Daut Haradinaj

Daut Haradinaj ngre alarmin për ligjin e shtetësisë: Qeveria po fsheh të vërtetën, Kosovës i duhet transparencë e plotë

Kandidati i Aleancës për deputet, Daut Haradinaj, ka akuzuar institucionet për mungesë transparence rreth zbatimit të ligjit për shtetësinë, duke kërkuar sqarime të plota për opinionin publik dhe kontrolle të rrepta institucionale. Nga Gjakova, Haradinaj deklaroi se po tentohet të minimizohet debati për një çështje që, sipas tij, prek drejtpërdrejt interesin shtetëror. “Dielli nuk mbulohet me shoshë. Qytetarët meritojnë të dinë saktësisht se çfarë po ndodh me procesin e shtetësisë dhe cilat janë pasojat e këtij ligji”, ka thënë ai. Sipas Haradinajt, shqetësimet janë shtuar pas miratimit të ligjit në Kuvend me votat e Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Serbe. Ai pretendon se dispozitat e ligjit kërkojnë verifikim të kujdesshëm dhe mbikëqyrje të vazhdueshme për të shmangur çdo mundësi keqpërdorimi. Haradinaj theksoi se integriteti i shtetit duhet të mbrohet përmes mekanizmave të fortë institucionalë dhe jo përmes vendimeve që lënë hapësirë për paqartësi apo dyshime në publik. Haradinaj vlerësoi se komunat e udhëhequra nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës përfaqësojnë model të qeverisjes efektive dhe menaxhimit të përgjegjshëm, duke shtuar se i njëjti standard duhet të zbatohet edhe në nivel qendror.  “Kosova ka nevojë për institucione që japin llogari, jo për vendime që mbahen larg syrit të qytetarëve”, ka deklaruar Haradinaj, duke kërkuar transparencë të plotë për çdo çështje që lidhet me interesin shtetëror dhe të ardhmen e vendit.

Kontrolloni gjithashtu

BE nis negociatat për zgjerimin e roaming-ut në Ballkanin Perëndimor

Ministrja austriake për Evropën, Claudia Bauer, ka përshëndetur vendimin e Këshillit Evropian për hapjen e …