacioni Qyqavica” (shih “http://zonaneodgovornosti.net/files/29/zapovest-za-podrsku-snaga-mup-a-u-razbijanju-dts-u-sirem-rejonucicavica-od-19-septembra-1998-godine.pdf.)

[8] Novosti, 13.juli 1998; 14. juli 1998.

[9] Politika, 13.juli 1998; Nasa borba, 30.juni; 1, 13, 14.juli 1998.

[10] Jedinstvo, 1, 16, 17, 18.septembar 1998.

[11]Pobjeda, 16, 17, 18, 23.septembar 1998.

[12]Politika, 16, 17, 18, 19, 24, 26,septembar 1998.

[13]Novosti, 17, 18, 19, 24, 25, 26.septembar 1998

[14]Pobjeda, 5. januar 1999.

[15]Republika, broj.206, 1-15.februar 1999.

[16]Vreme, br.430, 16. Januar 1999; Vreme, br.432, 30. Januar 1999.

[17]Glas javnosti, 12, 13, 14, 15, 16-17, 21, 22, 23-24, 25, 26 janar 1999; Glas javnosti, 12, 13-14, 15 mars 1999; Republika, br.210, 1-15 aprill 1999; NIN, br.2507, 14.januar 1999.

[18]Novosti, 13.juli 1998.

[19]Nasa borba, utorak, 30. jun 1998sreda, 1. jul 1998; 13.jul 1998.

[20]Politika, 13.juli 1998.

[21]Novosti, 14.juli 1998

[22]Jedinstvo, 1. Septembar 1998.

[23]Tribunali Ndërkombëtar për Ndjekjen Penale të Personave Përgjegjës për Shkelje të Rënda të së Drejtës
Humanitare Ndërkombëtare të Kryera në Territorin e ish-Jugosllavisë që prej vitit 1991, Lënda Nr. IT-05 87-T,
Data: 26 shkurt 2009, Aktgjykimi Vëllimi 1 prej 4, http://www.icty.org/x/cases/milutinovic/tjug/sq/090226_vol1.pdf,,
f.310)

[24]Jedinstvo, 16. septembar 1998; Politika, 16. septembar 1998; Pobjeda, 16. septembar 1998. 

[25]Jedinstvo, 17. semptembar 1998; Politika, 17.septembar 1998; Novosti, 17.septembar 1998; Pobjeda, 17.septembar 1998.

[*] Aleksandar Saviq dhe Dragan Kovaçeviq

[26]Jedinstvo, 18. septembar 1998; Pobjeda, 18.septembar 1998; Politika, 19.septembar 1998; Novosti, 18.septembar 1998.

[27]Novosti, 17.septembar 1998.

[28]Novosti, 19.septembar 1998

[29]http://zonaneodgovornosti.net/files/29/zapovest-za-podrsku-snaga-mup-a-u-razbijanju-dts-u-sirem-rejonucicavica-od-19-septembra-1998-godine.pdf.)

[*] “Operacioni Qyqavica” 

[30]Novosti, 24.septembar 1998

[31]Novosti, 25.septembar 1998

[32]Miroslav Hadzic, Kosovskitrougao, Godina XI (1999), broj 204-205, 1-31. januar 1999.

[33]Pobjeda, 5.januar 1999; Vreme, br.429, 9.januar 1999.

[*]Ushtarët e Ushtrisë Jugosllave të zënë robër nga UCK-ja ishin: Nikolla Svijoviq, Robert Çekanoviç, Aleksandër Subotiq, Nenad Joviçeviq, Marko Pavloviq, Aleksandër Millashinoviq, Ivan Kostiq dhe rreshteri Dragan Jugoviq.

[*] Ushtarët serbë u shkëmbyen me këta 9 ushtarë të UÇK-së: Enver Krasniqi, Xhavit Krasniqi, Merita Ramadani, Ismet Krasniqi, Azem Suma, Blerim Spahiu, Nazmi Ballazhi, Samed Ballazhi dhe Sherif Ballazhi

[34]Miftar Kurti, Vrojtime historike, Faik Konica, Prishtinë, 2017, f. 12, 17; Bisedë me Enver Krasniqin (njëri nga pjesëtarë e UCK-së të zënë rob), 6.05.2013.

[35]Republika, Godina XI (1999), broj 206, 1-15. februar 1999.

[36]Zoran B. Nikoliq, Drama otetih vojnika, Vreme br. 430, 16. januar 1999

[37]Miloš Vasić, Razmene zarobljenika-Igre uzajamnog priznavanja,Vreme br. 432, 30, januar 1999.

[38]Zoran B. Nikoliq, Drama otetihvojnika, Vreme br. 430, 16. januar 1999.

[39]Miloš Vasić, Razmene zarobljenika-Igre uzajamnog priznavanja,Vreme br. 432, 30, januar 1999.

[40]Vreme br. 432, 30. januar 1999.

[41]Zoran B. Nikolić, Drama otetih vojnika, Vreme br. 430, 16. januar 1999.

[42]Ibid.

[43]MilošVasić, Razmene zarobljenika-Igre uzajamnog  priznavanja,Vreme br. 432, 30. januar 1999.

[44]Miftar Kurti, Vrojtime historike, Faik Konica, Prishtinë, 2017.

[45]FahriMusliu, Ditari i një shqiptari në Beograd, Prizren, 2006, f. 11, 12, 13.

[46]Po aty, f. 15, 16, 20, 22, 23. 

[47]R. Barjaktarević, Pisma i fotografije za porodice, Glas javnosti, br.218, 12.januar 1999; R. Barjaktarević, Dogovoren rok zaoslobađanje vojnika VJ, Glas javnosti, br.218, 12.januar 1999; R. Barjaktarević, Dogovoreno oslobađanje, Glas javnosti, br.219, 13.januar 1999; R. Barjaktarević, Televizijska ekipa Asošijeted presa snimila kidnapovane pripadnike VJ, Glas javnosti, br.219, 13.januar 1999; GŠ VJ, Ako bude trebalo primenićemo silu, Glas javnosti, br.219, 13.januar 1999; R. Barjaktarević, Vojnici su oslobođeni, Glas javnosti, br.220, 14.januar 1999; R.B, Srećnivojnici u svojim kućama, Glas javnosti, br.221, 15.januar 1999; R.B., Pušteno devet terorista, Glasjavnosti, br.229, 25. Januar 1999; V. Đorđević, Dogovorili gest dobrevolje?,Glasjavnosti, br.230, 26.januar 1999. 

[48]Glas javnosti, br.226, 21.januar 1999; Glas javnosti, br.227, 22.januar 1999.

[*] Ninoslav Rançiç

[*] Zoltan Nemes 

[49]Republika, Beograd, Godina XI (1999), Broj 210, 1-15. april 1999.

[50)Ibid

[51]Koha ditore, 16 mars 1999.

 

Kontrolloni gjithashtu

Enver Hoxha (1966): Kosova është shqiptare, mbetet shqiptare dhe i përket Shqipërisë

Enver Hoxha (1908-1985) nderohet e respektohet në Kosovë, asnjë fjalë e keqe për Josip Broz Titon në Shqipëri, prej vitit 1991

Në Kosovë, ishte idealizuar dhe në masë idealizohet edhe sot Enver Hoxha. Në Kosovë janë …