MINISTRI BYTYQI DHE SHEFJA E BE-SË NË KOSOVË BISEDUAN ME NXËNËS PËR DUKURINË E KORRUPSIONIT

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi dhe shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, kanë diskutuar me nxënësit e shkollave të mesme në temën: “Avokimi i ndryshimit kulturor: Roli i gjeneratave të reja për formësimin e vlerave të së nesërmes”, me theks dukurinë e korrupsionit si një e keqe që i kanoset të ardhmes së vendit. Në këtë diskutim kanë marrë pjesë edhe ambasadorja e Holandës në Kosovë, Gerrie Willems, përfaqësuesi i Ambasadës Italiane në Kosovë, Matteo Corradini dhe drejtori i Agjencisë Kundër Korrupcionit, Shaip Havolli, të cilët gjithashtu kanë theksuar rëndësinë e luftimit të korrupsionit. Ministri Bytyqi, me këtë rast theksoi se, institucionet shtetërore, veçanërisht të rinjtë, luftimin e korrupsionit duhet ta kenë përditshmëri, ndërsa tha se dihen dëmet që i shkakton kjo dukuri një vendi, të rinjve dhe qytetarëve në përgjithësi, sepse është pengesë serioze e zhvillimit. Ministri theksoi se, fillimisht duhet ta pranojmë se kjo dukuri ekziston në vendin tonë dhe pastaj ta gjejmë mënyrën se si ta luftojmë. Megjithatë, ai tha se parandalimi i korrupsionit është shumë më i lehtë se luftimi i tij. “Nëse flasim në nivelin e lartë, nuk mund të flasim për parandalim, por për luftim, ndërsa kur flasim me juve të rinjtë, flasim për parandalim, që është edhe faza më e lehtë”, tha ministri Bytyqi, ndërsa iu tha të rinjve se këtë mund ta bëjnë duke u edukuar dhe duke i kuptuar dëmet që shktakton kjo dukuri negative. Ministri theksoi se, nëse ne këtë e bëjmë kulturë të përditshme, duke edukuar veten dhe pjesëtarët tjerë të familjes, jemi në fillim të mbarë për parandalimin e  korrupsionit dhe për të kërkuar edhe luftimin e atyre që tashmë janë korruptuar. “Të rinjtë duhet ta kuptojnë se është vlerë të jesh i ndershëm, është vlerë që çdo gjë që e bën ta fitosh me dije dhe djersë, e jo me forma të tjera korruptive”, tha në fund ministri Bytyqi. Ndërsa, shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova tha se rinia e sotme, janë udhëheqësit e së nesërmes. “Të gjithë ju mund të jeni forca kryesore që lufton korrupsionin, krimin e organizuar dhe gjitha këto të këqija ndikojnë negativisht në të ardhmen e Kosovës”. Ky aktivitet u organizua në kuadër të “Javës kundër korrupsionit 2018 “, që po realizohet përmes “Projektit kundër krimit ekonomik “, të Këshillit të Evropës.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Smajl Latifi priti në takim drejtuesit e KRM Ekorregjioni

Kryetari i komunës së Rahovecit, z. Smajl Latifi priti në takim drejtuesit e KRM Ekorregjioni. …