Miftar Kurti

Miftar KURTI: ZONA OPERATIVE E SHALËS NË SHTYPIN E KOSOVËS DHE SHQIPËRISË (1998-1999) I

Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte e shtrirë në gjithë Kosovën. Struktura e UÇK-së përbëhej nga Shtabi i Përgjithshëm dhe 7 zona operative.1 Zona Operative e Shalës, e formuar më 28 qershor 1998, ishte njëra nga zonat operative. Komandant i saj ka qenë Rrahman Rama. Shtrihej në Komunat e Mitrovicës, Vushtrrisë, Leposaviçit dhe Zubin Potokut. Kufizohej me Zonën Operative të Drenicës dhe Zonën Operative të Llapit. Përbëhej nga dy brigada: Brigada 141 “Mehë Uka” dhe Brigada 142. Brigada 141 përbëhej nga katër batalione, Njësia Speciale dhe Njësia për Intervenime të Shpejta, kurse Brigada 142 kishte dy batalione dhe Njësinë Speciale. ZOSH-i ishte e strukturuar në brigada, batalione, kompani, togje, skuadra deri në grup. Kishte rreth 2500 ushtarë. Luftimet, betejat më të ashpra janë zhvilluar kryesisht në fshatrat Pantinë, Ashlan dhe në fshatrat tjera rrëzë Qyqavicës, por edhe në Mazhiq, Melenicë, Kaçanoll, Pasomë…etj.       Veprimet e saj luftarake kanë zënë një hapësirë të konsiderueshme në shtypin e kohës: Kosovë, Shqipëri, Serbi, Mali i Zi, Gjermani, Britani, SHBA etj. Në fokus të këtij punimi janë veprimet luftarake të UÇK-së kundër forcave të policisë dhe ushtrisë jugosllave dhe mënyra se si ato veprime janë paraqitur në shtypin shqiptar në Kosovë dhe Shqipëri.

Për luftën e UÇK-së në Zonën Operative të Shalës janë shkruar dhe botuar qindra artikuj nëpër gazeta dhe revista në gjuhën shqipe. Për veprimtarinë e saj kanë shkruar këto gazeta e revista: Bujku, Kosova sot, Koha ditore, Rilindja, Bota e re, Kombi, Gazeta shqiptare, Ushtria, Revista ushtarake, Zëri i popullit, Rilindja demokratike etj. Janë botuar lajme, kronika, reportazhe, kumtesa, raporte të këshillave, organizatave, institucioneve vendore dhe të huaja; intervista, opinione, deklarata; analiza, komente etj. Për aq sa kemi ne informata veprimet luftarake të ZOSH-it, janë të pranishme në shtypin shqiptar nga muaji qershor i vitit 1998 deri në përfundim të luftës në qershor 1999 dhe janë botuar diku rreth 300 artikuj në faqet e këtyre gazetave dhe revistave.

Epopeja e UÇK-së në Prekaz (5-7 mars 1998), në Gllogjan (22 mars 1998), pastaj Beteja e Bardhit (Bellaqevcit) etj., u kanë paraprirë shumë aksioneve, sulmeve, betejave dhe veprimeve tjera luftarake të UÇK-së në gjithë Kosovën, pra edhe në ZOSH. Beteja e Bardhit ka zënë hapësirë të konsiderueshme në shtypin shqiptar të kohës, kurse jehona e saj kishte kaluar kufijtë e Kosovës. Në vazhdim po shkëpusim fragmente nga artikujt e botuar në shtypin e kohës.

