Miftar KURTI: ZONA OPERATIVE E SHALËS NË SHTYPIN E KOSOVËS DHE SHQIPËRISË (1998-1999) II

Miftar KURTI: ZONA OPERATIVE E SHALËS NË SHTYPIN E KOSOVËS DHE SHQIPËRISË (1998-1999) II

Edhe gazetat e muajve shkurt e mars shkruajnë për luftime të intensitetit të lartë. Ato njoftojnë (në muajin shkurt) edhe për një “Plan sekret të forcave serbe”. Në këtë Plan sekret, siç thuhej, parashihej ndër të tjera edhe spastrim i tërësishëm të rrafshinës në lindje të lumit Sitnica, pastaj që t’i shkaktoheshin humbje sa më të mëdha forcave të UÇK-së. Për këtë gjë në Mitrovicë ishte vendosur edhe Brigada 80 e motorizuar nga Kragujevci.41 Me synimin për të zbatuar planin në fjalë, më 22 shkurt, në orën 9:45 forcat e shumta serbe, me tanke, autoblinda e pizgauerë kishin tentuar t’i thyejnë pozicionet e mbrojtjes të zonës që e mbulonte Batalioni i Dytë i Brigadës 142 të ZOSH. Po ashtu, luftimet do të shpërthejnë edhe në Pantinë dhe Akrashticë. Si rezultat i një lufte të rreptë, forcat jugosllave kishin pësuar humbje, duke lënë të vrarë dhe të plagosur. Kështu, rreth orës 10:00, ishte bllokuar spitali i Mitrovicës, dhe aty ishin parë duke u vendosur ushtarë serbë të plagosur.42 Fshatrat e Komunës së Mitrovicës dhe Vushtrrisë: Shtitaricë, Bukosh, Liqej, Dolak, Pantinë, Akrashticë, Balincë, Vaganicë, Pirç, Vërnicë, Mihaliq, Sallç, Druar, Kçiq i Madh, Zhilivodë, Beçuk, Strofc, Melenicë, Preten, Vidishiq, Mazhiqetj,43 do të shndërrohen në arenë luftimesh ku do të mbesin shumë të vrarë dhe të plagosur nga të dy palët. Ngase humbjet e forcave jugosllave po shtoheshin përditë, më 13 mars 1999, do t’u sulen civilëve shqiptarë në Tregun e Mitrovicës, me ç’rast do të bëjnë një masakër ku mbesin të vdekur 7 e 58 plagosen.44 Se intensiteti i luftimeve dhe vija e frontit po zgjeroheshin, dëshmon fakti se forcat jugosllave do të ndërmarrin ofensivën e radhës në Shalë. Kështu, sipas shtypit, që nga ora 6:00, e datës 21 mars 1999, te shkolla e Breznicës, ishte përqendruar një konvoj i UJ-së në përbërje prej 26 tankesh, 7 pragash dhe 16 kamionësh me ushtarë. Nga ora 06:30, një tren transportues kishte ardhur nga drejtimi i Rashkës, në të cilin ishin ngarkuar 24 tanke. Kishin ardhur në Mitrovicë dhe kishin vazhduar rrugën në drejtim të Vushtrrisë. Po ashtu, rreth orës 08:30, 19 automjete të forcave serbe, ndër to 3 tanke e 4 autoblinda kishin ardhur nga drejtimi i Rashkës në Mitrovicë dhe prej aty kishin vazhduar rrugën në drejtim të Stantërgut. Rreth orës 10:30, një konvoj me 40 automjete ushtarako-policore serbe kishte ardhur nga drejtimi i Rashkës në Mitrovicë dhe kishte vazhduar rrugës për në Vushtrri.45  Pikërisht më 21 mars 1999 kishte filluar një ofensivë e re kundër fshatrave të rajonit të Shalës së Bajgorës, në zonën e përgjegjësisë të Brigadës 141 “Mehë Uka” të ZOSH. Burimet nga terreni njoftonin se ditën e martë, më 21 mars, këmbësoria e forcave ushtarako-policore serbe kishte tentuar që të hynte në fshatrat Melenicë, Vidishiq, Mazhiq, mirëpo njësitet e Brigadës 141 “Mehë Uka” të ZOSH me sukses kishte zmbrapsur forcat serbe. Në mesditë luftimet ishin përhapur edhe në afërsi të Stantërgut. Njoftohej për humbje ndër forcat ushtarake serbe. Një helikopter disa here kishte aterruar në kazermën ushtarake në Mitrovicë dhe nga autoambulancat kishin sjellë të plagosur në Spitalin e Mitrovicës.46

