Milaim Sylejmani: Pse Albin Kurti nuk mundi të krijojë një qeveri ?!

Milaim Sylejmani: Mirë u pafshim në Kosovën e Lirë!

Mërgata e Kosovës ka qenë një nga shtyllat kryesore të mbijetesës që nga vitet ’70 të shekullit të kaluar, si dhe forcë e pazëvendësueshme e zhvillimit në dekadat e fundit. Që nga periudhat e represionit para luftës e deri te rritja ekonomike e sotme, kontributi i saj ka ndikuar fuqishëm në jetën shoqërore, ekonomike dhe politike të vendit.

Në vitet ’80 dhe ’90, kur shqiptarët u përjashtuan nga institucionet dhe jeta publike, mërgata u shndërrua në shtetin paralel të Kosovës, duke u bërë burimi kryesor i të ardhurave për mijëra familje. Remitencat përmes skemës së 3%-shit mbajtën gjallë arsimin paralel, shëndetësinë, familjet në nevojë, mbështetën aktivitetet politike dhe siguruan një minimum dinjiteti njerëzor e mbijetesë ekonomike. Në një kohë kur Kosova ishte e izoluar, ju ishit ura jetike me Perëndimin.

Gjatë luftës së viteve 1998–1999, mbështetja e mërgatës mori një përmasë të re. Ju u organizuat për të financuar UÇK-në, për të ndihmuar qindra mijëra refugjatë dhe për të ushtruar presion politik në shtetet ku jetonit, përmes protestave dhe demonstratave në tërë botën perëndimore. Ju dërguat ndihma, kontribuuat financiarisht dhe krijuat lidhje me mediet dhe organizatat ndërkombëtare. Ky kontribut është i pakrahasueshëm në historinë e rezistencës së popullit tonë.

Pas çlirimit, mërgata u bë forca kryesore financiare e rindërtimit. Shumë shtëpi u ngritën falë mundit dhe kursimeve tuaja, ndërsa remitencat në dekadën e dytë pas luftës tejkaluan 1 miliard euro në vit. Në një ekonomi të brishtë dhe institucione ende të paqëndrueshme, ju ishit garancia e stabilitetit social dhe ekonomik, duke mbajtur familjet tuaja, dhe jo vetëm ato.

Me kalimin e viteve, perspektiva e lirisë dhe zhvillimit solli një fazë të re ekonomike. Bizneset në gastronomi, bujqësi, ndërtim, prodhim, tregti dhe shërbime filluan të rriten, duke krijuar një klasë të re ekonomike dhe një nivel më të lartë mirëqenieje. Ky zhvillim, ani pse u shty kryesisht nga remitencat, u ushqye edhe nga taksat, tatimet dhe doganat që tashmë grumbulloheshin në Buxhetin e Kosovës, e jo më në “porez za razvoj ZHTP” në Serbi. Kështu, buxheti i vendit u rrit deri në 4 miliardë euro.

Rritja e konsumit, sidomos te gratë dhe të rinjtë, shpesh krijoi pyetje nga mërgimtarët që punonin rëndë jashtë vendit: Si ka mundësi që disa njerëz në Kosovë të jetojnë më mirë se ata që punojnë 10 orë në ditë në Perëndim? Ky kontrast, i kombinuar me konsumimin e masës nga vet mërgimtarët kur vinin në pushime, u keqkuptua dhe më pas u përdor si material propagandistik nga qarqe dashakeqëse në rrjete sociale. U përhap narrativë e gabuar se çdo pasuri në Kosovë lidhet me vjedhje, uzurpim apo korrupsion , duke lënë në hije mundësitë reale të zhvillimit.

Këto narrativa krijuan distancë të panevojshme ndërmjet vendit dhe mërgatës, duke e shtrembëruar perceptimin për progresin e brendshëm dhe duke lënë të kuptohet se ai u bë në kurriz të sakrificës së mërgimtarëve. Megjithatë, faktet mbeten të qarta: remitencat vazhdojnë të tejkalojnë 1 miliard euro në vit, ndërsa investimet dhe kontributet tuaja të tërthorta në vendet ku jetoni kapin shifra shumë më të mëdha. Dhjetëra biznese, projekte dhe familje në Kosovë ekzistojnë falë mbështetjes suaj.

Mërgata është një nga shtyllat identitare, historike dhe ekonomike të Kosovës. Edhe pse perceptimet mund të ndryshojnë, marrëdhënia mes jush dhe vendit mbetet e ndërtuar mbi sakrificë, përkushtim dhe dashuri. Zhvillimi brenda Kosovës nuk duhet parë si kërcënim, por si sukses i përbashkët i atyre që jetojnë këtu dhe atyre që për dekada e mbajtën vendin gjallë, shpesh nga mijëra kilometra larg.

Mos prit, e mos u vono. Guri peshon në vend të vet. Ai që ta përshkruan jetën në Kosovë në mënyrë të errët, mos i beso – nuk është dashamir i yti. Kthehu në Kosovën e Lirë!

Kontrolloni gjithashtu

Bashkim Pushkolli: Kush e solli lirinë – UÇK-ja apo NATO?

As UÇK-ja e vetme, e as NATO nuk do të mund ta sillnin lirinë pa …