Më 23.06.1998, në një mëngjes të hershëm kur njerëzit dolën për të shkuar në punë e kush për obligime të tjera, u pa tërë mrekullia e asaj që njerëzit shushurisnin ditë më parë e që ishte një gjë e pamundur për të gjithë banorët e kësaj ane. Mrekullia e kësaj ëndrre u pa në realitet me të lindur dielli i ditës 23 qershorit, ku njësitet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kishin vendosur postbllokun e tyre vetëm disa dhjetëra metra larg kazermës ushtarake jugosllave në Sllatinë, që supozohet të jetë njëra ndër kazermat më të mëdha në Kosovë. Ata kishin vënë nën kontroll Mihjen sipërfaqësore “Kosova” të Bardhit të Madh dhe disa fshatra përreth Fushë-Kosovës. Marrja e kësaj ane ishte bërë vetëm brenda një nate dhe atë pa rezistencën më të vogël të policisë ushtarake serbe2… Tri ditë më pas, qysh në orën 6 të mëngjesit, zinxhirët e mbi 100 tankeve, autoblindave, mjeteve të tjera motorike zgjuan nga gjumi banorët e fshatrave të Fushë-Kosovës, të cilat u vendosën në pishat e Sllatinës së Madhe dhe bënë një përforcim në kazermën ushtarake të Pomozotinit.3

Nga artikujt e tjerë të gazetave që flasin për këtë betejë kuptojmë se forcat jugosllave vetëm brenda një dite kishin futur në lëvizje kundër UÇK-së 74 tanke, 72 automjete transportuese, 2 ambulanca, 8 autobusë përplot ushtarë. Gjatë luftimeve numri i forcave jugosllave do të arrijë diku 5000 ushtarë, kurse vija e frontit ishte e gjatë diku rreth 20km. Me këtë betejë praktikisht UÇK iu kishte afruar Prishtinës, kryeqytetit të Kosovës diku 7-8 km. Forcat jugosllave kishin pësuar humbje të konsiderueshme, ndryshe nga ato të UÇK-së që nuk kishin pasur asnjë të vrarë as të plagosur.4 Një nga të veçantat e kësaj beteje, sipas shtypit, ishte fakti se UÇK me këtë synonte ta detyronte faktorin ndërkombëtar të lëvizë, ta kthejë kokën e të shohë çfarë po ndodh në Kosovë. Sepse lufta në Kosovë ishte e pashmangshme, se luftimet ndërmjet UÇK-së dhe forcave të okupatorit po zhvilloheshin vetëm pak kilometra larg kryeqytetit.5 UÇK me këtë rast duket se e kishte arritur qëllimin, ngase ajo betejë pati bërë bujë të madhe edhe në media të huaja. Nuk ishte e rastit, prandaj, se me të do të merret edhe Agjencia REUTERS. Korrespodenti i kësaj Agjencie prestigjioze, Kurt Schrok, nga vendi i ngjarjes raportonte kështu:

Kryengritësit etnikë shqiptarë kanë futur në dorë Mihjen sipërfaqësore në perëndim të kryeqytetit të Kosovës, Prishtinës, ndërsa janë duke u kryer patrullime ditore me armë në duar m’u në pjesën nga i cili vend syri mund të shoh qartë kryeqendrën. Kontrollin e minierës dhe fshatrave Bellaqevc, Grabovc dhe Hade e ka marrë UÇK-ja të hënën.6

Kur flasim për këtë betejë nuk mund të thuhet se kjo betejë u zhvillua vetëm në zonën e përgjegjësisë të një zone operative, sepse atëherë ende nuk ishin përcaktuar as “kufijtë” e nënzonave dhe zonave operative. Mirëpo, kjo i parapriu edhe betejave të tjera të ZOSH-it.