Nga data 24 mars 1999 e tutje, me fillimin e bombardimeve të NATO-s, shtypi në Kosovë, për aq sa kemi arritur të hulumtojmë nuk botohet për shkak të rrethanave të krijuara. Kjo përbën një hendikep të madh. Prandaj, një nga burimet e vetme, në mos vetmi, mbetët Agjencia “Kosova Press” dhe Radio Kosova e lirë, mirëpo aty-këtu disa shkrime, disa artikuj i gjejmë në gazetat e Shqipërisë, Serbisë, SHBA-së etj. Luftës së UÇK-së në ZOSH i kanë dhënë hapësirë të konsiderueshme edhe në gazetat shqiptare në Shqipëri, siç janë: Zëri i Popullit, Rilindja, Rilindja Demokratike, Gazeta Shqiptare, Ushtria, Revista Ushtarake etj., që e kanë pasqyruar veprimtarinë luftarake të ZOSH. Se ka qenë kështu mjafton t’i përmendim me këtë rast disa nga titujt e artikujve të gazetave dhe revistave, siç janë: “Aspekte të veprimeve ushtarake në Kosovë”, “Pse UÇK-ja humbi kontrollin në shumë territore të saj”,47 “Luftime rreth minierës “Trepça” në Staritërg”, “Barbarët nuk ndalen”, “Vritet Xhavit (Xhevat-M.K.) Jusufi”, “Tiranë: Kosova zgjidhje afatgjate”, “Ka një ligj për robërit e luftës”,“Alarm për 8 serbë të zënë rob”,“Lirohen tetë robërit serbë”, “UÇK djeg skenarin kriminal serb”, “Shmanget një masakër”, “A do të lirohen 9 “pengje” shqiptare”?,“Fundi i Millosheviqit”, “Ku mund të jesh më sigurt se në UÇK”, “Filluan bombardimet serbe”, “UÇK në mbrojtje të popullit”, “Spastrimi etnik në veri të Kosovës”, “Vrasjet nuk kanë të ndalur”, “Beogradi, shkelës i marrëveshjeve”, “Përforcime serbe në Kosovë”,“Vazhdojnë luftimet rreth malit të Qyqavicës”, “Ky është akti i fundit i barbarisë serbe”,48“Vritet komandanti i një reparti të UÇK-së”, “Kundërsulm i suksesshëm në Llap dhe Bajgorë”, “Luftime në Gumnishtë e Bozhlan (Shala e Bajgorës-M.K.)49 etj. Këta dhe artikuj të tjerë janë botuar në shtypin shqiptar të kohës gjatë periudhës kohore korrik-shtator 1998 dhe janar-mars 1999, kurse në muajit prill-maj 1999, janë të paktë artikujt për shkak të fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe-malaziase.50

