Në vazhdën e takimeve me ambasadorët dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë në Kosovë, Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri Jashtëm i Republikës së Kosovës, z.Behgjet Pacolli ka pritur sot në takim ambasadorin e Kanadasë për Kosovë dhe Kroaci, z.Daniel Maksymiuk. Ministri Pacolli e falënderoi ambasadorin Maksymiuk për përkrahjen e vazhdueshme që Kanadaja po i ofron shtetit të Kosovës. Me këtë rast, ai falënderoi posaçërisht përkrahjen e qeverisë kanadeze në procesin e integrimeve euro-atlantike për vendin tonë. “Vlerësoj mbështetjen e Kanadasë në proceset e shtetndërtimit, konsolidimit ndërkombëtar të vendit dhe përshpejtimit të proceseve të integrimeve euroatlantike për Kosovën”, ka thënë Pacolli. Ata u dakorduan edhe për mundësitë e krijimit të mundësive të reja ndërmjet Kosovës dhe Kanadasë për promovimin e investimeve si dhe avancimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve në fusha të ndryshme.