Një betejë tjetër e zhvilluar në qershor në zonën e përgjegjësisë të Nënzonës Operative të Shalës (NZOSH) është edhe Beteja e Pantinës. Beteja në fjalë ishte imponuar si rezultat i provokimeve dhe tentimeve të forcave serbe që të hynin në fshatin shqiptar në Pantinë. Fshatarët e Pantinës, në bashkëpunim me forcat e UÇK-së ishin mobilizuar për t’iu kundërvënë forcave serbe, të cilat ishin s’mbrapsur. Në këtë ballafaqim ishin plagosur dy shqiptarë.7 Fshatrat shqiptare (Pantinë e Okrashticë-M.K.) ishin sulmuar me autoblinda dhe tanke nga tri drejtime: afërsi e fshatit Pantinë, fshatit Liqej dhe nga hyrja e Akrashticës.8 Granatimet e këtyre dy fshatrave do të vazhdojnë disa ditë nga forcat jugosllave nga dy drejtime: Frashëri dhe Taraxha.9 Në gazeta të ndryshme të kohës janë botuar edhe artikuj të tjerë ku raportohej për “luftime në Kosovë që nga brezi kufitar e deri në Shalë të Bajgorës;10 për rezistencë të fortë të luftëtarëve të UÇK-së për rreth Minierës “Trepça” në Stantërg, te Ura e Fazlisë, në fshatin Mazhiq, në Trepçali; për vendosje të postblloqeve në Tunelin e Parë dhe në Trepçë, por edhe për zhvendosje të popullatës nga lagjet dhe fshatrat për rreth Minierës “Trepça” si pasojë e luftimeve; për sulme kundër njësiteve të UÇK-së dhe popullatës shqiptare me artileri të forcave jugosllave nga Kazerma Ushtarake në Kutllovc, nga Kodra e Zherovnicës dhe nga Baza Ushtarake në Bajskësi dhe për përforcime të vazhdueshme të forcave ushtarake e policore me njësite dhe armatim etj.11

Krahas luftimeve (në muajin korrik) rreth Minierës “Trepça” (në fshatrat Mazhiq, Melenicë etj.) përgjatë muajit gusht 1998 luftimet kthehen edhe në fshatin Pantinë. Beteja e Pantinës është dëshmi se luftimet shkojnë duke u zgjeruar dhe intensifikuar. Sepse, që nga mëngjesi i 6 gushtit 1998, forca të mëdha ushtarake dhe policore lëviznin nga dy drejtime (nga fshati Frashër dhe Vushtrria) duke sulmuar njësitet e UÇK-së atje. Pantina, do të granatohet me shumë predha nga topa të kalibrit 155mm dhe me mitraloza të rëndë. Për pasojë do të vritet Jeton Tërrstena dhe do të plagosen Ferki Aliu dhe Basri Sejdiu, Xhemajl Mehmeti e Xhevat Mehmetiqë ishin pjesë e Njësiteve të UÇK-së të NZOSH.12 Artikujt e gazetave njoftojnë edhe për luftime tjera gjatë muajit gusht edhe në fshatrat e rajonit të Shalës së Bajgorës, me këtë rast gazetat britanike “Dejli Telegraf” dhe “The Indipendent” shkruajnë se “Kryengritja në Kosovë ishte gjallë”.13

 Ndërkohë që gazeta “Rilindja”, 22 gusht 1998, duke ju referuar gazetës serbe “Blic”, qysh në muajin gusht, do të paralajmëroi një ofensivë shfarosëse në rajonin e Shalës dhe Qyqavicës, e cila ndodhi në muajin shtator për të cilën të janë botuar dhjetëra artikuj.14 Artikujt ofrojnë të dhëna edhe për “Ofensivën” e forcave jugosllave në pjesën e dytë të muajit shtator 1998 kundër njësiteve të UÇK-së dhe popullsisë shqiptare në fshatrat e Shalës së Bajgorës dhe Llapit; për sulme të pareshtura me tanke mbi fshatrat: Kutllovc, Mazhiq, Melenicë, Rahovë, Rashan, Tërrstenë, Bare, Zjaçë; për vazhdimin e luftimeve në trekëndëshin Mitrovicë-Vushtrri-Podujevë; për djegie brenda një dite të dhjetëra fshatrave në këtë rajon dhe për dhjetëra policë dhe ushtarë serbë të vrarë etj.15 Gazetat raportojnë edhe për faktin se si nga Dobratini (Llapi-M.K.) granatohej Shala; se si çdo gjë i nënshtrohej tymit e flakës dhe se çdo gjë rrafshohej me tokë; se si për një pasdite shumë shtëpi ishin shndërruar në gërmadha; se si forcat serbe kishin shkatërruar fshatra të tëra,16 etj. Kësaj ofensive të policisë dhe ushtrisë serbo-malaziase me mijëra trupa dhe artileri të rëndë po i kundërpërgjigjej me të gjitha forcat UÇK me njësitet e saj. Dëshmi për këtë është Komunikata nr.54 e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, botuar te “Bota e re”. Në atë komunikatë ndër të tjera thuhet: Ushtria Çlirimtare e Kosovës në nënzonat e Shalës dhe Llapit, prej 15 deri më 18 shtator është përballur me ofensivën e armikut, përbërë nga mijëra ushtarë e policë serbë, por edhe nga mercenarë rusë e rumunë, me mbi 250 tanke e mjete të tjera të armatosura dhe artileri të rëndë.17 Kurse, sipas Komunikatës nr.55 të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, lufta e popullit tonë po futej në fazën e sigurt të ballafaqimit përfundimtar me armikun shekullor.18