Sa i përket qasjes që ka pasur shtypi shqiptar në Shqipëri për UÇK-në, po e huazojmë mendimin e studiueses Afërdita Sokoli, sipas të cilës media e majtë e bëri veprimtarinë e UÇK pjesë të rëndësishme të hapësirës së saj. Ajo u rrek të tregonte se rruga e rezistencës paqësore në Kosovë nuk kishte justifikuar pritshmërinë, pavarësisht disa rezultateve dhe nuk kishte realizuar vullnetin e shqiptarëve. Qasja e medias së djathtë ndaj UÇK-së ndoqi fillimisht rrugën e denigrimit, në vijim të indiferentizmit ndaj afirmimit të saj, duke e finalizuar atë me pikëpamjen e vënies së UÇK nën kontrollin e Rugovës. Megjithatë, këto qasje nuk përjashtuan publikimet edhe në kundërshtim me linjën politike përfaqësuese, apo artikujt objektivë, veçanërisht të gazetarëve të huaj për çështjen në fjalë.51 Zona Operative e Shalës pati konsideratë ndaj gazetarëve. Kësisoj mbante kontakte me gazetarët e gazetave të Kosovës: “Bujku”, “Bota e re”, “Kosova sot”, “Koha ditore” etj., por edhe me ata të gazetës “Kombi” etj.52 Për konsideratën dhe bashkëpunimin e treguar ZOSH, më 27 nëntor 1998, në fshatin Bajgorë, me rastin e shënimit të Ditës së Flamurit Kombëtar, UÇK u ka dhënë mirënjohje korrespodentëve të gazetave të kohës.53  Mirëpo, fillimi i bombardimeve të NATO-s, djegia e çdo gjëje në Kosovë dhe fillimi i deportimit të madh si dhe spastrimit etnik të Kosovës nga gjithçka shqiptare, kishte ndikuar edhe te mediat. Të gjitha, pa përjashtim, ose ishin djegur, ose ishin detyruar të mbyllën dhe të marrin rrugën e “deportimit të madh”. Prandaj, 2-3 muajt e fundit, nëse nuk kemi shumë artikuj të botuar në shtypin e kohës, nuk do të thotë se nuk kishte luftime të ashpra. Bile luftimet më të ashpra dhe më të përgjakshme kanë ndodhur përgjatë muajve prill-maj, mirëpo, ato, fatkeqësisht nuk ishte e mundur të pasqyroheshin në media. Njëra nga arsyet ishte edhe fakti fillimi i bombardimeve të NATO-s mbi caqet jugosllave. Kësisoj, luftimet e UÇK-së kundër forcave jugosllave mbetën (në rrafshin mediatik) nën hijen e bombardimeve mbi caqet ushtarake e policore jugosllave. Prandaj, edhe numri i artikujve nëpër gazeta dhe revista është i reduktuar maksimalisht. Megjithatë, ishte Agjencia Kosova Press, organ i UÇK-së, ajo që mbulonte këto ngjarje dhe raportonte pothuajse për të gjitha betejat që bënin Njësitet e UÇK-së në Kosovë,54 pra edhe në Zonën Operative të Shalës. Një nga artikujt e paktë dhe të fundit që është botuar në gazetat shqiptare, për aq sa dimë ne, që shkruan për veprimtarinë luftarake të ZOSH ishte ai i datës 29 maj 1999, botuar te gazeta Ushtria (Tiranë, 29 maj1999).55 Artikulli në fjalë paraqet luftimet mes njësiteve të Brigadës 141 të ZOSH dhe forcave jugosllave në fshatrat Gumnishtë dhe Bozhlan.

Në fund të këtij punimi duhet them se ZOSH-i kishte bashkëpunim të mirë me shtypin e kohës, prandaj nuk është e rastit që për veprimtarinë e saj janë botuar mbi 300 artikuj. Nga kjo shumësi shkrimesh, artikujsh të botuar nëpër gazeta e revista, vërehet se shumë prej atyre artikujve janë shkruar me profesionalizëm dhe kompetencë, mirëpo ka të tillë që nuk i plotësojnë kriteret elementare profesionale për t’u botuar në ndonjë gazetë a revistë, pavarësisht natyrës së shkrimit, gjinisë apo zhanrit, pavarësisht qëllimit dhe synimit. Mosverifikimi i burimeve, ngatërrimi i datave, i emrave të njerëzve dhe të vendeve, betejave e ngjarjeve; cilësimet: luftë, konflikt, kryengritje, vetëmbrojtje popullore; ngatërrimi i dëshmorit me viktimën, i ushtarit me civilin etj., përbëjnë një problematikë më vete, që mbetët të trajtohet në të ardhmen, sepse këto të dhëna të gabuara, këto lëshime, këto gabime po përsëriten edhe në fushat e pretendimeve shkencore. Sido që të jetë, gjatë shfletimit të shtypit të bien në sy edhe shumë fakte të tjera me rëndësi.56

 

Referencat:

1Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Vëllimi 3, Toena, Tiranë, 2009, f.2829.

