Limak Kosovo
Fillimi / Institucionet / Ministrja Dumoshi: Të burgosurit do të mbesin bazament i rezistencës për lirinë e Kosovës

Ministrja Dumoshi: Të burgosurit do të mbesin bazament i rezistencës për lirinë e Kosovës

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për nder të 21-vjetorit të Çlirimit të Kosovës ka hapur për vizitorë ish-Burgun e Prishtinës, që do të shndërrohet në muze në të ardhmen. Në hapjen e “Strehës së kujtimeve, Burgut të përndjekjes” për vizitorë, organizuar nga Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, i pranishëm ishte edhe Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti. Kryeministri Avdullah Hoti gjatë kësaj ngjarjeje tha se ky burg ka firmosur lirinë e vendit, derisa shtoi se është emocionuese se si të gjithë gratë e burrat që kanë qenë pjesë e këtij burgu rrëfejnë përjetimet e tyre. “Është ndjenjë e veçantë që përjeton kur hyn në një qeli dhe del në tjetrën. Edhe vetë ministrja Dumoshi familjarët e vet i ka pasur në këto burgje, por edhe gjithë të tjerët të cilët po ndajnë përjetimet dhe emocionet e tyre. Sinqerisht e falënderoj ministren për këtë iniciativë. Burgun e ideve e kanë firmosur të gjithë të burgosurit të cilët sakrifikuan gjithçka për lirinë që po e gëzojmë sot”, tha Hoti. Ndërsa, Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, tha se ky burg do të mbetet bazament i rezistencës së popullit tonë për liri. Dumoshi theksoi se ky burg është ndërtuar në kohën më të keqe nga vetë të burgosurit politikë shqiptarë nën tortura. “Ky burg është ndërtuar nga të burgosurit e torturuar. Kjo flet për historinë e popullit tonë se sa kemi qenë të fortë duke iu rezistuar torturave për një Kosovë të lirë dhe për të drejtat tona”. Ajo potencoi se shndërrimi i burgut në muze do të jetë pjesë e kujtimit të historisë shqiptare. “Po shënojmë 21-vjetorin e çlirimit të Kosovës. Po ashtu në këtë burg të gjithë të burgosurit që kanë qenë do të mbesin bazament i rezistencës për lirinë e Kosovës. Propozimin që burgu të shndërrohet në muze e kemi paraparë që ta hapim për vizitorët. Kujtojmë ndër vite veprimtarët e mëdhenj si: Adem Demaçi, Fazli Grajçevci, Besnik Restelica, Hyrije Hana e në mesin e tyre edhe familjari im, Osman Dumoshi. Sot në mesin tonë janë edhe Hydajet Hyseni, Ali Lajqi, Selatin Novosella, Mermiman Braha e shumë të burgosur tjerë”, tha ministrja Dumoshi. Tutje ministrja theksoi se “Shumë të burgosur kanë kaluar përjetime mizore nëpër qeli. Kemi individë që kanë përjetuar me vite vetëm qelinë. Programi qeverisës parasheh ndërtimin e muzeut të paqes, i cili do të jetë pjesë e historisë sonë”. Kurse ish i burgosuri tha se e vlerëson vendimin e MKRS-së për shndërrimin e burgut në muze, duke thëne se “Duhet të vlerësohet vendimi i Ministrisë dhe që kanë gjetur këtë ditë aq domethënëse për vendin. Dita e Lirisë e ndërlidhur me shndërrimin e burgut është dëshmia më e mirë e shtetit tonë”.

Kontrolloni gjithashtu

Islamic Relief Kosova ndihmon familjet me nevojë të Komunës së Hanit të Elezit

121 pako me nga 7 kg mish është kontributi humanitarë i radhës i Islamic Relief ...