Në rajonin e Shalës së Bajgorës armiku kishte angazhuar një korpus ushtarësh e mercenarësh të ndryshëm rusë, rumunë etj.19 Megjithatë, ushtarët e efektivit të Mazhiqit me muaj të tërë para kësaj ofensive, stoikisht ishin përballur me sulmet e pandërprera të armikut, duke qëndruar përherë nën predhat e granatahedhësve, tankeve e të artilerisë nga pozicionet serbe. Ashtu ishte edhe në vijat e tjera të frontit si në Melenicë, Rahovë, Pasomë e sektorët e tjerë. Rajoni i Shalës ishte i rrethuar dhe sulmuar nga Mitrovica, Podujeva, Vushtrria, Zherovnica etj. Në këtë ofensivë ishin angazhuar mbi 420 automjete të blinduara, mbi 180 tanke, si dhe mjete të tjera, si autoblinda, praga etj. Është parë që armiku kishte ngarkuar dy kamionë me ushtarët e tyre të vrarë. Humbje kanë pasur edhe në Kaçanoll, ku është rezistuar në bashkëveprim me njësitet e Zonës së Llapit. Njësitet e UÇK-së kanë arritur ta evakuojnë e të ruajnë edhe popullatën civile, megjithatë armiku, duke përdorur arsenalin e madh të armatimit, kishte shkatërruar fshatra të tëra. Armiku ishte përpjekur ta fshinte nga faqja e dheut UÇK-në, mirëpo këtë nuk e kishte arritur.20

Gjatë Ofensivës së 15-18 Shtatorit në Shalë të Bajgorës, sipas shtypit, ishin vrarë 11 ushtarë dhe civilë shqiptarë, 3 ishin plagosur dhe 3 ishin zhdukur; 19 mijë banorë ishin zhvendosur nga shtëpia e tyre, 4 shkolla ishin shkatërruar, fshatra të tëra ishin djegur etj.21 Megjithatë, numri i të vrarëve dhe të plagosurve civilë e ushtarë ishte më i madh se sa raportohet në shtypin e kohës.22

Një ofensivë e përmasave të njëjta si në Shalën e Bajgorës ishte ndërmarrë edhe në rajonin e Qyqavicës që nga 22 shtatori, e cila zgjatidisa ditë dhe për të cilën raportohet në të përditshmet shqiptare.23 “Djegie të fshatrave Vërnicë, Vaganicë, Pirç dhe Ashlan”, “Tragjedi njerëzore në fshatrat rreth Qyqavicës”, etj. janë vetëm disa nga titujt e gazetave të kohës.  Nëse i referohemi shtypit, si pasojë e kësaj ofensive në rajonin e Qyqavicës do të mbesin të vrarë 12 shqiptarë dhe 8 tjerë do të plagosen, shumë të vdekur kishin mbetur brigjeve të Sitnicës. Vetëm në Komunën e Vushtrrisë, në ofensivë ishin përfshirë 62 për qind e fshatrave, 37 fshatra ishin boshatisur nga popullata, e cila ishte përndjekur nga ofensiva e forcave jugosllave. Ishin granatuar 18 fshatra, kurse ishin djegur pothuajse tërësisht fshatrat: Gllavotin, Zhilivodë, Bivolak, Beçuk, Pantinë, Pasomë, Dubovc, Gurabardh, Taraxhë, Liqej, Balincë, Okrashticë dhe Shtitaricë. Komesarja e Lartë e OKB-së, Sodaka Ogata, pas një vizite që kishte bërë kishte folur për një tragjedi njerëzore në fshatrat për rreth Qyqavicës.24