2 Mrikë Krasniqi, Marrja e kësaj ane ishte bërë vetëm Brenda një nate dhe pa rezistencën më të vogël të policisë ushtarake serbe, Gazeta shqiptare, 30 qershor 1998, f. 16

3 Vjollca…, As paqe, as luftë!, Bota e re, 21 korrik 1998, f. 12.

4 Bujku, 24, 26, 29 dhe 30 qershor 1998; Haqif Mulliqi, Njeriu nuk u lind për vete, por për Atdheun, Reportazh, Kombi, 21 dhjetor 1998, f.14, 15;Koha ditore, 24, 26 qershor 1998.

5 Koha ditore, 24, 26 qershor 1998.

6 Po aty.

7 Bujku, 26 qershor 1998.

8 Bujku, 26, 27 qershor 1998.

9 Kombi, 25 nëntor 1998; Bujku, 29 qershor 1998.

10 Bujku, 13 korrik 1998.

11 Ushtria, 15, 22 korrik 1998; Bujku, 13, 14, 15, 16, 17, 18, 21, 22, 23, 28, 29 dhe 30 korrik 1998.

12 Bujku, 7 gusht 1998; Gazeta shqiptare, 8 shtator 1998.

13 Bujku, 6, 12 dhe 19 gusht 1998.

14 Rilindja, 22 gusht 1998.

15 Koha ditore, 6, 9, 10, 11, 12, 15, 16, 17, 18 dhe 19 shtator 1998; Gazeta shqiptare, 3 nëntor 1998; Bota e re, 23 shtator dhe 1 tetor 1998.

16 Kosova sot, 11, 14, 15, 16, 17, 18, 19 dhe 21 shtator 1998.

17 Kosova sot, 22 shtator 1998.

18 Bota e re, 1 tetor 1998.

19 Izedin Krasninq, Është thirrja e atdheut që duhet të jetë mbi të gjitha (Intervistë me Zymer Halimin (Komandant Besin), zëvendëskomandant i Brigadës 141 “Mehë Uka” të ZOSH, Kombi, 21 dhjetor 1988, f. 30.

20 Izedin Krasninq, Është thirrja e atdheut që duhet të jetë mbi të gjitha (Intervistë me Zymer Halimin (Komandant Besin), zëvendëskomandant i Brigadës 141 “Mehë Uka” të ZOSH, Kombi, 21 dhjetor 1988, f. 30.

21 Kosova sot, 22 shtator 1998.

22 Miftar Kurti, Brigada 141 “Mehë Uka” e  ZOSH, Punim Masteri, Universiteti i Prishtinës, 2013.

23 Kosova sot, 23 shtator 1998.

24 Kosova sot, 23, 24, 26, 28 shtator 1998.

25 Koha ditore, 23, 24, 25, 26, 27, 28, 29 dhe 30 shtator 1998.

26 Haqif Mulliqi, Unë jetoj për Zotin dhe për t’i vrarë armiqtë e shqiptarëve (Intervistë me Mensur Kosumin-zëvendëskomandant i ZOSH, Kombi, 28 tetor 1998, f. 38

27 Haqif Mulliqi, Unë jetoj për Zotin dhe për t’i vrarë armiqtë e shqiptarëve (Intervistë me Mensur Kosumin-zëvendëskomandant i ZOSH, Kombi, 28 tetor 1998, f. 38

28 Haqif Mulliqi, Unë jetoj për Zotin dhe për t’i vrarë armiqtë e shqiptarëve…, f. 38

29 Haqif Mulliqi, O prite, prite, se asnjë të gjallë s’do ta lëshojmë, Bisedë me luftëtaren e lirisë, Dritë Simnica, Kombi, 25 nëntor 1998.

30 Haqif Mulliqi, Shumë shkie mbetën të vrarë, ndërsa të tjerët ia mbathën si të pa kokë, Reportazh nga Llapi dhe Shala e Bajgorës, Kombi, 27 shtator 1998, f. 10; Izedin Krasniqi, Asgjë nuk mund ta shuajë qëndresën shqiptare, Reportazh nëpër fshatrat  e Shalës së Bajgorës, Kombi, 28 tetor 1998, f.35.

31 Safet Zeneli, Terrori serb mbi shqiptarët, Rrëfim, Kombi, 25 nëntor 198, f.29.

32 Gazeta shqiptare, 8 shtator 1998.

33 Bota e re, 1 tetor 1998.

34 Shpëtim Golemi, Rruga më çoi në radhët e UÇK-së…, f.128.

35 Revista ushtarake, nr.2, tetor 1998.

36 Kosova sot”,  5 janar 1999;  “Koha ditore”, 5 janar1999; “ Zëri i popullit”, 5 janar 1999; ‘Ushtria”, 6 janar 1999; Pobjeda, 5. Januar 1999.

37 Miftar Kurti, Vrojtime historike, Faik Konica, Prishtinë, 2017.

38 Miftar Kurti, Këmbimi i robërve të luftës në ZOSH sipas shtypit të kohës Punim seminari, Studimet e Doktoratës, mars 2018.

39 Koha ditore, 9, 10, 11, 12, 13, 14, 15, 24 dhe 25 janar 1999; Kosova sot, 9, 10, 11, 12, 13, 14, 15, 16 dhe 26 janar 1999; Zëri i popullit, 10, 12, 13, 14, 15 16 dhe 24 janar 1999; Bota e re, 16 dhe 31 janar 1999.

40 Kosova sot, 16 janar 1999; Kosova sot, 21, 22 dhe 24 janar 1999; Koha ditore, 23 janar 1999; Izedin Krasniqi, Lufta më vendimtare mund të bartet në pjesën veriore të Kosovës, por padyshim armikut nuk do t’i lëmë asnjë pëllëmbë toke të Atdheut (Intervistë me Bekim Shytin-komandant i Njësisë Speciale të ZOSH), Kombi, 17 shkurt 1999, f.7; Kosova sot, 29 janar 1999.

41 Kosova sot, 21  shkurt 1999, f.5.

42 Kosova sot, 21, 22 dhe 23 shkurt 1999.

43 Sabit Gashi, Njësia Specia e Zonës Operative të Shalës, 19 dhe 30 korrik, 10 dhe 17 gusht 1999, Çlirimi, Prishtinë, 1999, f.11; Rilindja…..; Kosova sot, 20-28 shkurt dhe 1-16 mars 1999; Koha ditore, 23, 24 dhe 27 shkurt, por edhe 12, 14, 15, 16, 17, 18, 19, 21 dhe 24 mars 1999; Rilindja.

44 Koha ditore, 14 mars 1999; Halit Barani, Tmerri i dokumentuar, Viprint, Mitrovicë, 2009.

45 Koha ditore, 21 mars 1999

46 Koha ditore, 24 mars 1999.

47 Revista ushtarake, shtator-tetor 1998

48 Zëri i popullit, 15, 22 korrik 1998; Zëri i popullit,  5, 10, 12, 13, 14, 15, 16, 24 janar 1999; Zëri i popullit, 26, 27 shkurt 1999; Zëri i popullit, 4, 17, 18 mars; Zëri i popullit, 21 prill 1999.

49 Ushtria, 6 janar, 1 dhe 29 maj 1999

50 Ushtria, 1 dhe 29 maj 1999.

51 Afërdita SOKOLAJ, Çështja e Kosovës dhe media shqiptare (1981 – 2000), Disertacion, Universiteti i Tiranës, Tiranë, 2014, f. 13, 137, 169.

52 Ushtria Çlirimtare e Kosovës-Brigada 141 “Mehë Uka”, FALËNDERIM, Dokumenti nr. 1/130, datë: 27. 11. 1998, Arkivi i Brigadës 141.

53 Arkivi i Brigadës 141.

54 Instituti i Historisë-Prishtinë, Arkivi i luftës I-IV, Kosova Press, Prishtinë, 2016.

55 Ushtria, 29 maj 1999.

56 Miftar Kurti, Vrojtime historike, Faik Konica, Prishtinë, 2019, f.60.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Vazhdon vala e pandalshme e të dëbuarve (E shtunë 17 prill, 1999)

Ahmet Qeriqi: Vazhdon vala e pandalshme e të dëbuarve (E shtunë 17 prill, 1999)

Moti është përkeqësuar. Shi, stuhi, pastaj mjegull. Kemi mbetur në tendë dhe po presin derisa …