Forcat jugosllave në këtë ofensivë kishin vrarë dhjetëra shqiptarë, kurse rreth 350 civilë ishin burgosur, diku 30 mijë civilë ishin zhvendosur nga fshatrat e Vushtrrisë dhe Qyqavicës, etj.25 Thjesht, kishim të bënim me një ofensivë të organizuar të ushtrisë serbe dhe të shumë mercenarëve në radhët e saj; ofensivë në të cilën morën pjesë diku 400 tanke, rreth 250 transportierë, autoblinda, praga etj., si dhe një korpus ushtarësh.26 Mirëpo, ishim të organizuar ushtarakisht dhe të stërvitur, kështu që ia dolëm të bëjmë një rezistencë të paparë, duke i shkaktuar dëme të mëdha armikut si në teknikë ashtu edhe në njerëz dhe ta evakuojmë popullatën e Shalës dhe Qyqavicës duke e grumbulluar në një vend dhe duke i krijuar vetës hapësirë që të përballemi me armikun dhe të luftojmë me të fyt për fyt.27

Rezistencë e madhe ishte bërë në anën e Zhilivodës, Beçukut dhe nga ana e Oshlanit në rajonin e Qyqavicës.28 Ofensiva (në Qyqavicë-M.K.) kishte zgjatur tri ditë e tri net. Shkiet granatonin edhe natën. Luftimet ishin zhvilluar në afërsi 100-150 metra, prandaj armikut iu pamundësua edhe përdorimi i dikurshëm i artilerisë së rëndë kundër UÇK-së”.29 Vukovari (Kroaci-M.K.) ishte lojë fëmijësh karshi asaj që u pa në Shalën e Bajgorës.30

Se barbarizmi i forcave jugosllave kundër civilëve shqiptarë gjatë Ofensivës së shtatorit ishte i papërshkrueshëm më së miri flet kjo dëshmi (deklaratë) e një gruaje shqiptare nga fshati Kçanoll, e cila kishte mbijetuar gjatë ofensivës në Shalën e Bajgorës: Unë ia vura re babait mirë litarin në dorë. Atëherë e kam vënë re aty afër një gisht të vogël të dorës së babait… Ata gjatë gjithë natës se lume e kishin pas masakruar kufomën e tij. Dorën e djathtë prej bërrylit e poshtë nuk e kishte fare, ndërsa edhe tjetrës ia kishin prerë pëllëmbën. Egërsisht”.31

Pas luftimeve që zhvillonte aso kohe UÇK-ja në Kosovë, pra edhe në zonën e përgjegjësisë të ZOSH, shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare, në një intervistë dhënë shtypit të kohës, duke folur për Kosovën flet edhe për UÇK-në dhe veprimet e saj, do të shprehet: “Shfaqja e UÇK-së nuk është shenjë e flijimit të Kosovës, por të rilindjes së saj”.32 Kurse poeti dhe profesori Agim Vinca, duke folur për rolin dhe rëndësinë e Protestës së 1 tetorit 1997, për UÇK-në dhe luftën e saj do të shprehet:

UÇK e ringjalli moralin dhe krenarinë e nëpërkëmbur të popullit dhe rinisë liridashëse të Kosovës, e zhveshi në masë të madhe, por jo përfundimisht, farsën tragjikomike të një klani mashtrues e manipulues politik dhe angazhimin e tij fals për kinse pavarësinë e Kosovës dhe, së fundi (e që mund të jetë me rëndësi të dorës së parë), e ktheu vëmendjen e bashkësisë ndërkombëtare dhe të opinionit demokratik botëror kah Kosova dhe çështja e saj e pazgjidhur, e cila tani, në këta muajt e fundit, falë rezistencës së armatosur të bijve të denjë të Kosovës dhe sakrificave të shumta të popullit të saj, ka arritur shkallën më të lartë të ndërkombëtarizimit, duke iu afruar kështu zgjidhjes së saj përfundimtare.33

Të gjitha djegiet masive, krimet dhe masakrat e ndryshme, forcat serbe i kryen në interes të arritjes të të vetmit qëllim të tyre strategjik – asgjësimin e UÇK-së, duke lënë atë pa prapavijë (logjistikë). Mirëpo, serbët i bënë hesapet pa hanxhiun, do të shprehet aso kohe analisti dhe ushtaraku shqiptar, Shpëtim Golemi (Dilaver Goxhai), në Revistën ushtarake nr.2, tetor 1998.34 Ushtaraku Golemi vjen në përfundim se gjatë ofensivës korrik-shtator 1998, Forcat e Armatosura të Serbisë, policia e saj dhe forcat paramilitare mundën që t’i impononin UÇK-së vullnetin e vet në formën e luftimeve, por jo ta asgjësonin atë, pavarësisht se Serbia i përdori të gjitha llojet e armëve me forcë e sasi të madhe.35 Veprimet luftarake në zonën e përgjegjësisë të ZOSH janë të pranishme në faqet e shtypit edhe në vitin 1999, madje duke filluar nga ditët e para të javës së parë të muajit janar. Aty ka zënë hapësirë edhe vrasja në pritë në fshatin Smrekonicë (Komuna e Vushtrrisë), më 3 janar 1999, e ndihmëskomandantit për Logjistikë në Zonën Operative të Shalës, Xhevat Jusufi dhe plagosja e Zymer Halimit-zëvendëskomandant i Brigadës 141 “Mehë Uka” të ZOSH.36

Një ngjarje tjetër që ka zënë hapësirë të konsiderueshme, duke u shndërruar madje në top lajm në faqet e shtypit në Kosovë e Shqipëri, është ajo që ka të bëjë me zënien rob të 8 ushtarakëve të UJ-së nga njësitet e UÇK-së të ZOSH, më datë 8 janar 1999, dhe arritja e marrëveshjes (13 janar 1999) për shkëmbimin e robërve të luftës. Me këtë rast qenë shkëmbyer 9 ushtarë të UÇK-së me 8 ushtarakë serbo-malazias. Se sa është shkruar e thënë në media të shkruara për ngjarjen kemi folur më gjerësisht në kapitullin Lufta e drejtë dhe e pastër e UÇK-së-shkëmbimi i robërve të luftës37 dhe Këmbimi i robërve të luftës në ZOSH sipas shtypit të kohës.38 Megjithatë, mendoj se është me interes të dihet se për zënien rob dhe arritjen e marrëveshjes mes UÇK-së dhe UJ-së me ndërmjetësimin e OSBE-së kanë shkruar “Koha ditore”, “Kosova sot”, ”Rilindja”, “Bota e re”, “Kosova Press”, “Zëri i popullit”, “Ushtria”, etj. Vetëm për këtë ngjarje janë shkruar diku rreth 60 artikuj në shtypin shqiptar në Kosovë dhe Shqipëri.39 Natyrisht nuk kanë mbetur pa u përmendur dhe regjistruar edhe luftimet te “Ura e Gjakut” dhe te Xhamia në Shipole njësiteve të kësaj zone operative në njërën anë dhe forcave jugosllave në anën tjetër; luftimet në Vaganicën e Poshtme dhe Vaganicën e Epërme, por edhe në Vërnicë, sepse forcat serbe kishin atakuar çdo gjë shqiptare.40

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Në mbrojtje të pikës më strategjike të Rrafshnaltës Te Shkëmbi i gradinës kanë rënë dëshmorë: Islam Kastrati, Mentor Morina, Halim Bajraktari, Ramadan Bytyçi dhe Mentor Gashi E hënë 19 prill, 1999

Ahmet Qeriqi: Në mbrojtje të pikës më strategjike të Rrafshnaltës Te Shkëmbi i gradinës kanë rënë dëshmorë: Islam Kastrati, Mentor Morina, Halim Bajraktari, Ramadan Bytyçi dhe Mentor Gashi (E hënë 19 prill, 1999)

Sot moti ka filluar të përmirësohet. Qysh në orën 9.00 të mëngjesit janë lëshuar në …